Arrestimi i biznesmenit/ Drejtori i Policisë tregon ku u gjetën patentat e Tahirit, thotë se…

Nov 5, 2017 | 13:46
SHPËRNDAJE

Kreu i Policisë së Elbasanit, Altin Qato, doli para mediave për të dhënë disa detaje në lidhje me arrestimin e biznesmenit Orest Sota, kryer nga policia e Elbasanit.

Ai theksoi se, “më datën 2.11.2017, në mëngjes u arrestua shtetasi Orest Sota për fshehje të të ardhurave.

Në një kontroll rutinë, rreth orës 16:30 të datës 1.11.2017, Orest Sota nuk ka ndaluar dhe janë vënë në lëvizje strukturat e Policisë Vendore”, u shpreh Çato.

Sipas tij, mjeti “Land Rover” është ndaluar afër metalurgjikut, pasi i riu është ndjekur nga blutë sepse nuk i është përgjigjur një patrulle për të ndaluar.

Pasi është ndaluar, 25-vjeçari është prezantuar dhe pyetjes së efektivëve se përse nuk iu përgjigj shenjës për të ndaluar, ai i është shfajësuar se nuk ishte ndalur me qëllim që të shmangë kontrollin për shkak se ai qarkullonte pa patentë.

Por pasi i është bërë kontroll makinës, në sediljen e prapme është gjetur sasia e parave, të cilat rezultuan në shumën e 863 mijë eurove. Më tej, gjatë kontrollit, në kroskot u gjetën edhe tri patentat e ish-ministrit të Brendshëm.

Pyetjes se pse Policia e fshehu në njoftimin e saj faktin e tri patentave të familjes Tahiri, kreu i Policisë së Elbasanit u shpreh se,

“Ne çdo veprim e kemi bërë transparent brenda çdo procedure. Është vënë në dijeni, pasi është konstatuar vlera monetare në mjet, prokurori i Task Forcës në Prokurori si dhe çdo material që është sekuestruar në mjet, i është referuar dhe bashkëlidhur materialit në prokurori. Nuk e ka fshehur Policia këtë fakt, por referimi është bërë për tri vepra penale dhe ne i kemi bashkëlidhur dhe i kemi bërë materialet prezente.

Asnjë material, që është gjetur në automjet, nuk është fshehur. Referimi është bërë për tri vepra penale dhe jo për rastin e patentave sepse në gjykimin e parë, gjetja e një mjeti drejtimi në makinë nuk është vepër penale.

Hetimi për paratë e gjetura pritet t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda sepse Prokuroria e Elbasanit nuk ka kompetencën për të zhvilluar hetimin pasuror ndaj të riut dhe për të verifikuar mënyrën se si ka gjeneruar 863 mijë euro kesh të pashoqëruara me asnjë faturë apo mandat.

Burime të Prokurorisë nuk përjashtuan faktin se do të thërritet për t’u marrë në pyetje shoferi i Tahirit. Gjithashtu, hetimi është fokusuar edhe në drejtim të evidentimit të gjurmëve të gishtave të lëna në kartëmonedha.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura