Arkitektët e triumfit/ Nga Marota tek Inzagi, tani të gjithë duan një cikël fitues

Apr 24, 2024 | 14:51
SHPËRNDAJE

Nëse një yll ndriçon, imagjinoni dy. Imagjinoni nëse ylli i dytë vjen në një derbi, në shtëpinë e Milanit. Interi këtë titull të 20-të të historisë e donte fort dhe e mori pasi e transformoi kampionatin në një monolog dhe duke thyer rekord pas rekordi. Ishte sulmi më i mirë, mbrojtja më e mirë, kishte në ekip golashënuesin e kampionatit.

inzagi marota

Një triumf i tillë ka lindur për shumë arsye. Duke nisur nga trajneri fillimisht. Simone Inzagi, nga kampionati që humbi me Milanin dy sezone më parë dhe deri më sot është rritur shumë. Ka arritur një kapacitet taktik të jashtëzakonshëm që kap ekzaltimin në ndeshjet direkte, por edhe në vazhdimësi. Nuk është më thjesht një trajner finalesh. Ka ditur që të dominojë një kampionat të gjatë dhe të komplikuar duke luajtur futboll me kualitet. U përshtat menjëherë në realitetin e klubit të tij, me të gjithë qenien e tij. Inzagi ka intuitë dhe inteligjencë, të cilat e kanë ndihmuar në momentet më të vështira për të përballur kritikat e shumta. Sepse në fund të fundit, Milano është një piacë kërkuese dhe me shumë presion.

Është aq shumë sa titulli i dytë nuk do të mjaftojë. Inzagi e di mirë këtë, por gjithashtu e di që edhe ai vetë mund të përmirësohet. Për shembull, në menaxhimin e të gjithave resurseve teknike që ka në dispozicion. Vitin tjetër, përveçse Interi duhet të rikonfirmohet në garën për titull duhet të ketë edhe objektiva të tjera si Champions-i dhe Botërori i Klubeve që kërkon ta luajë si protagonist. Një sezon i vështirë dhe i lodhshëm që do të nisë në gushtin e këtij viti dhe do të përfundojë korrikun e vitit 2025 në SHBA, me kompeticionin e ri të Botërorit të Klubit. Zikaltrit kërkojnë të rreshtohen në krye për ta tentuar këtë trofe. E thotë edhe emri: Internazionale.

KLUBI- Por titulli kampion është rezultat edhe i punës së jashtëzakonshme që ka bërë klubi. Kur fiton 2 tituj në 4 sezone me dy trajnerë të ndryshëm që nuk kanë lidhje fare me njëri-tjetrin në stil, do të thotë se klubi e ka bërë mirë misionin e tij. Historia e futbollit është e mbushur shumë me heronj rastësorë që shkruajnë ëndrra, por ciket fituese dhe sukseset që durojnë në kohë kanë një bazë dhe një strukturë të mirë e solide. Grupi i drejtuar nga Marota, Antonelo e Zaneti deri te Auzilio dhe Baçin e kanë rritur Interin, edhe pse në një kontekst aspak të lehtë. Sigurisht që ndryshimi epokal ndodhi me afrimin e Bepe Marotës. Me largimin e tij Juventusi humbi shkëlqimin, ndërsa Interi humbi çmendurinë… Ai bëri rrugën e kundërt të Italo Alodit, të cilin Xhani Anjeli e mori nga Interi i madh për të ndërtuar një Juventus protagonist për vite me radhë. Jo rastësisht Marota ka fituar 10 tituj kampionë në karrierë. Kush donte ta vendoste në vështirësi me Lukakun në fundin e merkatos së kaluar, në realitet i bëri thjesht një favor. Lautaro u shndërrua në një lider, Turam u zbulua partneri i tij ideal dhe grupi u pastrua nga tensionet dhe polemikat që e kishin shoqëruar në fundin e sezonit të kaluar.

Po tani? Pas 9 titujve radhazi të Juventusit, askush nuk ka ditur që ta përsërisë veten: Inter, Milan, Napoli dhe sërish Interi. Asnjë sukses nuk është transformuar në hegjemoni. Ndoshta do ta bëjë klubi i Zhangut. Shumëkush e konsideron të pamundur. Por prej kohësh, Interi është mësuar të luajë nën një trysni dhe një presion të madh me çështje ekonomike, kredi, fonde, gjyqe dhe tema të tjera që nuk kanë influencuar aspak. Stiven Zhang ka fituar 7 trofe, por nuk kënaqet. Interi e nis sezonin e ardhshëm favorit me skuadrat e tjera. Ka bërë lëvizje në merkaton hyrëse, por mbetet për t’u parë nëse do të ketë largime. Milani dhe Juventusi, antagonistët historikë kanë për detyrë që të rikuperojnë distancën teknike, ashtu siç duhet të ndodhë me një skuadër që ka tre yje në fanellë apo një tjetër që ka 7 Champions. Por ky Inter, nuk ka ndërmend të ndalet.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura