“Anjeza nuk u zgjua”/ Zogaj rrëfen për romanin: Subjekti që s’shkruhet bukur, lind i vdekur ose vritet…

Dec 23, 2019 | 14:47
SHPËRNDAJE

preci

SKËNDER KARRIQI*

Mes poetit, prozatorit, publicistit, Preç Zogaj ka zgjedhur kohën e duhur për t’u shfaqur herë si poet, herë si prozator, e herë si dëshmitar i kohërave. Së fundi, ai vjen përpara publikut me romanin “Anjeza nuk u zgjua”, një histori e vendosur në vitet ’80, kur shumëçka që sot janë natyrale, asokohe ishin të ndaluara. Kështu mund të ishin edhe dashuritë. Por më shumë se për Anjezën dhe historinë e saj tragjike, gjatë një interviste, Zogaj rrëfen për raportin mes prozës dhe poezisë, nevojës për të kaluar sa nga njëra te tjera, për arsyet pse duhet lexuar romani i tij, ndonëse për temën e dashurisë së penguar në kohën e diktaturës është shkruar jo pak.

Në “Historia e Letërsisë Shqiptare”, Tiranë-Pejë, 1997, Robert Elsie ju cilëson “… tregimtari dhe poeti Preç Zogaj”. Sipas këtij rendi, fillimet tuaja letrare mbase lidhen me prozën e shkurtër. Ndërkohë, poezia duhet të flinte diku aty, për t’u sendërtuar si vepër e së ardhmes suaj letrare, e cila, në fund të fundit, do t’ju identifikonte si poet. Pse një shkrimtar lëviz nga poezia te proza dhe anasjelltas? Në qoftë se kjo është një nevojë e shprehjes, ç’do të thoshit ju, si ta kuptojmë atë?

Unë i përkas atij grupi shkrimtarësh që ka lëvruar paralelisht, që prej fillimeve të veta letrare, poezinë dhe prozën. Deri në vitin 1997, kur studiuesi i ndjerë, Robert Elsie, ka bërë përcaktimin që cituat ju, unë kam pas botuar pesë libra në prozë dhe pesë libra me poezi, pra edhe statistikisht, Elsie është korrekt. Që prej fillimit, kritika, shtypi kulturor, kolegët shkrimtarë dhe një pjesë e lexuesve më kanë vlerësuar më shumë librat me poezi. Vetvetiu ky mjedis më shtynte dhe më mbante në korsinë e poezisë. Dhe në fakt, pas vitit 1999, librat e mi me poezi parakalojnë ato në prozë. Përgjatë pesëmbëdhjetëvjeçarit që pasoi, kam botuar gjashtë vëllime të reja poetike dhe dy romane, “Kufiri” dhe “Gjyshi i tmerrshëm”. Po gjatë kësaj kohe kam shkruar e botuar pjesën më të madhe të kolanës me libra publicistikë për tranzicionin. Por poezia ka vijuar të më identifikojë si krijues, duke më dhënë shumë gëzim, do thosha. Edhe dy çmimet kombëtare, i kam marrë me libra poetikë. Botimet e mia kryesore në gjuhë të huaj janë gjithashtu dy përmbledhje poetike në frëngjisht (Terre sans kontinent – Tokë pa kontinent) dhe në anglisht (Occurrance on earth – Ngjarje në tokë). Në lidhje me pyetjen pse një shkrimtar lëviz nga poezia te proza, do thosha se në rastin tim, pikësëpari, kjo lidhet me raportin nistor me letërsinë, me fillimet e mia letrare. Duke lexuar libra në prozë e në poezi, i kam parë të pandara, dhe nëse librat të shtyjnë të shkruash, siç pohohet gjerësisht, atëherë kuptohet se këtë e bëjnë njëlloj proza dhe poezia. Më tej, është natyra e brendshme e autorit, sikurse janë edhe rrethanat e jetës së tij, që përcaktojnë qoftë përzgjedhjen, qoftë kalimin nga njëra formë e shprehjes në tjetrën. Poeti lind, në kuptimin e predispozitës apo të qenit bir i muzës. Edhe prozatori lind, sipas të njëjtit kuptim. Por proza kërkon si rregull një regjim pune të ndryshëm nga poezia. Proza kërkon njohuri të sakta për temat e subjektit, proza të kërkon në tryezën e punës me muaj e vite. Pastaj është edhe vetëdija e të realizuarit si krijues. Ka që ndihen të realizuar vetëm përmes poezisë dhe mund të jenë vërtetë të realizuar, ka të tjerë që ndjejnë nevojën të shkruajnë subjekte dhe trajtesa që vetëm proza i mundëson. Nganjëherë më shkon mendja se vështirë të ketë prozatorë të rëndësishëm që nuk kanë shkruar poezi. Nga ana tjetër, po të kishin pasur kushtet e duhura, shumë poetë që kanë shkruar vetëm poezi, do të kishin shkruar prozë gjithashtu. Koha vjen një ditë, por vjen kur është duke mbaruar.

Gjithsesi, në lidhje me këtë çështje, çdo përvojë është njëfarësoj unikale.

Ju njiheni si poet, por edhe si publicist, analist e prozator. Kur në një bisedë të shkurtër telefonike ju përmenda një novelë tuajën të fundit të viteve ’80, “Vjeshtë në Ujastër”, ju më thatë, jo pa entuziazëm, se edhe romani juaj i fundit “Anjeza nuk u zgjua” mbart të njëjtën frymë. Në ç’kuptim dy vepra, të shkruara në kohë cilësisht të ndryshme (fundi i shek. XX dhe fillimi i shek. XXI) mund të kenë të njëjtën frymë?

Në princip jo vetëm dy libra të të njëjtit autor, por edhe të autorëve të ndryshëm, që kanë jetuar në kohë të ndryshme, madje të largëta, mund të kenë shumë pika takimi. Tandemi Gogoli-Kafka është vetëm një prej shembujve të shumtë që mund të sillen. Në rastin që po përmendi ju, për aq sa thotë një batutë spontane në një bisedë telefonike, mund të pohoja se vijimësia apo ngjashmëritë mes novelës “Një vjeshtë në Ujastër”, botuar në fund të viteve tetëdhjetë dhe romanit “Anjeza nuk u zgjua”, shfaqen në ekzigjencat e mia estetike për të shkruar në një mënyrë që të japë kënaqësi, mundësisht. Një subjekt që nuk shkruhet bukur, lind i vdekur ose vritet si letërsi. Lidhur me këto ekzigjenca, është edhe prirja ime për t’i lënë ngjarjet dhe marrëdhëniet të marrin jetë në dinamikën e tyre të gjallë dhe të rrjedhin në logjikën e tyre të brendshme, pa ndërhyrje, pa telekomandim, le ta themi kështu. Se sa ia kam arritur, është tjetër gjë.

Mendoj se romani juaj “Anjeza nuk u zgjua” nuk zë vend te lexuesi si një roman ngjarjesh (termi i Edvin Mjur), pasi në këtë horizont kulturor që jetojmë dhe përjetojmë, ngjarje të tilla subjektore janë mjaftueshëm, për të mos thënë të konsumuara, po themi të lexuara dhe të rilexuara, të para dhe të ripara në forma invariante. A mendoni se romani juaj në fjalë, mund të perceptohet, lexohet dhe shijohet nga lexuesi i niveleve të ndryshme, si roman personazhesh (edhe ky term i Edvin Mjur), ku ngjarja (invariante) është në funksion të personazhit dhe jo anasjelltas? Në fund të fundit, si e mendoni raportin e romanit tuaj me lexuesin? Pse duhet lexuar ky roman?

Unë do të isha i kënaqur me vlerësimin tuaj se “Anjeza nuk u zgjua” mund të perceptohet e shijohet si një roman personazhesh. Ju falënderoj për këtë. Por me lejoni të shtoj se mund të perceptohet, sipas meje, edhe si roman ngjarjesh, gjithashtu. Pas vitit 1990 janë shkruar e shkruhen shumë e shumë libra, që i marrin subjektet nga periudha e komunizmit. Por nuk janë njëlloj. Dua të them se brenda një tipologjie ngjarjesh, siç janë për shembull ato të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar në Shqipëri, apo të viteve tridhjetëdyzet në Itali, ka gjithmonë histori të reja, ka kombinime, ka detaje, ka nuanca që i japin subjektit mëvetësi dhe origjinalitet, në kuptimin që lexuesi të gjejë aty gjëra që nuk janë thënë e nuk janë treguar ndonjëherë. Të njëjtën gjë mund ta them për romanin tim. Subjekti na çon në vitet tetëdhjetë, ngjarjet nuk mund të mos jenë ato që kanë ndodhur, ose mund të ndodhnin në mjedisin politik, shoqëror, ekonomik dhe kulturor të asaj kohe. Por brenda ombrellës së madhe ka linja, episode dhe detaje, që nuk janë shkruar ndonjëherë.
Ngjarjet si tipologji e përgjithshme janë më pak se librat, apo jo?
Larminë e librave e përcakton larmia dhe origjinaliteti i trajtimeve. Kam vënë re se jo pak libra i trajtojnë subjektet nga periudha e para viteve nëntëdhjetë, në një mënyrë skematike. Mjaft të sjell një dukuri që besoj se u ka rënë në sy: personazhet negative të letërsisë që shkruhej përpara nëntëdhjetës janë sot personazhe pozitive dhe anasjelltas, personazhet pozitive të asaj kohe, janë negative. Atëherë ishin kërkesat e metodës së realizmit socialist, sot vihet re i njëjti skematizëm, që vjen nga konformizmi i kthyer përmbys. Këto nuk kanë lidhje me letërsinë. Për të njëjtat ngjarje apo tema, garën e fiton libri që ngrihet në lartësinë e artit. Ngjarja artistike e sfumon ngjarjen reale. Ndaj them se pavarësisht ndarjes për arsye studimore “letërsi personazhesh” dhe “letërsi ngjarjesh”, këto, në rastin kur vepra është e mirë, qëndrojnë në një unitet, që është ai estetik. Pse duhet lexuar “Anjeza nuk u zgjua”? Për kënaqësi. Kjo përgjigje më vjen në mendje tani. Për emocione të forta, pse jo.

Më lejoni të pohoj se, sipas mendimit tim, “çelësin” e një interpretimi të mundshëm të romanit tuaj “Anjeza nuk u zgjua”, unë e shoh te pohimi juaj për “të njëjtën frymë”, që ai sjell, njësoj si novela juaj “Vjeshtë në Ujastër” e viteve ’80 të shek. XX. Ka autorë që e njësojnë estetikën me etikën. Sipas meje, ky njësim mbështetet në të qenit e veprës artistike e painteresuar. Falë këtij fakti, ajo, vepra artistike, i hap rrugë sublimimit të lexuesit (për rastin tonë) përtej çdo interesi. Autorë të ndryshëm, si Mikael Bahtin e deri te Ludvig Uitgenshtajni (ky i fundit i ardhur në shqip nën interpretimin e Ivan Xheparovskit), e shohin veprën artistike (letrare) në raport me gjuhën si lojë. A ka në vetëdijen tuaj krijuese një mendim, e në mos një mendim, një shprehje intuite për ta parë gjuhën si të tillë, pra si lojë, për sendërtimin e veprës artistike (letrare)?

Që nga koha kur kam botuar “Një vjeshtë në Ujastër” e deri tani që botova “Anjeza nuk u zgjua”, kanë kaluar tri dekada dhe kuptohet se gjatë kësaj kohe kam lexuar shumë e shumë vepra autorësh të mëdhenj, mjaft prej tyre të panjohur ose të ndaluar në vendin tonë para vitit 1990, autorë të tjerë modernë që kanë bërë emër gjatë këtyre viteve. Pra, merret me mend se informacioni letrar që kam, s’ka të krahasuar me atë që kam pasur. Por më duket se si krijues, kam ruajtur intuitivisht, si një të dhënë të brendshme, duke e rrënjosur e ushqyer, ndërkohë përgjatë leximeve si kërkesë, si dije dhe preferencë këtë princip që ju e shprehet aq bukur: njësimin e estetikës me etikën. Njësim që në tekstin e shkruar mund të realizohet e sendërtohet përmes gjuhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura