Artet pamore, Shqipëria brenda kornizave të realizmit socialist

Oct 19, 2017 | 13:55
SHPËRNDAJE

Fytyra të qeshura, faqe bojërozë, fëmijë të gë- zuar, që argëtohen duke luajtur “luftash” me një pushkë druri në krah, minatorë me shpatulla të gjera që rrokin shkëmbin, ushtarë shtatlartë e sypatrembur, çifte të lumtura që shkojnë në plazh…

kulture
“Enver Hoxha”, Isuf Sulovari

Një “parajsë mbi tokë”, Shqipëria socialiste. Konsideruar si pjesë shumë e rëndësishme e propagandës, arti dhe artistët u shfrytëzuan maksimalisht nga regjimi komunist, për të ofruar një imazh plot dritë të Shqipërisë; për të lartësuar Luftën Antifashiste nacionalçlirimtare, për të “justifikuar” ardhjen në pushtet të komunistëve, për të “reklamuar” ndërtimin e socializmit dhe për krijimin e “njeriut të ri socialist”. Ishte një periudhë e gjatë, në të cilën arti duhet t’i nënshtrohej dogmës së realizmit socialist, nën shembullin më të mirë të “vëllait të madh”, Bashkimit Sovjetik. Një metodë, që u huazua dhe u instalua në Shqipëri, duke iu imponuar me dhunë çdo artisti. Por pavarësisht kornizës, pavarësisht normës, artistët u përpoqën të bëjnë art, ndonjëherë edhe duke shkelur normat, ndonjëherë edhe duke e pësuar. Madje kishte edhe nga ata që u dënuan pikërisht për këtë…

kul1
Studim për figurën e Nexhmije Hoxhës, Zef Shoshi

Më qartësisht na e shpjegojnë historinë e realizmit socialist në Shqipëri, artet pamore, që sot trajtohen edhe si kërshëri për turistët e huaj. Dëshmi mbi aplikimin e metodës së realizimit socialist në artet pamore na ofron katalogu “Realizmi socialist shqiptar”, një produkt i Galerisë Kombëtare të Arteve, i përgatitur nga dr. Ermir Hoxha, pedagog pranë Universitetit të Arteve, firmën e të cilit mbajnë tekstet shoqëruese të katalogut, por edhe përzgjedhja e imazheve. Katalogu përfshin një gamë të gjerë veprash, por pa pretenduar të jetë shterues.

Për drejtorin e GKA, Artan Shabani, njëkohësisht drejtues i këtij projekti, “realizimi i këtij katalogu për periudhën, ndërtuar mbi analizën e disa prej mediumeve ku ai u përqendruar, është një nga ofertat më domethënëse të këtij institucioni për të kuptuar mirë një nga periudhat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit tonë”.

KATALOGU

Katalogu është mbështetur kryesisht mbi veprat e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve, e megjithatë autori ka dalë edhe përtej mureve të GKA, në koleksione private, në terren dhe në mediume të tjera, që nuk janë shfrytëzuar më parë si përfaqësuese në artet pamore. Realizimi socialist shihet i mishëruar edhe në monumente të vendosura anë e kënd Shqipërisë, në lapidarë, në murale, afreske, në postera, fotografi që zinin kopertinat e revistave të kohës. Piktori Gazmend Leka, recensues shkencor i katalogut, e vlerësoi botimin e katalogut të vlefshëm për artistët dhe studentët.

kul2

“Është një katalog serioz dhe i plotë dhe vjen si një vlerë e shtuar në të gjitha botimet kushtuar artit figurativ në Shqipëri. Nuk mendoj se është shterues dhe kjo është e mira e artit, pasi më herët kanë shkruar dhe do të vazhdojnë të shkruajnë. Ky është terren shumë i rëndësishëm për të gjithë artistët, por më vjen mirë që do të mund ta shfrytëzojnë edhe studentët e arteve pamore”. Përmes një teksti disa faqesh, Ermir Hoxha na shpjegon si ç’ishte metoda e realizimit socialist, si u huazua dhe u zbatua ajo në Shqipëri, se si shërbeu për të ngritur kultin e Enver Hoxhës, por edhe imazhin e “njeriut të ri”, si u krijuan stereotipat e punëtorit/punëtores, partizanit/partizanes, fëmijës, por edhe personazheve “negativë”.

kult5
“Lajmet e mëngjesit”, Niko Progri

Gjithashtu, Hoxha ndalet edhe te huazimet, duke na pranëvënë tablo të njohura të realizimit socialist shqiptar me kryevepra botërore, te të cilat ato janë mbështetur apo frymëzuar (“Zëri i masave”, Sali Shijaku/”Las Meninas”, Diego Velaskes; “vallëzo Shqipëri”, Abdurrahim Buza”/”Kërcimi”, Henry Mattisse, etj. Sigurisht, pjesa më e rëndësishme është ajo e veprave, të cilat Hoxha i ka renditur, jo në mënyrë kronologjike, por të ndara në etapa. “Çdo periudhë ka temat e veta dominonte, sipas rëndësisë së kohës. Për shembull, në vitet ‘45–‘60 tema që dominon është lufta, sepse legjitimonte fituesit dhe pushtetmbajtësit, pastaj vjen transformimi i partisë komuniste në parti pune e më tej rindërtimi”, shpjegon Hoxha, për të vijuar më tej me të tjera periudha, që shënojnë edhe “ulje-ngritjet” e realizmit socialist.

kult3
NE SPARTAKIADEN E TE REJAVE, GJYQTARET E GARAVE ATLETIKE, FOTOGRAFI 1968, PETRIT KUMI, REVISTA “YLLI”

ETAPAT

Etapa e parë titullohet “Parathënia e një triumfi 1945-1960”, që karakterizohet nga fryma e ngritjes së vlerave të Luftës Antifashiste, për të vijuar me hapat e parë të ringritjes së vendit. Në të përfshihen vepra si “Monumenti i ushtarit të panjohur” nga Andrea Mano, “Kalimi i divizionit I në veri” nga Sadik Kaceli, “Tregime nga Lufta nacionalçlirimtare” e Nexhmedin Zajmit, “Shqiponjat partizane” të Kel Kodhelit, “Portret” nga Foto Stamo, “Monumenti i Stalinit” nga Odhise Paskali, “Pyllëzimi” nga Kristina Koljaka, “Heroi i Popullit, Qemal Stafa” dhe “Skënderbeu” të Janaq Paços, “Gruaja e ulur” nga Dasnish Jukniu, e shumë të tjera.

kul4

Etapa e dytë, në të cilën shquhen më qartë kornizat e metodës së re, titullohet “Importimi i realizmit socialist 1961-1969”, me vepra si “Më tej” nga Shaban Hysa, “Revolucionarizimi” i Pandi Meles, “Shkojmë në punë” nga Zef Shoshi, “Leximi” nga Jani Nathanaili, “Portret punëtori” nga Guri Madhi, “Mjelsja” nga Jakup Kerraj, “Tekstilistja” nga Hasan Nallbani, “Versniku i Republikës” nga Kristaq Rama , “Lart Frymën Revolucionare” nga Muntaz Dhrami, “Enver Hoxha” i Odhise Paskalit, “Ditë fluturimi” nga Spiro kristo, “Në repartin ushtarak” nga Isuf Sulovari, “Vojo Kushi” nga Sali Shijaku, “Dy muzikantë” nga Maks Velo, etj., si edhe një seri pllakatesh të realizuara nga Safo Marko, Llazar Taçi, Pandi Mele e Shyqyri Sako si edhe fotografi që mbajnë kryesisht firmën e Petrit Kumit.

Periudha e tretë, që karakterizohet edhe nga një frymë liberalizmi në artet pamore, titullohet “Formalizëm vs realizëm 1969-1973”. Ajo hapet me “Epika e Yjeve të mëngjesit” nga Edison Gjergo, për të vijuar me “Aksionistet” nga Bajram mata, “Brigadieret” e Vilson Kilicës, “Yje të pashuar” nga Isuf Sulovari, “Mbjellja e pemëve” të Edi Hilës, “Tej dritares” nga Pandi Mele, “Selvitë” nga Maks Velo, “Vajza që këndon” nga Thoma Thomai, “Në pultin e komandimit nga Llambi Blindo, “Satira në skulpturë” nga Uran Hajdari, “Portret punëtori” nga Alush Shima, “Enver Hoxha”, Isuf Sulovari, “Pas qitjes” nga Dhimitraq Trebicka, etj. Etapa e katërt, “Shkëlqimi dhe rënia e realizmit socialist”, përfshin vitet 1974 dhe përshkruhet përmes veprave “Montatori” nga Petro Kokushta, “Punëtori i hidrocentraleve” nga Arben Basha, “Naftëtarët” nga Agim Shami, “Metalurgu” i Fuat Dushkut, “Buka e duarve tona” nga Skënder Kamberi, “Aksionistja” nga Hasan Nallbani, “Dritë në malësi” nga Abdurrahim Buza, “Njerëzit e ditëve tona” nga Minella Saro, “Zëri i masave” dhe “Mic Sokoli” nga Sali Shijaku, “Luftërat iliro-romake” nga Zef Shoshi, “Besëlidhja” nga Fatmir Haxhiu, “Komunistët” nga Vilson Kilica, një seri grafikash mbi Eposin e Kreshnikëve nga Gazmend Leka.

Katalogu mbyllet me një periudhë që rrok pesë vite “Në kërkim të kohës së humbur 1985-1990”. Në të përfshihen vepra si “Mbrëmje” nga Agron Bregu, “Lutja e Ikarit dhe Dedalit” nga Gazmend Leka, “Perseu” nga Edi Hila, “Legjenda e tokës” nga Edi Rama dhe Vladimir Myrtezai, “Montatori” nga Kreshnik Xhiku “Shëtitje pranverore” nga Bashkim Ahmeti, “Nën pemën e qershisë” nga Kujtim buza, “Pas mësimit” nga Anastas Kostandini, “Karnavale” nga Maks Velo, “Pranverë” nga Edi Rama, “Piramida” e Lumturi Blloshmit, “Portret” nga Zihni Veshi, “Onufri” nga Mikel Temo, etj, për t’u mbyllur me fotografinë mitike të Roland Tashos, “Patkoi i fatit”, 29 maj 1991.

ALMA MILE/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura