“Arlekini” i Hervin Çulit hap sezonin në Durrës

Nov 2, 2012 | 10:52
SHPËRNDAJE
Posteri i komedisë “Arlekini, shërbëtori i dy zotërinjve”

Komedia e Goldonit ngjitet sot në “Aleksandër Moisiu”

“Më quajnë ‘armik’ në Teatrin Kombëtar, por nëse e do profesionin, teatri bëhet kudo”

“Durrësi, Venecia, deti, alegria… Jam stacionuar këtu për të bashkuar të gjitha këto dhe për të qenë më pranë veprës.  Ky qytet e do shumë komedinë. Komedia ka shumë det, ashtu si dhe Durrësi”. Kështu shprehet regjisori Hervin Çuli për veprën më të re, që do të ngjisë sot në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, duke u bërë kështu edhe kumbari i sezonit të vjeshtës. Komedia e njohur e Karlo Goldonit, e shkuar në vitin e largët 1745, “Arlekini, shërbëtori i dy zotërinjve”, do të ngjisë në skenë pjesën më të madhe të aktorëve të trupës së Durrësit. Pas rreth një viti (që nga shfaqja e komedisë “Dashuri e dytë në moshë të tretë”) kthehet të interpretojë në rolin e protagonistit aktori i njohur i humorit, Muharrem Hoxha. Sa i përket regjisorit, Hervin Çuli, ky nuk është bashkëpunimi i parë me teatrin “Aleksandër Moisiu”. Veprat e Çulit janë mirëpritur nga publiku durrsak, çka i ka dhënë atij garancinë për bashkëpunimet e mëtejshme. Një ndër shfaqet e tij më të suksesshme ka qenë “Udhëtimi pa vizë i një alieni”. Çuli thotë se “shfaqja do të jetë një aventurë teatrale unike dhe e papërsëritshme me lojërat, trishtimin, dredhirat e gënjeshtrat, batutat e improvizimet, ankthet dhe lumturinë, të cilat në një shfaqje të vetme mund t’ua ofrojë vetëm “Arlekini, shërbëtori i dy zotërinjve”. Në rolet kryesore krahas Muharrem Hoxhës interpretojnë aktorët e rinj Adelina Muça, Besmir Bitraku, Xhejni Fama, Ervin Doko, Eralda Çaushi, si dhe të mirënjohurit Roland Koça, Sanie Hoti dhe Gjergj Doçi. Skenografia i është besuar Noset Shijakut. Shfaqja e parë teatrale për këtë sezon pritet të gjallërojë disi jetën mjaft të vakët artistike në Durrës, që në muajt në vazhdim pritet ta vuajë edhe më shumë mungesën e veprimtarive kulturore si shkak i anulimit të të gjitha aktiviteteve për mungesë fondesh.
Komedia e të gjithëve
Për komedinë e Goldonit nuk është hera e parë që sheh dritën e skenave shqiptare, por regjisori Çuli premton një qasje të re për këtë komedi gati treshekullore. Pas shfaqjes së suksesshme “Udhëtimi pa vizë i një alieni”, Çuli vjen sërish në skenën e Durrësit me komedinë “Arlekini, shërbëtor i dy zotërinjve”, e cila do të vijë për publikun durrsak për tri ditë më radhë. Sipas Çulit, komedia “Arlekini, shërbëtor i dy zotërinjve” është një komedi e mirëfilltë skenike, që i drejtohet publikut tradicional të një teatri. Por është nga veprat më specifike, që mund të ndiqet edhe nga fëmijët. “Kjo është mrekullia e kësaj shfaqjeje, e cila nga kritikët më të mëdhenj është quajtur shfaqja me dimensionin më absolut, me një shtrirje të madhe në moshë, duke bashkuar të gjitha kohët biologjike të njeriut, pasi mund të ndiqet nga fëmijët 5 vjeç, deri te 90-vjeçarët apo edhe më tepër. Kjo pasi vepra ka një strukturë të huazuar nga Goldoni, vepër që ka maskat në thelb, atë që ne e njohim si karnaval apo tetari i kukullave. Është një ndërthurje mes të dyjave”, sqaron Çuli.
“Teatri Kombëtar më ka mbyllur dyert”
Ndonëse një nga regjisorët më produktivë për momentin, Hervin Çuli e ka një “peng”. Nuk mund të vërë shfaqje në skenën e Teatrit Kombëtar. Sipas tij, aktualisht ky institucion ia ka mbyllur dyert artistit, por kjo nuk do të thotë ndërprerje e karrierës për të. “Për momentin Teatri Kombëtar m’i ka mbyllur dyert, më ka “internuar” në një farë mënyre, pas debateve të mia publike mbi reformën. Vazhdoj të jem në gjyqe me Drejtorinë e Teatrit Kombëtar. Unë jam njeri që aktualisht më quajnë “armik” të një institucioni pas kaq shumë vitesh karrierë të bërë në të. Por kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi unë besoj që njeriu bën teatër aty ku njëri e ndien, aty ku do, dhe në qoftë se e do këtë profesion, teatri mund të bëhet kudo, aq më tepër që Tirana me Durrësin janë vetëm pak minuta larg dhe nuk kam humbur ndonjë gjë të madhe, përkundrazi kam fituar qetësi” ka pohuar Çuli. Sipas tij, “Arlekini, shërbëtor i dy zotërinjve” është një komedi e shkëlqyer e shkruar në shekullin XVI, e cila shënon ndryshimin e madh të teatrit, e quajtur ndryshe “Epoka e madhe Goldonia”. Kjo është komedia e karaktereve. Karl Goldoni me këtë komedi ndërtoi bazat e komedisë botërore të teatrit modern. Komedia do të shfaqet sot në mbrëmje, nesër dhe të dielën, por do të rikthehet sërish në fundjavat e ardhshme për publikun e qytetit bregdetar.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura