Aplikimet për studimet në Itali, dokumentet e pararegjistrimit

Mar 31, 2014 | 12:47
SHPËRNDAJE

Ambasada italiane në Tiranë ka publikuar udhëzimin me procedurat e regjistrimit që duhet të ndjekin të rinjtë shqiptarë për të vijuar studimet e larta në universitetet italiane. Në një udhëzim sqarohet se fillimisht maturantët duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit “Prenoto online” të faqes së saj në internet, duke zgjedhur shërbimin “regjistrimet universitare”. Më pas, të rinjtë duhet të paraqitën personalisht në datën e takimit me dokumentacionin e nevojshëm. Në këtë të fundit, së pari përfshihet formulari i regjistrimit, i cili duhet të jetë i plotësuar, por i pafirmosur. Ambasada sqaron se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare; formulari i autentikimit të fotografisë. Dokumenti tjetër që nevojitet për pararegjistrim është Dëftesa e Pjekurisë dhe certifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose kopje e njëjtë me origjinalin). Studentët që nuk zotërojnë më dëftesën origjinale duhet të dorëzojnë një vërtetim me rezultatet e të gjitha viteve bashkë me ato të maturës. Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme, që do të marrin dëftesën në verën e 2014-s, do të paraqesin një fotokopje të palegalizuar të formularit A1 me të cilin janë regjistruar online për provimet e maturës 2014. Lista e dokumenteve vijon me certifikatën e njohjes së gjuhës italiane të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), Universiteti për të Huajt i Siena-s (CILS), Universiteti Roma 3, Shoqata “Dante Alighieri” ose nga Instituti Italian i Kulturës. Gjithashtu kërkohet fotokopja e pasaportës, dy fotografi për dokument, si dhe moduli i regjistrimit me kod, të shkarkuar nga portali www.universitaly.it, i cili vërteton regjistrimin, ekskluzivisht për studentët që duan të marrin pjesë në provimet e pranimit për degët me numër të mbyllur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura