Arkivi i Filmit shfaq “Urën” jugosllave

May 18, 2011 | 9:06
SHPËRNDAJE

Muaji i kinemasë ballkanike në Arkivin Qendror Shqiptar të Filmit vijon projeksionin e ditës së mërkurë me filmin “URA” (Most), ish-Jugosllavi, prodhim i vitit 1969. Bëhet fjalë për një film aksion me regji të Hajrudin Krvavac, skenar të Djordje Lebovic, Predrag Golubovic, ku interpretojnë Velimir ‘Bata’ Zivojinovic, Slobodan Perovic, Boris Dvorni, Relja Basic, Sibina Mijatovic etj. Në mënyrë që të kontrollonin sulmin gjerman, partizanët dërgojnë një ekip ekspertësh minash për të hedhur në erë urën strategjike nga do të kalonin armiqtë. Përveçse ura ruhet mirë me ushtarë, ajo është edhe gati e pathyeshme dhe i vetmi njeri që e di pikën e dobët të konstruksionit të saj është arkitekti që e ka ndërtuar. Por sigurisht, arkitekti ngurron të bashkëpunojë, pasi nuk do të shohë kryeveprën e tij të shkatërrohet. Hajrudin Siba Krvavac është regjisori më i mirë i filmave aksion në ish – Jugosllavinë. “Ura” ishte goditja e tij e parë e madhe, e ndjekur tre vjet më vonë nga kryevepra e tij e famshme “Valteri mbron Sarajevën”(Valter brani Sarajevo). “Ura” është krejtësisht në stilin e Sibës: skena të mëdha lufte, shumë aksion dhe shumë shumë pak absurditete rreth komunizmit, gjë që ishte e zakonshme në filmat me tematikë mbi luftën, realizuar nga regjisorë të tjerë ish-jugosllavë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura