Ansi Agolli: Jeta ime jashtë futbollit dhe lidhja 8-vjeçare me Rean

Apr 22, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Ansi Agolli dhe e fejuara e tij, Rea
Azerbajxhani është vendi ku ai po jeton prej pesë vitesh, por me Shqipërinë ka lidhje shumë të fortë. Mbrojtësi i majtë i Kombëtares sonë u prit si hero në Baku, pas fitores me Armeninë. Dhe si një futbollist që ngre peshë zemrat e tifozëve të tij, tashmë bën jetën e një kampioni të vërtetë, loja e të cilit në fushë pritet me padurim dhe entuziazëm. Por, përveç distancës me Tiranën, ai flet edhe për një tjetër distancë të bukur, atë të dashurisë së tij me Rean, e cila ndjek studimet në SHBA. Për herë të parë Ansi rrëfen për lidhjen e tij 8-vjeçare me vajzën nga Tirana, që i ka rrëmbyer zemrën.     
Shumë i famshëm si futbollist i Kombëtares sonë, ndërkohë që jeton në Baku. Si është jeta jote në vendin e largët?
Për profesionin e futbollistit, jeta në çdo qytet ku ndodhesh është pak a shumë e njëjtë. Kohën më të madhe të ditës ta merr skuadra me stërvitjen dhe regjimin që duhet të ndjekësh. Baku është një qytet i mrekullueshëm, që zbukurohet dita-ditës me ndërtime të reja. Në kohën e pushimit, një darkë me shokun tim të skuadrës Admir Teli është më se e mjaftueshme.

Po me jetën private si i ke punët? Për dashurinë që mban në zemër, ç’mund të na tregosh?
Unë kam një jetë shumë të lumtur me partneren time, Rea. Jemi njohur para tetë vitesh dhe kemi 5 vite të fejuar. Jeta ime private deri tani është më se e plotësuar dhe po aq e lumtur. Ndihem vërtet me fat për njeriun që kam në krah.
Keni planifikuar ceremoni dasme apo bëni pjesë tek ato çifte që nuk e quajnë të domosdoshme?
Rea është nga Tirana, 26 vjeç, dhe ndjek studimet në New York (SHBA), ku jeton bashkë me familjen. Unë jam në aktivitet gjithë kohës dhe kjo është arsyeja pse e shohim pak të vështirë që ta organizojmë ceremoninë e dasmës tani për tani. Për ne, me rëndësi është që jemi të dy të lumtur, pastaj dasma mbetet thjesht një procedurë. Me pak fjalë, po presim momentin e duhur për organizimin e ceremonisë, i cili kam besimin që nuk do të vonojë shumë.
Ti jeton në Azerbajxhan dhe Rea në Amerikë. Është e vështirë për ju ta mbani kaq të fortë lidhjen në distancë?
Nuk mund ta mohoj që në fillim ka qenë mjaft e vështirë për ne, por me kalimin e kohës jemi mësuar. Komunikojmë pothuajse gjithë ditën, plus që ajo vjen këtu në Baku (Azerjbaxhan), sa herë ka pushimet e universitetit. Në këto momente që po flasim, ajo ndodhet me mua këtu për tetë ditë, pasi kishte përfundimin e semestrit. E rëndësishme është që, pavarësisht se jemi në largësi, ne po jetojmë një lidhje shumë të bukur. Plus dhe lidhjet familjare që kemi, janë të shkëlqyera. Në periudhë pushimesh ajo vjen në Baku, në maj kur mbaron kampionati, ose në muajin dhjetor. Ose ka raste kur pushimet i bëjmë jashtë Shqipërisë, në mënyrë që të jemi sa më afër njëri-tjetrit.
Çfarë të pëlqen më shumë te Rea?
Sinqeriteti që ka, është ajo që më pëlqen më shumë te Rea. Me kalimin e kohës zbulova që ka dhe një ego të madhe, sidomos kur bëhet fjalë për të studiuar. Këtë e kanë treguar dhe rezultatet e shkëlqyera në shkollë.
Po plane për fëmijë keni bërë deri tani?
Normalisht që kurorëzimi i dashurisë janë fëmijët. Kemi plane dhe shumë dëshirë për t’i realizuar, por do presim dhe pak, se aktualisht janë angazhimet tona, unë me sportin dhe Rea me shkollën. Te ne futbollistët ose duhet t’i realizosh këto gjëra para se të bëhesh profesionist, ose pasi të lësh profesioin. Futbolli është sport shumë i bukur, të jep emocione, por edhe të privon nga gjërat e tjera. Ose, më saktë, nuk të lë kohë të bësh llogari.
E keni vendosur se ku do ta keni shtëpinë tuaj, ku do ta krijoni familjen?
Është pak herët për ta deklaruar se ku do të jetojmë si çift, por mendoj se midis Amerikës dhe Shqipërisë jemi. E rëndësishme për momentin, siç e thashë, është që po jetojmë një lidhje të lumtur.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura