Arjan Konomi: Doja të shkruaja mbi legjendat që më kanë shtangur

Nov 22, 2017 | 15:39
SHPËRNDAJE

Gazetari Arjan konomi, më shumë sesa për ngjarje konkrete, ka shkruar për personazhet historike që e kanë frymëzuar, ndër vite. Janë emra që i njohim të gjithë, por që ndoshta nuk i kemi parë përmes kësaj optike… “Saga e jetëve legjendë” përfshin 6 emra të rëndësishëm për të cilët gazetari thotë se gjithnjë e kanë shtangur, qysh kur ka mësuar për sukseset, dhembjet o ambiciet e tyre.

“Për këtë libër, vendosa të bëj një përzgjedhje tjetër, krejt rastësore, personalisht timen, midis personazheve, jetën private dhe publike të të cilëve duhet të trajtoja në të. Dhe gjatë shkrimit të tij, nisur edhe nga moria e madhe e personazheve të rëndë- sishme të historisë njerëzore, disa herë ndërrova mendim duke u përpjekur të sjell te lexuesi një gamë sa më të larmishme profesionesh, si dhe një shtrirje kohore, të palimituar.

Asgjë nga ana kronologjike apo nga ajo tematike, nuk bashkon një personazh me tjetrin, përveç dy elementëve thelbësorë: janë njerëz, të cilët kanë ndikuar rrënjësisht në shoqërinë njerëzore duke shënuar momente drastike transformimi të saj në fusha të ndryshme, si në art, shkencë, histori dhe politikë. Dhe e dyta jam shtyrë nga fakti se janë jetë të pabesueshme për të qenë të vërteta, ku ambicia dhe lavdia përzihen me talentin dhe gjenialitetin e tyre, prandaj edhe pse në vetvete ato janë biografi të përmbledhura, unë kam dashur t’i quaj: jetë legjendë”, tregon Ikonomi.

Personazhet janë Winston Churchill, Katerina e Madhe, Albert Speer, Caravaggio, Maria Callas, Albert Einstein….Më gjerësisht, po sjellim sot Katerinën e Madhe dhe Callas… Katerina e Madhe, sundimtarja që e bëri Rusinë perandorinë më të fuqishme në Europë Katerina e Rusisë është një figurë madhështore sundimtareje, për atë çfarë arriti të realizojë në jetën e saj dhe për çfarë bëri për Rusinë, njeri me një erudicion mahnitës dhe iluministe në ide, që diti me shumë aftësi ta gërshetonte me despotizmin dhe pushtetin absolut, gjatë shekullit XVIII. Është një figurë shumë e komprometuar nga historiografia europiane, nisur edhe nga fakti se ka paraqitur kreun e ortodoksisë botërore e për rrjedhojë, është veshur me një ngjyrim negativ në Europën katolike e protestante duke u përpjekur të shohin vetëm anën e errët të saj e duke mos ngurruar ta etiketojnë një vrasëse, satrape dhe ninfomaniake.

Por, duke lënë në hije faktin se ishte sundimtarja më e kultivuar dhe më tolerantja nga tërë mbretërit dhe perandorët katolikë e protestantë të kohës së vet. Sundimtarja që e transformoi Rusinë nga një vend i parëndësishëm, ku anarkia ishte e përherë e pranishme, drejt formimit të një shteti të vërtetë dhe brenda një kohe të shkurtër, e shndërroi në perandorinë më të fuqishme europiane, e cila diktonte fatet e zhvillimeve politike në Europë e duke sjellë për pasojë, ndryshimin e vazhdueshëm të hartës së saj. Njëkohësisht, konsolidoi në fronin rus dinastinë e Romanovëve, e cila do të qëndronte në fuqi deri në shpërthimin e revolucionit bolshevik. Në figurën e Katerinës së Madhe, nuk ka kontribuar as historiografia ruse, e cila pas ardhjes në fuqi të bolshevikëve, është përpjekur, për motive ideologjike, të denigrojë në maksimum tërë carët që kanë sunduar në shekuj Rusinë.

Si mundi një gjermane të mbretëronte kombin, gjuhës së të cilit nuk i kuptonte asnjë fjalë? Çfarë e shtyu dhe si arriti një protestante praktikante të bëhej ikona e ortodoksisë botërore? Çfarë metodash adoptoi për të shkundur përgjumjen shekullore ruse? A ishte Katerina e Madhe një gjakatare? A ishte despotike apo iluministe? A ishte përparimtare apo obskurantiste? Çfarë roli pati ajo në fuqizimin e vendit? Si gërshetonte impulset seksuale me logjikën e akullt të drejtimit të shtetit? A ishte një ninfomaniake, apo e etshme për pasion dhe dashuri? Apo asnjëra nga këto? Maria Callas/ Përse nuk po përsëritet më magjia në skenë? Përzgjedhja ime pason me legjendën e muzikës lirike, figurën më madhështore, që skena botërore ka njohur ndonjëherë, greken Maria Kalas.

Talenti i jashtëzakonshëm dhe vullneti i hekurt në kërkim të suksesit, do ta shndërrojnë sopranon në një ikonë botërore, ku zëri i saj do të magjepsë publikun e skenave të të gjithë kontinenteve, me ariet e operave, të krijuara nga të mëdhenjtë e muzikës klasike, shumë prej të cilave ishin harruar arkivave, sepse nuk ekzistonte, prej më shumë se një shekulli, vokali i aftë për t’i interpretuar ato. Do të dinte me aftësi të rrallë, të shprehte cilësitë e një sopranoje dhe mexosopranoje, të këndonte brenda pak ditëve vepra, të cilat ishin të pamundura për t’u kënduar nga i njëjti zë, për cilësitë vokale të kërkuara duke u shenjtëruar, si më e madhja këngëtare që historia e muzikës kishte njohur dhe duke bërë publikun botëror të përshkohet nga ethet e të paturit mundësi, për të dëgjuar këtë zë të mrekullueshëm, apo qoftë vetëm për ta parë, për t’u dhënë mundësinë, që të thonë se një herë në jetë “isha edhe unë”.

Fati do ta donte, që ashtu si jeta e heroinave të operave, të cilat këndoi, do të kishte edhe jetën e saj duke mishëruar suksesin dhe dështimin, dashurinë dhe vuajtjen, mbushur me dëshpërim e melankoli, me gëzim dhe hidhërim, për ta shndërruar në një tragjedi të vërtetë njerëzore. Jeta artistike e një dive të skenës, por edhe jeta emocionale e një gruaje, shpirtit të së cilës nuk do t’i kursehet asgjë nga bukuria e të jetuarit, por edhe nga trishtimi i saj. Reaksioni, që jeta e saj private ka ngjallë në mediat botërore, nuk njeh precedentë, ku çdo detaj dhe çdo fjalë, do të mbushin titujt e faqeve të gazetave botërore duke shënuar fillimin e njëlloj gazetarie të re, të panjohur për kohën, që është ajo e gosipit.

Miliona lexues në mbarë botën do të përpijnë me një interes të jashtëzakonshëm çdo element jetësor të artistes, nga marrëdhëniet familjare, te recetat e ushqimit, nga karakteri i saj i vështirë deri te dashuritë e pamundura duke rreshtuar skandale të njëpasnjëshme, në të cilat nuk kuptohet se ku mbaron e vërteta dhe fillon legjenda. Arrogante dhe kapricioze, por e brishtë dhe e dobët emocionalisht, Maria Kalasi do të dëshmojë në skenë edhe një komponent tjetër të talentit të saj magjik, të pandeshur në skenë më parë, interpretimin dramatik të operës, që do të drithërojë publikun e shashtisur.

Dashuritë e saj do të kulmohen me pasionin ndaj miliarderit grek Aristotel Onasis, marrëdhënie, që do të jetë aq sa e bukur, edhe e trishtë. Por cila është artistja Maria Kalas? Çfarë magjie ushtroi ajo ndaj publikut? Pse kjo magji nuk përsëritet më në historinë e skenës? Cila është femra Maria Kalas? Pse dashuritë e saj ishin dashuri të pamundura? Çfarë shije ka suksesi dhe dështimi? Çfarë krijon në shpirt lumturia dhe hidhërimi? Sa shekuj duhet të kalojnë, për të njohur skena një mit të këtyre përmasave?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura