Arratisja e Stresit, flet Sali Lusha: Ngjarja e inskenuar politikisht nga servilët që duan t’i bien në sy Ramës

Feb 4, 2015 | 15:23
SHPËRNDAJE

Sali Lusha

INTERVISTA NE ‘PANORAMA’/ Sali Lusha, babai i këngëtarit Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, e quan padrejtësi dhe inskenim ngjarjen ku djali i tij u ndalua nga policia. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Sali Lusha tregon detajet se si ka ndodhur ngjarja duke shpjeguar se i biri ka qenë pasagjer në makinën që u ndalua nga policia, pasi automjeti drejtohej nga shoku i tij.

Babai i këngëtarit shprehet se nuk ka asnjë dyshim që ngjarja ka prapavijë politike për shkak të një kënge që Stresi ka bërë kundër Kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, ai shprehet me bindje se ngjarja nuk është porosi e Kryeministrit, por një incident i sajuar nga persona të caktuar, në mënyrë që t’i bëjnë përshtypje Edi Ramës.

Sali Lusha pranon faktin që i biri nuk është i pajisur me patentë, ndërsa sipas tij fakti që policia tashmë shprehet se Stresi nuk kishte konsumuar alkool, është thjesht një përpjekje për t’i vështirësuar pozitat e tij. Një mënyrë që këngëtari të mos ketë asnjë lehtësi për faktin se ishte nën efektin e alkoolit.

“Siç duket, policia tani nuk do që t’i justifikojë veprimet e tij me pijen dhe me faktin që ka qenë nën efektin e alkoolit dhe thotë që nuk ishte i pirë. Në qoftë se djali im ka fryrë te testi i alkoolit dhe nuk ka dalë me pije, atëherë e paskan problemin testet, qenkan të skaduar”, shprehet Sali Lusha.

Kur e keni marrë vesh atë që i kishte ndodhur Stresit, në momentin që ju erdhi policia për kontroll në banesë?
Jo, e kam marrë vesh më përpara. Policia ka ardhur një ditë mbrapa, domethënë të dielën në mëngjes, rreth orës 4 të mëngjesit. Ngjarjen e mora vesh po atë ditë. Kishte ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit, unë e kam mësuar pak më vonë, diku rreth orës 08:00.
Kush ju lajmëroi?
Disa shokë të djalit. Njëri nga ata kishte qenë me të në momentin e ngjarjes. Më tha që Arkimedi ka ikur. E pyeta: “Si ka ikur?”. Më tha që ka qenë në komisariat dhe kishte ikur.
Ju vetë keni pasur ndonjë komunikim me të gjatë kësaj kohe?
Jo, jo. Asnjë komunikim. Kam tentuar të lidhem me të në telefon, por i ka të fikur telefonat. Kam folur me shokët e tij, nëse ata mund të më tregonin ndonjë gjë, me idenë se mund të kishte folur me ta, por as ata nuk dinin gjë. Do t’ju them edhe diçka tjetër. Në media janë publikuar shumë fotografi dhe citime, sikur i ka bërë djali im nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Asnjë profil që është përdorur, të cilit edhe i referohen mediat, nuk është profili zyrtar i Arkimedit. Aty janë hapur shumë adresa me emrin Arkimed Lushat, por asnjëra nuk është adresa e tij.
Po Policia kur ju ka informuar për atë që kishte ndodhur?
Nga Policia nuk më është thënë asgjë. Vetëm kur më erdhën për kontroll në banesë, por asnjëherë nuk më kanë thënë se çfarë kishte ndodhur. Kanë ardhur në shtëpi, siç ju thashë. Madje janë sjellë shumë mirë. Kanë qenë 10 punonjës policie të Komisariatit Nr.3. Ai shefi erdhi, më tha që do bënin kontroll banese, më tregoi edhe mandatin, por në mënyrë shumë të kulturuar. Nuk kam asnjë rezervë për ta. 
Me aq sa keni kuptuar ju, cili ka qenë problemi mes djalit tuaj dhe policisë, atë natë që ndodhi incidenti?
Djali ka dalë nga një lokal nate, që ndodhet aty prapa një qendre tregtare, në hyrje të autostradës, te Mbikalimi i Kthesës së Kamzës. Aty ka qenë për të kënduar atë natë. Kur ka dalë, e kanë ndjekur dy makina. Një fuoristradë dhe një tjetër. Kanë qenë punonjës policie, por civilë. Ka vazhduar rrugën, bashkë me shokun e tij që drejtonte makinën dhe më përpara i ka dalë postblloku. Në fillim i kanë ndaluar afër Doganës, po aty më duket se kanë ikur. Kanë shkuar te një lokal nate që ndodhet në Laprakë. Aty shohin që ishin edhe dy makina të tjera, pastaj vijnë edhe Shqiponjat, disa policë të tjerë dhe u thonë që duan të shohin dokumentet e makinës. Arkimedi ka qenë pasagjer në atë makinë. Makinën e drejtonte shoku i tij. Por policët i ishin drejtuar Arkimedit, duke i thënë që të shkonte me ta se do ta shoqëronin. Në atë moment ndërhyn shoku i tij dhe u thotë që shoferi ishte ai, pse duhej të shoqërohej Arkimedi.
Pra nuk ka qenë Stresi duke drejtuar makinën?
Jo, absolutisht. Unë nuk po them që djali im nuk ka drejtuar asnjëherë makinë, por në atë rast nuk ka qenë ai në timon. E megjithatë, meqenëse policët kërkuan ta shoqëronin, ai është bindur dhe u ka thënë që do shkonte me ta ku të donin.
Po në Komisariat çfarë kishte ndodhur?
Siç më thotë ky shoku i djalit, atje e kanë futur brenda dhe një polic i ka thënë që të hiqte lidhëset e këpucëve. Aty e ka kuptuar se do e mbanin brenda, se lidhëset e këpucëve për atë arsye hiqen. Se çfarë ka ndodhur më pas, unë nuk e di. Sepse edhe shokun e tij e kanë lënë të lirë, kanë mbajtur brenda vetëm Arkimedin. Se si është larguar nuk e di, nëse është hedhur nga dritarja apo ka zbritur nga shkallët…
Pse mendoni se mund të jetë arratisur nga Komisariati?
Unë mendoj se ka ikur ngaqë i është bërë një padrejtësi. Ai nuk i duronte dot padrejtësitë. Kur dikush shoqërohet e ndalohet kot, pa pasur lidhje me asgjë, kur nuk ishte vetë duke drejtuar makinën dhe e shikon që nuk ka rrugë tjetër, atëherë mundohet ta zgjidhë në mënyrën e tij. Ai ka reaguar në atë mënyrë vetëm nga padrejtësia që iu bë. Por, mund të ketë ndodhur edhe ndryshe. Ndoshta ka qenë ndonjë keqkuptim. Oficeri që e merrte në pyetje mund t’i ketë thënë që kanë mbaruar marrjen në pyetje dhe djali ka menduar se i ka thënë që kanë mbaruar dhe mund të largohej. Nuk e di çfarë të them për këtë. Ai nuk do rrinte në burg, as 2-3 orë, sepse nuk kishte bërë asgjë, ishte i pafajshëm. Por nga padrejtësia mendoj se e bëri gjithë këtë.

Çfarë mund të thoni për versionet që dha Policia për ndalimin e Stresit, që ishte pa patentë dhe që ishte i pirë, edhe pse më pas e hodhën poshtë çështjen e pijes?
Që nuk ka qenë i pirë, kjo më duket absurde. Unë nuk po them që ka qenë i dehur, por dy gota i ka pirë, se nuk ka mundësi të shkosh në një lokal nate dhe të mos e pish një gotë. Kushdo e bën. Siç duket, Policia tani nuk do që t’i justifikojë veprimet e tij me pijen dhe me faktin që ka qenë nën efektin e alkoolit dhe thotë që nuk ishte i pirë. Në qoftë se djali im ka fryrë te testi i alkoolit dhe nuk ka dalë me pije, atëherë e paskan problemin testet, qenkan të skaduar. Në qoftë se një këngëtar del nga një pub ku ka qenë 4 orë dhe del që nuk ka pirë asnjë pikë alkool, atëherë bëhet e pabesueshme çdo gjë.

Po për çështjen e patentës? A është i pajisur Stresi me leje drejtimi automjetesh?
Jo, nuk ka patentë. Kur ka qenë në Belgjikë ka pasur një leje drejtimi, atje kanë një lloj emri tjetër, por këtu jo. Patentë të mirëfilltë nuk ka pasur.

A mendoni se kjo ngjarje mund të ketë prapavijë politike?
100 për qind. Nuk e them absolutisht që kjo mund të jetë porosi e Kryeministrit dhe të jetë marrë ai vetë me këtë punë, për shkak të këngës që ka bërë kundër tij. Harrojeni! Këtë e kanë bërë ata servilët që duan të bëjnë përshtypje dhe të bien në sy me veprimet e tyre te Kryeministri. Ku i hyn në punë Kryeministrit pse një këngëtar i muzikës rep bëri një këngë kundër tij. Në të gjithë botën reperët bëjnë këngë të tilla, madje me fyerje shumë më të rënda. Ai është artist dhe kaq. Një Kryeministër nuk mund të bëjë gjëra të tilla. Edhe Sali Berishën e kanë imituar me qindra herë, por ai u ka dhënë dorën madje edhe i ka përgëzuar ata që e kanë imituar. I ka dhënë dorën Agron Llakajt në prezencën time. I ka thënë bravo, se ke folur identik si unë. As Edi Rama nuk besoj që mund të merret me gjëra të tilla. Se nuk zgjidh asgjë. Djalit tim nuk i pëlqen dhe kaq mbaroi. Nuk ka asgjë për t’u habitur këtu.

Realisht a ka pasur debat mes Stresit dhe punonjësve të Policisë?
Jo, absolutisht dhe jam i bindur që kjo nuk ndodh. Unë vetë jam shumë korrekt me ta dhe këtë frymë ia kam ushqyer edhe djalit, që t’i respektojë punonjësit e Policisë. Janë njerëzit më të vuajtur dhe që paguhen më pak, ndaj duhen respektuar më shumë se të tjerët. Dhe Arkimedi e bënte këtë, nuk krijonte kurrë probleme me ta, i respektonte gjithmonë.

Kur ishte kthyer Stresi nga Zvicra?
Para një muaji erdhi, natën e Vitit të Ri. Di ikte prapë, apo do të qëndronte këtu? Jo, do të ikte. Dy ditë pas asaj që ndodhi, kishte prerë biletën për të ikur në Zvicër, por e shtyu deri më datë 27 shkurt se kishte një koncert. E kishte vendosur që të mos rrinte më këtu, nuk donte. Do të merrej me koncerte andej.

Ky ishte problemi i parë me Stresin që pas ndërrimit të pushteteve?
Po, kjo ishte ngjarja e parë. Nuk kishte pasur probleme të tjera.

Po shoku i vet që drejtonte makinën atë natë, ju ka sqaruar saktësisht se si ka ndodhur e gjithë kjo?
Po, po, me detaje. Më ka thënë që është gati të dëshmojë për Prokurorinë, në Gjykatë dhe kudo. Të tregojë se makinën e drejtonte ai dhe jo Arkimedi. Më tha që kishte këmbëngulur para policëve që të shkonte me ta, sepse ishte ai shofer. Por ata i kanë thënë: “Nuk të duam ty, duam këtë tjetrin”. Unë jam i bindur dhe e përsëris sa herë të doni që e gjithë kjo ngjarje ka qenë e inskenuar. Ka qenë gjithçka e përgatitur që djali im të kapej. Është hera e dytë që i ndodh kjo gjë me Policinë. Edhe para një viti e gjysmë, prapë me një polic, e njëjta situatë. Ky po vinte në shtëpi dhe i dalin para në rrugë. Polici nxjerr armën për të ndaluar Arkimedin dhe plagos shokun e vet, policin tjetër që ishte me të. Po ju them që janë këta civilët, që i njohin si kaleca, që vijnë rrotull çdo ditë. Ja edhe sot, i shikoni vetë, se edhe mund t’i njihni, rrinë këtu në lagje, shohin çdo lëvizje timen, thua se çfarë do të bëj.

Megjithatë për këtë ngjarje u arrestuan 3 punonjës policie…
Po dhe më vjen shumë keq për ta. Të jeni të bindur që ka qenë thjesht një pakujdesi. As që bëhet fjalë të kenë bërë ndonjë kompromis policët që djali im të largohej. Nuk ka polic që ta bëjë këtë, të rrezikojë vendin e punës e të shkojë në burg, qoftë për djalin tim, apo edhe për djalin e vet. T’i japësh miliona nuk e bën. Unë i njoh të tre ata punonjës policie, janë njerëz shumë, shumë të mirë dhe më vjen shumë keq për ta. Më vjen keq që ju ndodhi kjo për djalin tim. Po e kanë ekzagjeruar shumë këtë ngjarje. Të angazhosh dy mijë policë se iku një person që nuk kishte patentë. Kaq nuk angazhohen për një kriminel që ka kryer vrasje.

ETLEVA DELIA 

“Panorama”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura