Arian Çani luan me jetën e VIP-ave në “Zonën” e fundit për këtë verë

Jul 4, 2015 | 14:15
SHPËRNDAJE


Edhe këtë fund sezoni, një show ekztaltues u realizua nga Arian Çani në “Zonë e Lirë”, ku të ftuarit e tij ishin 16 personazhe të spikatur VIP, miq të emisionit. Duket se moderatori i njohur është lodhur nga pishinat, në të cilat na ka ofruar show-n e tij çdo verë, ndaj kësaj here kishte ideuar studio në qiell të hapur, në oborrin e televizionit.

Por nëse të premtet e zakonshme janë me të ftuarit që sjellin të rejat apo ekskluzivitetet në studion e tij, kësaj here Çani kishte ideuar skenar surprizues, për një natë vërtet speciale. Madje, për show-n me balerinat dhe modelet e agjencisë “Icon”, ai kishte ftuar në bashkëpunim koreografin Arian Sukniqi, në mënyrë që gjithçka të ishte sa më profesionale.

Dhe risia e këtij edicioni ishte një “bio-test” special, që Çani kishte përgatitur për njerëzit më aktivë të ekranit momentalisht, duke testuar ata se sa janë të informuar për detaje nga jeta e tjetrit. Për këtë lojë, që realizohet për herë të parë në ekranin shqiptar, Çani kishte bërë një përmbysje të shprehjes që dëgjojmë shpesh: “Mos luaj me jetën e tjetrit!”. Këtë e kishte kthyer në titullin e testit biografik për personazhet e njohur, me titull “Luaj me jetën e tjetrit!” Për këtë sprovë televizive, i kishte ndarë 16 personazhet VIP në 8 çifte femërmashkull.

Ata duhet të gjenin përgjigjen e saktë mes katër opsioneve, që Çani jepte “live” për jetën e tyre. Duket se për këtë emision kishte mbledhur shumë informacion për jetën e secilit, aq sa dhe vetë personazhet mbetën të çuditur. Në fillim Çani krijoi dy grupe VIP-ash, një me femra dhe tjetrin me meshkuj, të cilët pastaj i çiftoi sipas preferencave të tij.

Mes personazheve të njohur që morën pjesë në spektaklin e fundsezonit, ishin: Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Baton Haxhiu, Eni Çobani, Adrian Gaxha, Oriela Nebiaj, Klea Huta, Ema Andrea, Gjon Karrica etj. Por jo më pak se “gjithçka në ekran” ishte show pas kuintave, ku paparazzi ynë arriti të kapte momente të veçanta mes të ftuarve që u argëtuan deri pas mesnate.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura