Artan Imami tregon bisedën me Pirro Manin: E vërteta e batutës së Ramës ndaj meje

Jul 1, 2018 | 19:12
SHPËRNDAJE

Artan Imami do të jetë ndër njerëzit, që do përlotet kur godinës 80- vjeçare të Teatrit Kombëtar t’i vihet ruspa. Edhe pse është ndër firmëtarët dhe aktorët që qëndrojnë fort krah atyre që kanë vendosur rrafshimin e teatrit, aktori e përjashton veten nga ajo pjesë, që do të gëzohet për shkatërrimin.

IMAMI_ARTAN-(2)-(1)

Të paktën kështu pretendon në reagimin e tij të dytë. Në një letër të hapur, sqaruese, aktori u përgjigjet edhe akuzave të publicistit Fatos Lubonja për batutën e Edi Ramës, si dhe tregon bisedën me artistin e madh Pirro Mani, emri i të cilit ishte i pari në peticionin për ndërtimin e teatrit të ri, mbi rrënojat e të vjetrit.

“Çfarë ka thënë Edi Rama për mua, nuk është se e ka thënë Zoti”, thekson Imami. Lubonja në shkrim i referohej një batute të Edi Ramës, i cili e cilësonte aktorin Imami si “vetëm zë”. Në reagimin e tij, Imami sqaron edhe qëndrimin e Pirro Manit, duke shtuar se ka biseduar në telefon me të dhe se këtë “mund t’jua vërtetojmë me tabulatet telefonike”. 

ARTAN IMAMI

SQARIM

Për vazhdimin e letrës së hapur të detyruar drejtuar disa personazheve me emër (të keq) dhe disa të tjerëve, që emrin ua mësuam kohët e fundit. Së pari, dua të nënvizoj se titulli te “Panorama” “Shembja e Teatrit, një ngjarje e gëzuar” është një titull në kundërshtim me emocionet e mia më të sinqerta (mjafton t’ju kujtoj se 25 vitet më aktive të jetës sime janë të lidhura me atë Teatër). Duke lënë mënjanë modestinë, do të kisha qenë i gëzuar për shembjen e atij teatri nëse ajo skenë do të më kishte dhënë dështime, hidhërime dhe duartrokitje thjesht nga mirësjellja.

Por e kundërta ka ndodhur. Aty kam marrë dhe kam ndarë me kolegët që e meritonin, momentet më të gëzueshme që gjithkush i meriton pas një pune serioze. Nëse me atë skenë nuk do të kisha këtë lidhje të fortë, do të isha larguar që në ’90-ën prej saj dhe Shqipërisë. Është ajo skenë që më ka dhënë emër dhe mbiemër, më ka dhënë krenari. Unë do të jem nga ata që do të derdh lot dhimbjeje të përziera me një mendim të thjeshtë, kur shembja të ndodhë e të fillojë ndërtimi i ri.

Një pjesë shumë e dashur e imja ikën bashkë me atë godinë, por ndërtimi i skenës së re në atë tokë që nuk guxon ta shkeli askush tjetër për qëllime përfitimi, përveçse nesh, për qëllimet më sublime, DO TË NDËRTOHET. I kërkoj ndjesë lexuesit për këto fjalë paksa patetike, por ajo që unë them është, ndërtimi i Teatrit të Ri Kombëtar është një ngjarje e gëzueshme. Në atë vend duhet të kuptojmë se nuk do të varroset ajo çka e gjallë do të ngelet në mendjet dhe zemrat tona.

* * *

Dua të sqaroj publikun se çfarë ka thënë Edi Rama për mua, nuk është se e ka thënë Zoti, por e vërteta është se ai nuk e ka thënë ndonjëherë këtë gjë. Batuta e lezetshme i takon autorësisë së Çim Dajës, i cili për të nënvizuar paksa protagonizmin tim të tepruar apo edhe vetëpëlqimin që kisha, thoshte: “Ti e thua batutën në skenë dhe do të jesh njëkohësisht edhe në fund të sallës që ta dëgjosh”; “Po e bo si ata lojtarët që e gjuajnë kornen vetë dhe duan të vrapojnë ta bëjnë po vetë golin me kokë”. Mbas botimit të librit të tij, e takova një ditë Lubonjën rastësisht para restorantit tim dhe më thotë që kishte shkruar një libër ku më përmendte edhe mua dhe konkretisht, që Edi Rama thoshte që unë kam vetëm zë.

Me humor ia ktheva që kjo nuk më mërziste se librin e tij nuk do e lexonte askush. Dhe pastaj e ftova për drekë dhe ndërkohë që hanim e pinim, i tregova të vërtetën në lidhje më këtë batutë. Por Fatosi që nuk harron asgjë, vazhdoi dhe këto ditë të këmbëngulë siç vetëm kokëshkëmbinjtë, kokështerpë mund të bëjnë, të shkruajë të njëjtën gjë. Jo se kjo më shqetëson, por qëllimi fyes më nxeh.

* * *

Në lidhje me akuzat që më janë bërë, se kemi falsifikuar firmat e Pirro dhe Pavlina Manit, sqaroj publikun se deklarimet në publik në lidhje me ndërtimin e Teatrit të Ri, në të njëjtin vend, Z. Pirro Mani (me të cilin biseduam në telefon dhe mund t’jua vërtetojmë me tabulatet telefonike) i mbështeti qartësisht. Këtë gjë e ka bërë dhe shumë herë të tjera, ku dëshmitarë kemi qenë vetë apo në dokumentet e shkruara edhe në procesverbalet e mbledhjeve, ku është diskutuar për këtë çështje. Aprovimin e tij për ta bërë emrin e tij publik e kemi ne si dëshmitar që folëm me të.

Me Pavlinën nuk arritëm dot të komunikonim dhe prandaj emri i saj nuk ishte në listë. Në atë listë, gjithashtu nuk ndodheshin edhe shumë personalitete të tjera, të cilat publikisht dhe qartësisht e kanë shprehur mendimin e tyre pro ngritjes së Teatrit Kombëtar në të njëjtin vend. Refuzimi i tyre ishte mëse normal në këtë situatë, ku çdo emër fyhet dhe përbaltet thjesht dhe vetëm se shprehu një mendim.

Duke iu dhënë të drejtë, nuk kam vënë asnjë nga emrat e tyre. Këtë gjë e vërteton edhe heshtja e investigatorëve babalakë, që kanë bezdisur çdo person të asaj liste me pyetje. Po të vini re, asnjë prej njerëzve që është në atë listë nuk ka përdorur sharje, fyerje, qesëndi për ata që mendojnë ndryshe. E kundërta ka ndodhur nga pala tjetër. I vetmi që mori iniciativën për t’u futur në këtë valle, ku do s’do ndonjë stërkalë balte të bën pis, isha unë. Dhe t’i them kujtdo që do të vazhdojë të zërë emrin tim duke u bërë ushtar dëshmor i politikës, se nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të vetëturpërohet.

Me respektin më të thellë për publikun, Artan Imami.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura