Apeli “rrëzon” qeverinë, turku nuk ekstradohet. Ministria e Brendshme i refuzoi azilin, Simsek nisi betejën në gjyq

Feb 26, 2021 | 10:14
SHPËRNDAJE

Gjykata Administrative e Apelit vendosi ditën e djeshme që vendimi i Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë dhe Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët që i kishin refuzuar shtetasit turk Selami Simsek të drejtën për azil në Shqipëri, të rrëzohet dhe i detyron këto institucione të pranonin kërkesën për azil.

Selami Simsek

“Ndryshimin e Vendimit Nr.3431 Dt.21.12.2020 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë; Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë; Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Vendimit Nr.08 Dt.09.03.2020 të Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme dhe Vendimit Nr.18 Dt.10.09.2020 te Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët,” shkruhet në dispozitivin e vendimit të Gjykatës. Selami Simsek u arrestua në muajin korrik të vitit të kaluar me një vizë kanadeze false në Rinas, së bashku me mësuesin Harun Çelik.

Ata pretenduan se po arratiseshin pasi përndiqeshin nga Turqia si pjesë e lëvizjes së klerikut Fetullah Gylen. Pas kësaj, autoritetet Shqiptare dëboi shtetasin turk Harun Çelik, pavarësisht thirrjeve të tij në kërkim të azilit. Çelik u burgos menjëherë sapo mbërriti në Turqi, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” raportoi se ai ishte kapur në një operacion ku ishte përfshirë dhe shërbimi sekret turk, MIT.

PROCESI NDAJ SELAMI SIMSEK

Ndërkohë, në vendin tonë vijoi betejën Selami Simsek. Ndaj tij nisën proceset gjyqësore, ku vetëm dje arriti të fitonte atë që ai ka kërkuar për muaj të tërë, azilin. Në një proces të ndarë gjyqësor, Selami Simsek u dënua më 27 janar nga Gjykata e Tiranës me një vit e gjysmë burg, ndërsa përfitoi uljen e një së tretës së dënimit për shkak se pranoi fajin dhe shprehu pendesë.

Ai u lirua nga burgu pasditen e 9 marsit 2020 dhe u shoqërua nga Policia te Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Laprakë, ku bëri kërkesën për azil. Kjo kërkesë iu refuzua, por për disa muaj vendimi nuk iu njoftua as avokatit dhe as vetë Simsek.

Në shtator 2020, në një vendim kontrovers të kundërshtuar nga përfaqësuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, edhe Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët vendosi me shumicë refuzimin e kërkesës për azil bazuar kryesisht mbi procedurë. Simsek e kundërshtoi këtë vendim në Gjykatën Administrative, por në Shkallën e Parë u la në fuqi vendimi i autoriteteve në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Rasti i Simsek dhe bashkudhëtarit të tij të dëbuar, Harun Çelik ka nxitur hetime për akuza të rrëmbimit të personit dhe zhdukjes nga një grup i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndalimet Arbitrare, i cili i dërgoi Shqipërisë një listë pyetjesh në maj të vitit të kaluar.

EKSTRADIMI

Mbështetësi i lëvizjes “Gylen” e ka ankimuar vendimin në fund të muajit tetor 2020, nëpërmjet të cilit i është refuzuar kërkesa për azil politik në vendin tonë, ku drejtoria e Azilit dhe Shtetësisë argumenton se ai nuk përmbush kriteret si azilkërkues.

Më herët, nëpërmjet një dokumenti drejtuar Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët pranë Ministrisë së Brendshme, mësuesi turk kërkonte pezullimin e vendimit, duke mos lejuar asnjë veprim për dëbim nga territori i vendit tonë.

Simsek thoshte në kërkesë se vendimi për refuzimin e azilit nuk i është komunikuar në rrugë zyrtare dhe këtë e konsideron shkelje të rëndë të të drejtave të tij, pasi argumenton se në këtë mënyrë po i mohohet e drejta për ta goditur në rrugë gjyqësore për sa kohë e konsideron të padrejtë.

Si u dëbua turku Harun Çelik nën britmat e kërkesës për azil

Më 1 janar 2020, pas gati pesë orësh pritje në të ftohtë për lirimin e mësuesit Harun Çelik nga Burgu 302 në Tiranë, një duzinë personash, shumica turq që jetojnë në Shqipëri, u bënë dëshmitarë të një operacioni të Policisë së Shtetit, pa mundur të pengojnë dëbimin e tij si “pako postare” drejt Turqisë.

Në vend të lirimit, 42-vjeçari Çelik u ngjit në një fuoristradë policie në Burgun 302 për t’u dërguar fillimisht në Ambasadën turke në Tiranë, më pas në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit dhe në fund në aeroportin “Nënë Tereza”. E gjithë skena zgjati më pak se katër orë në një ditë feste dhe pushimi në Tiranë, duke lënë pas një mori pikëpyetjesh mbi ligjshmërinë e dëbimit, motivet dhe shkeljen e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga Shqipëria.

Ai filloi të bërtiste azil-azil dhe nuk pranoi të hipte në makinë. Dy policë e kapën nga krahët dhe e kthyen sërish brenda në polici. Kur e morën kështu, i ranë këpucët në tokë”, ka treguar një dëshmitar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura