Anjeza Shahini: Surpriza ime në “Top Fest” për të parën herë

Feb 26, 2011 | 13:41
SHPËRNDAJE

Është hera e saj e parë në tetë vite “Top Fest”. Nuk merr pjesë e vetme, por me një bandë prej 10 orkestrantësh, 9 djem dhe një klarinetiste femër, pikërisht kosovarët e bandës shumë të pëlqyer në Kosovë “Zig Zag Orchestra”.Anjeza Shahini tregon për këtë bashkëpunim të ri, ku do të këndojë këngën “Ti dhe unë” në një garë që pritet të jetë e fortë:
Anjeza, kohët e fundit është folur se udhëton shpesh drejt Kosovës. Ka ndonjë arsye personale, pasi nuk të kemi parë të jepni koncerte atje?
(qesh) Në fakt po. Dhe arsyeja është se unë në Kosovë kam udhëtuar këto kohë për të realizuar këngën më të re në bashkëpunim me grupin “Zig Zag Orchestra”, një këngë me të cilën unë marr pjesë për herë të parë në “Top Fest”.
Si ndodhi ky bashkëpunim, keni kohë që njiheni me artistët e “Zig Zag Orchestra”?
Me djemtë e “Zig zag Orchestra” jemi njohur pak kohë më parë në “Netët e Klipit” në Tiranë, dhe më vonë jemi takuar në Kosovë. Deri tani ata njihen me këngën “Jorgjica”, por  realisht në Kosovë e jashtë pëlqehen shumë. Unë jam nga ata persona që u kam thënë: “hajde investoni në Shqipëri, pasi kam parë nga afër suksesin e tyre të jashtëzakonshëm në një recital në sheshin 21 në Prishtinë, ku mbeta shumë e mahnitur. Më pas, menduam që pse të mos reaqlizojmë një këngë së bashku për “Top Fest 8” dhe e vendosëm. Tashmë kënga është gati.
Mund të zbulosh detaje për këngën, si do të jetë performanca juaj skenike?
Kënga titullohet “Ti dhe unë” dhe është një krijim i liderit të “Zig Zag Orchestra”, Dren Abazi. Krijimi më është përshtatur shumë mua vokalisht bazuar në vargje të bukura të shkruara nga një artiste e njohur në Kosovë, Antigona Qena. Përsa i përket perfomancës, nuk dua të zbuloj detaje, por  mund të them deri tani se do të ngjitemi në skenën e “Top Fest 8” plot 11 vetë, unë dhe 10 artistët e bandës.
Pas Festivalit të Këngës në RTSH 2009, merr pjesë në 2011 në një garë këngëtarësh siç është « Top Fest”. Pse?
Në fakt u thashë « stop » dy festivaleve « Kënga Magjike » dhe « Festivali i Këngës në RTSH » për të marrë pjesë pikërisht në “Top Fest 8”. Unë realisht kisha dëshirë të merrja pjesë vitin e kaluar në këtë festival, por nuk e gjeta këngën që dëshiroja dhe në këto raste e kam parim timin që nëse kënga nuk më përshtatet preferoj të mos marr pjesë fare në një garë. Vendosa të konkurroj në « Top Fest » për faktin se edhe pse e ka pasur gjithmonë shkëlqimin e vet, edicionin e kaluar më ka pëlqyer shumë elementi i ri «live». Po ashtu, bashkëpunimi me “Zig-zag Orchestra” më ngjiti për t’i thënë po Top Festit, ndërkohë që e shoh si një skenë, ku unë marr pjesë për të performuar dhe për t’u kënaqur.
Në 2010 larg garave muzikore, po si ka qenë ky vit në angazhimet e tua të tjera në muzikë?
Edhe pse mund të kem munguar në ekran, për mua viti 2010 ka qenë vit shumë intensiv. I jam përkushtuar të kënduarit “live” në klabe, angazhim që më parë e kam bërë disi me rezerva. I kam dhënë prioritet gjatë vitit 2010 dhe përveç Tiranës kam kënduar me bandën time edhe në qytete të ndryshme. Të kënduarit “live” më ka dhënë kënaqësi, pasi të rrit profesionalisht dhe të bën të praktikosh të kënduarit “live”,  që është shumë e vështirë. Kështu them se kam qenë më pranë publikut sesa teleshikuesit, edhe pse nuk kam munguar në programe televizive ku kam qenë e ftuar. Ky vit, po ashtu, ka qenë i rëndësishëm për mua, pasi u diplomova në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Tashmë jam duke menduar për masterin sepse është një degë që më pëlqen shumë, dhe që do ta vazhdoj gjithsesi.
Konkurroni në Top Fest 8 me një këngë dashurie. Ku e kaluat Shën Valentinin, dhe a ekziston një njeri special në jetën tënde?
Po përgjigjem në mënyrën time duke thënë se deri tani unë nuk i kam dhënë prioritet dashurisë në jetë. Ndërsa Shën Valentini më gjeti në avion, ndërsa kthehesha nga një koncert shumë i madh në Koko Camden Theatre në Londër, që u organizua një ditë përpara festës së Shën Valentinit. Në avion e kalova e vetme fare, por rastësisht në shoqërinë e pasagjerëve shumë të këndshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura