Ankimimet për zgjedhjet/ PD e LSI, thirrje Komisionit të Ankesave para se të marrë vendimin

May 15, 2021 | 8:48
SHPËRNDAJE

Zgjedhjet-25-prilli-numerimi-25-621x450

MARIGLEN KUME/ Drejtuesi politik i qarkut të Beratit për PD-në, Tomor Alizoti, të premten deklaroi se KAS nuk duhet të mohojë të drejtat për transparencë të zgjedhjeve.

Në një deklaratë për mediat, Alizoti theksoi se zgjedhjet nuk duhen njohur dhe nuk do të njihen, pasi në këto zgjedhje u përfshinë krimi i organizuar, aparati shtetëror, blerja masive e votës dhe punësimi sezonal. Sipas tij, është për t’u çuditur që mandati i LSI-së u nda vetëm për 77 vota, ndërsa 5,292 vota u shpallën të pavlefshme.

“Të zgjedhësh do të thotë të jesh i lirë dhe të jesh i lirë do të thotë të jesh i pavarur. Zgjedhjet e 25 prillit nuk plotësuan asnjë kusht për të qenë zgjedhje. Në këto zgjedhje u përfshi krimi i organizuar, aparati shtetëror, blerja masive e votës, punësimi sezonal. Përveç blerjes së votës në mënyrë masive, PS në Këshillin e saj Bashkiak vendosi të përdorte edhe fondin që ishte caktuar për tërmetin. Punësoi njerëz dhe kërcënoi njerëz me përjashtime nga puna.

Madje, nga përvoja personale në terren, kapja e fugonit, pas shumë lajmërimesh, pas shumë shpërndarjesh parash dhe ndihmash në terren, arritëm ta shikonim me sytë tanë shpërndarjen e ndihmave, të rezervave të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë, thjesht për të devijuar vullnetin e popullit shqiptar, për të devijuar vullnetin e votuesve të Beratit. Po ashtu është për t’u habitur dhe për t’u çuditur që mandati i LSI-së u nda vetëm për 77 vota, ndërsa 5292 vota u shpallën të pavlefshme.

93 mijë vota u shpallën të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë. 83 mijë njerëz në shoqërinë shqiptare u mohuan. Vota e tyre, e drejta e tyre për të votuar, nuk u mor në bazë. KQZ-ja, e cila është përgjegjësja, nuk ka asnjë të drejtë të mohojë këto fakte të prekura, të para në terren, të dokumentuara, të provuara.

Atëherë, kjo tregon që është pjesë dhe palë dhe kurrsesi nuk mund të jetë arbitër i këtyre zgjedhjeve, derisa ajo bëhet palë”, tha Alizoti.

LSI Ndërkohë, drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela, i cili për 77 vota fiton mandatin e deputetit duke ia hequr Partisë Socialiste, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24”, deklaroi se qytetarët do të dëgjojnë çudira për parregullsitë në zgjedhje. Çela u shpreh se në Qarkun e Beratit në disa qendra votimi nuk ka pasur as pajisje elektronike dhe as firma tradicionale për votuesit, duke mos e ditur kështu se kush ka votuar.

“Do dëgjoni çudira. Ka pasur parregullsi të jashtëzakonshme në zgjedhje. Ka probleme me votimin në qarkun e Beratit, disa QV të pavlefshme. Ne kemi kërkesën se ka parregullsi në zgjedhje dhe kemi kërkesën gjithashtu edhe për rezultatin final. Janë konstatuar shumë probleme si blerja e votës, deri te rastet konkrete për parregullsi në qarkun Berat. Mund të ndodhë edhe që pajisja elektronike të mos punojë. Mungon edhe nënshkrimi manual në listën e zgjedhësve, ne nuk dimë se kush ka votuar aty. Disa qendra të votimit në Berat janë të pavlefshme. Në Ullinjas, komisioni ka shtuar votues. Duket qartë se në kuti janë futur duart, e prandaj rezultati i kutisë nuk mund të merret për bazë. Edhe në Urën Vajgurore ka probleme. Ju thashë se do dëgjoni çudira, ku një fletë e quajnë të përdorur dhe një të papërdorur”, tha Çela. Ardit Çela nënvizoi se Shqipëria nuk duhet kurrsesi që të kthehet në standardin e para 20 viteve, kur kutitë mbusheshin me vota.

Kushtetuesja rrëzon padinë e Konservatorëve për zgjedhjet lokale

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos kalojë në seancë plenare kërkesën e Partisë Konservatore për shfuqizimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Gjykata Kushtetuese thekson se “për legjitimimin e partive politike, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se mundësia e tyre për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues ekziston kur ato kundërshtojnë dispozitat e akteve normative, të cilat cenojnë statusin e tyre kushtetues dhe, bashkë me të, edhe pjesëmarrjen e tyre në ushtrimin e vullnetit shtetëror.

Të tilla mund të jenë aktet që përcaktojnë deklarimin e pasurive, financimin e tyre nga shteti ose subjekte të tjera, dhënien e shansit të barabartë të gjitha partive për të marrë pushtetin, mënyrën e organizimit dhe të ushtrimit të veprimtarisë së tyre politike, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe në periudhën midis tyre”.

Padia e Partisë Konservatore u shqyrtua nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, kryetare; Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sonila Bejtja, Përparim Kalo, anëtarë. Kreu i Partisë Konservatore Shqiptare, Kujtim Gjuzi, kërkonte shfuqizimin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore të mbajtura më 30 qershor 2019, duke i cilësuar si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Duke iu referuar parashtrimeve të kryetarit të Partisë Konservatore, gjyqtarët kanë konstatuar se kjo parti është regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet vendore, duke marrë pjesë dhe nuk ka kundërshtuar rezultatin e tyre.

Mbledhja e gjyqtarëve vlerëson se partia e Kujtim Gjuzit nuk legjitimohet, pasi nuk provon interesin e saj të drejtpërdrejtë në kuptim të normave dhe standardeve kushtetuese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura