“Arrest në burg” për ish-kreun e bashkisë së Vorës, gjykata urdhëroi sot …

Nov 12, 2019 | 12:18
SHPËRNDAJE

“Arrest ne burg” eshte masa e sigurise qe ka vendosur gjykata ndaj ish-kreut te Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

agim-kajmaku

Ai eshte vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për 3 akuza dhe tashmë ndaj tij ka edhe një masë sigurie “Arrest në burg” në mungesë.

Nderkohe qe po sot, gjykata ka urdheruar edhe kontrollin e baneses se Kajmakut, raporton “News 24”

***

Prokuroria e kryeqytetit, pas disa ditësh verifikime, shënoi procedimin penal ndaj Kajmakut për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit dhe vendimet e marra për shkarkimin e dy nënkryetarëve, pas momentit të shkarkimit. Prokurori Kolë Hysenaj, i cili ka marrë në dorë hetimet, siguroi nga Gjykata edhe urdhërarrestin që ende nuk është ekzekutuar, pasi Policia nuk e ka gjetur në shtëpi Agim Kajmakun, i cili ka marrë dijeni për hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj tij.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka shpallur në kërkim, me masë sigurimi ‘Arrest në burg’, në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të shtetasit Agim Kajmaku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, ‘Shpërdorim detyre’, sipas nenit 248 të Kodit Penal, ‘Falsifikimi i formularëve’, neni 190 i Kodit Penal dhe ‘Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës’, neni 249 i Kodit Penal”, tha një burim zyrtar i Prokurorisë. Mësohet se kontrolle në banesën e tij janë bërë mbrëmjen e së dielës, por pa rezultat. Nga ana tjetër, avokati i tij, Isuf Shehu, dje u paraqit në Prokurorinë e Tiranës ku kërkoi të njihej me të gjitha aktet e deritanishme kundër Kajmakut. Teksa i përgjigjej interesit të mediave, Shehu tha se nuk e dinte se ku ndodhej klienti i tij.

HETIMI

Një nga akuzat që i rëndojnë pozitat Kajmakut është ajo e “Ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, konsumuar me shkarkimin e dy nënkryetarëve të bashkisë, Laureta Omerin dhe Hekuran Brahimajn. Sipas Prokurorisë, këtë veprim Kajmaku e ka ndërmarr pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte votuar shkarkimin e tij nga detyra. Denoncimi për këtë situatë është bërë nga Omeri. Ndërkohë, Kajmaku kishte emëruar në këtë post shefin e tij të kabinetit, Gentian Picarin. Prokuroria, gjithashtu, ka ngritur edhe akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” ndaj Kajmakut dhe hetimet e mëtejshme po vazhdojnë. Ndërkohë, me anë të një fletëthirrje të dërguar në adresën e banimit, prokurori Kolë Hysenaj, thërret për të dëshmuar Kajmakun, në cilësinë e personit ndaj të cilit po zhvillohen hetime.

AVOKATI

Mesditën e djeshme, avokati Isuf Shehu ishte në Prokurorinë e Tiranës për të marrë aktet e hetimit për Kajmakun, por nuk i ka siguruar ato. Në reagimin që Shehu pati për mediat, tha se Policia kishte ushtruar kontroll në banesën e Agim Kajmakut në orët e para të së dielës, por nuk ka shpjeguar pse. I pyetur për vendndodhjen ai u shpreh: “Ka pasur një kontroll në orët e para të ditës së diel në lidhje me zotin Agim Kajmaku në banesën e tij, Policia nuk ka paraqitur asnjë dokument, asnjë njoftim për shkaqet dhe arsyet pse është proceduar apo pse kërkohet ndalimi. Pasi u informuam në lidhje me këto veprime dhe nga media, do t’i drejtohem Prokurorisë me kërkesë se çfarë është bërë me këtë çështje”.

ARRESTIMI NË GREQI

Duke iu referua dokumenteve të publikuara nga Partia Demokratike, Agim Kajmaku, i cili ka përdorur identitetin e rremë, Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë, Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”. Sipas të njëjtave dokumente, vepra penale është konsumuar gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë, Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi. Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i Policisë Gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej Prokurorisë dhe Gjykatës.

Vendimi, KQZ shkarkoi Agim Kajmakun me 5 vota pro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi në 1 nëntor të shkarkojë nga detyra kreun e Bashkisë së Vorës, Agim Kajamakun, pas vërtetimit se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit dhe nuk kishte deklaruar se ishte arrestuar në Greqi. Gjatë mbledhjes së KQZ, avokati Isuf Shehu, kërkoi nga KQZ konfirmimin e Agim Kajmakut në detyrë dhe lejimin e tij për ta ushtruar detyrën e kryebashkiakut të Vorës, ai argumentoi se Prokuroria ka marrë një vendim për rastin pa pritur letërporosinë e autoriteteve greke. Por, në fund, kërkesa e Shehut u rrëzua dhe KQZ votoi unanimisht, me 5 vota pro për shkarkimin e tij nga detyra.

Ka qenë denoncimi i Partisë Demokratike, se i sapozgjedhuri në krye të Bashkisë së Vorës, Agim Kajamaku, ishte arrestuar në Greqi pasi ishte kapur me kartëmonedha të falsifikuara. Ngjarje që Kajmaku ishte i detyruar ta deklaronte në formularin e dekriminalizimit. Për disa javë me radhë, PD denoncoi duke publikuar edhe dokumente për hetimet e zhvilluara ndaj ish-kreut të Bashkisë së Vorës.

Vetë Kajmaku, fillimisht, i mohoi në mënyrë kategorike këto denoncime, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por me pas ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikim, në përfundim të të cilit konstatoi se i zgjedhuri vendor nuk kishte deklaruar arrestimin dhe kërkoi shkarkimin e tij.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura