“Armik i betuar”, zbardhet dosja sekrete e Ilir Demalisë, si survejoheshin nga Sigurimi ambasadat e refugjatët në ’90. Çfarë shkruhej nga Berlini

Jul 1, 2021 | 21:51
SHPËRNDAJE

I survejuar gjithmonë dhe kudo. Ilir Demalia duket se nuk i ka shpëtuar “syrit vigjilent” të Sigurimit edhe gjatë qëndrimit në ambasadë apo edhe pas largimit në Gjermani. Dokumentet e Arkivit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit qartësojnë se si Ilir Demalia, i njohur gjerësisht në Tiranë si “Syçi”, ka qenë nën survejim. Janë fillimi i viteve 1990, pas hyrjes në ambasada, si tentativa e parë për të kundërshtuar regjimin. Refugjatët u dërguan në Gjermani, por edhe prej andej Demalia vijoi të ishte antipushtet.

ilir demalia1

Sot gazeta boton dokumentet e survejimit. Bëhet fjalë për Raporte të Ambasadës Shqiptare në Berlin që i dërgonin Drejtorisë së II të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë për aktivitetin e Ilir Demalisë në Gjermani dhe raportet e agjentit “Deti”, I cili kishte qenë i strehuar në Ambasadë. Këtu qartësohet se mes refugjatëve, Sigurimi i Shtetit kishte infiltruar në ambasada edhe spiunët e vet. Raportet, në rastin e sotëm të agjentit “Deti”, japin një pamje se çfarë ndodhte brenda mureve në ambasadave. Nga ana tjetër, Demalia nuk e ndaloi aktivitetin e tij kundër regjimit.

DOKUMENT-ILIR DEMALIA (4)

Gazeta boton sot edhe peticionin që ai i ka dërguar Ramiz Alisë për hapjen e Shqipërisë, heqjen e yllit nga flamuri kombëtar, lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe rehabilitimin e tyre dhe rishikimin e historisë në këto 45 vjet, duke nxjerrë të gjithë ata njerëz që mbajnë përgjegjësi për këtë proces regresiv dhe kriminal që u krijua në Shqipëri.

Dokumente të Arkivit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. 1. Lënda: Dërgohet një peticion i refugjatit I.D. “Detit”

Dërguesi i këtij peticioni telefonon në përfaqësi duke marrë nëpër gojë vendin, qeverinë, udhëheqës të veçantë dhe duke bërë presion për të organizuar demonstrata para përfaqësisë, duke folur “në emër të të gjithë refugjatëve politikë e fetarë e atdhetarë”. Pretendon se nuk ka asnjë adresë të qëndrueshme, meqenëse është i rrezikuar nga autoritetet atdhetare dhe shqiponjas të nxitur prej tyre.

DOKUMENT-ILIR DEMALIA (3)

Këtë peticion që ai pretendon ta ketë dërguar në emër të të gjithë refugjatëve e ka nënshkruar vetë dhe jo me shumë firma siç është praktika e peticioneve. Siç duket, më tepër është iniciativë e vet për një veprim të tillë, gjë që ka dalë nga të dhënat e refugjatëve që kanë ardhur këtu për kohën që kanë qëndruar në përfaqësi e luginasve. Në vendin tonë ai ka shkruar peticione të tilla dërguar organizmave ndërkombëtare.

Zarfi dërguar nuk ka të shënuar adresën e dërguesit vetëm se vula e postës tregon që është postuar nga qyteti i Bremenit, nga ku erdhën në nëntor një sasi refugjatësh për të demonstruar para përfaqësisë sonë, për të cilin jeni njoftuar.

Një kopje e këtij peticioni i dërgohet me shkresë edhe MPJ, Drejtorisë II. Materiali nuk është konsumuar me telegram nga ana jonë.

DOKUMENT-ILIR DEMALIA (2)

***

I.D. (Syçi) ishte një armik i betuar i Shqipërisë dhe një levë lëvizëse e agjenturave të huaja. Ky kishte iniciativën e atyre peticioneve, të cilat villnin vetëm vrer ndaj politikës që bënte PPSH. Me anën e këtyre peticioneve, I. D. informon opinion botëror se gjoja në Shqipëri njerëzit persekutoheshin, ndiqeshin, burgoseshin e nuk kishin të drejtë fjale, se janë të izoluar, në varfëri të plotë e politika e shtetit shqiptar është një politikë mashtruese dhe diktatoriale për popullin, se populli nuk gëzon asgjë dhe se njerëzit janë kthyer në kafshë pune. Prandaj duhet ndërhyrë sa më shpejt nga jashtë (fuqitë e mëdha) që të shpëtohet populli shqiptar që po vuan këtë epokë sundimi nga komunistët, të cilët po udhëheqin e janë të privilegjuar. Dhe se duhej shkatërruar monopoli që komunistët kanë pushtet duhej të shndërroheshin në një shtet që komunistët të mos udhëheqin si Parti e Punës së Shqipërisë. Se Shqipëria me politikën e saj dështoi, orët i ka të numëruara dhe është “guri i fundit” i komunizmit.

E theksoj edhe një herë se kjo ishte përgjithësisht përmbajtja e peticioneve që u firmosën nga shumë persona që ishin brenda në ambasadë dhe iu dërgua Vatikanit (Papës); RFGJ (Gensher) Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, OKB-së, SHBA (George Bush).

***

Ne rrinim brenda mureve të saj pothuaj të shkatërruar fare. Në ambasadë binte në sy një person që kishte shumë afrimitet me personelin e ambasadës gjermane dhe përkthente (se njihte mirë gjuhën angleze), i cili thirrej me emrin “S Y Ç I” . Ky ishte nga ata njerëz të betuar për të luftuar me një propagandë shumë të poshtër e diskretituar politikën e Shqipërisë ku fliste se Shqipëria ishte një vend që kishte në fuqi ligjet e inkuizicionit. Këtë ai e bënte me qëllim që të mbante njerëzit brenda në ambasadë.

***

Gjatë kohës së qëndrimit në ambasadë përgjithësisht mbajta një qëndrim indiferent. Më aktivët ishin tiranasit e kryesisht I. Demalia ose siç e thërrisnin -”SYÇI” e disa të tjerë që nuk i kam fiksuar me emra. Aktiviteti i tyre kishte të bënte qysh nga propaganda antishqiptare e deri me rregullat që vendosnin për të gjithë ata që ishin në ambasadë, për sigurimin e ambasadës nga elementë të ndryshëm që mund të hynin etj. Kishte raste kur dikush denonconte, Ilir Demalia e grupi i tij se X-si ishte spiun i sigurimit (nga që njiheshin nga koha para hyrjes në ambasadë) Iliri merrte masa e ai nxirrej me forcë nga ambasada. Iliri organizoi bërjen e një peticioni me 200 firma, të cilat i transmetoi me telexin e ambasadës, Perz De Kuelarit (personalisht) dhe Helmut Kohlit, ku kërkohej ndërhyrja e atyre të fundit për largimin sa më parë nga ambasada të atyre që ishin futur atje. Jepte deklarata para shqiptarëve se në Gjermani pret një jetë e re dhe se të gjithë duhet të mendonin vetëm për këtë se kishin për të ndryshuar si njerëz. Thoshte se njerëzit që kanë dalë këto ditë nga ambasadat janë pushkatuar nga Policia shqiptare. “Syçi” bëri edhe disa peticione, të cilat ia dërgoi qeverisë gjermane, Papës OKB-së, të cilat i firmosën afro 200 persona që ky i bënte për vete.

Natën, “Syçi” organizonte njerëz për të ruajtur flamurin gjerman që ishte në ambasadë se gjoja pretendohej se do të pritnin litarin nga njerëz që punonin për sigurimin, se ky veprim gjoja kishte si qëllim për të ngjallur panik e që njerëzit pas kësaj të dilnin nga ambasada gjermane.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura