Aksidenti që i mori jetën vajzës së ish-ambasadorit, pranohet provë ilustrimi i avokatit të Pelushit: Shkak për përplasjen Çim Peka

Feb 24, 2015 | 7:00
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë “arrest në burg” për Emiljano Pelushin, drejtuesin e automjetit “Audi” me të cilin u përplas gazetari Çim Peka mbrëmjen e së enjtes.

Skema e ngjarjes sipas avokatit të Emiljano Pelushit. (1) Makina “Audi” (2) Makina “Benz” e Çim Pekës

Në këtë aksident humbi jetën Fleura Kola, vajza e ishambasadorit shqiptar në Romë, Llesh Kola. Për shkak se i akuzuari ndodhet me kurim në spital nga dëmtimet e marra në aksident, seanca e masës së sigurisë ndaj Pelushit është zhvilluar në ambientet e Spitalit Ushtarak në kryeqytet.

Masa ekstreme “arrest në burg” është kërkuar nga përfaqësuesi i akuzës, i cili ka pretenduar se Pelushi është shkaktari i aksidentit. Sipas akuzës, është konstatuar nga policia se drejtuesi i makinës që u përplas me mjetin e Çlirim Pekës, ka qenë me shpejtësi tej normave të aksit rrugor dhe nën efektin e alkoolit.

Prokurori ka paraqitur si provë vendimin për aktin e ekspertimin, por jo përfundimet e tij, me pretendimin që ende nuk ka përfunduar. Përmes avokatit të tij, Vladimir Gërmenji, i dyshuari Pelushi ka kërkuar një masë më të butë sigurie se “arresti me burg”. Ai ka pretenduar se nuk ishte ai shkaku i aksidentit, por gazetari Peka.

 

Fleura Kola

REAGIMI I AVOKATIT
Sipas avokatit, nga verifikimi i situatës ka rezultuar se shkaku determinant i ardhjes së aksidentit ka qenë kalimi i automjetit të gazetarit Peka në korsinë e kundërt, duke u përplasur ballazi me automjetin që drejtohej nga 32-vjeçari Pelushi. U mësua se vetë i dyshuari nga krevati i spitalit ka shpjeguar se ka qenë duke ecur në korsinë e tij, kur ka parë vetëm dritat e një automjeti dhe më pas një goditje të fortë. Pelushi pretendon se alibia e tij është pohuar edhe nga një dëshmitar, i cili është pasagjeri që ai ka pasur në automjet. Në lidhje me sasinë e alkoolit, avokati ka pretenduar se sasia e tij në gjakun e të dyshuarit ka qenë në sasinë 0.5 për qind dhe se kjo nuk ka ndikuar në aftësitë e tij drejtuese.

Avokati Gërmenji ka paraqitur edhe një skemë, ku sqarohet varianti i paraqitur prej tij dhe klientit për dinamikën e aksidentit, skemë që është administruar nga ana e gjykatës. Referuar skemës së paraqitur nga avokati, drejtimi i lëvizjes ka qenë nga Tirana drejt Elbasanit për automjetin që drejtohej nga gazetari Penga dhe nga Elbasani drejt kryeqytetit për automjetin që drejtohej nga Pelushi.

“Organi i akuzës po bën një hetim selektiv pa i dhënë gjithkujt atë që i takon”, u shpreh avokati Gërmenji në një prononcim për mediat, në përfundim të seancës gjyqësore. Aksidenti në të cilin u përfshi gazetari Peka, ku mbeti e vrarë Fleura Kola, ndodhi në hyrje të autostradës Tiranë-Elbasan. Sipas hetimeve paraprake, shkak i aksidentit ishte shpejtësia e madhe e të dyshuarit Pelushi dhe drejtimi i automjetit në gjendje të alkoolizuar prej tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura