ANALIZA/ “Tryeza u bë, tani të bëhet reforma”- Preç Zogaj: Ku gaboi dhe ku jo opozita me vendimet e saj

Jan 18, 2020 | 15:35
SHPËRNDAJE

zogajNga Preç Zogaj

Reforma Zgjedhore është një nga nëntë kërkesat e Bundestagut gjerman për Shqipërinë. Edhe sikur kjo të ishte arsyeja e vetme, opozita nuk duhej të refuzonte uljen në tryezë me  përfaqësuesit e shumicës socialiste dhe me deputetë nga listat e saj, që nuk i janë bindur vendimit për  djegien e mandateve.

Aq më tepër nuk kishte kuptim të qëndronte dorëjashtë, kur bëhet fjalë për një kërkesë, të cilën Kuvendi do të mund ta plotësonte pa të. Në skenarin e vetpërjashtimit opozita PD-LSI thjesht do t’u mundësonte qeverisë dhe deputetëve kapitalizmin e meritave. Më shumë se kaq, do të thellonte hendekun me partnerët ndërkombëtare dhe me shanset e rikthimit në pushtet. Me fjalë të tjera, jo që s’do  të fitonte gjë nga vetpërjashtimi, siç  kujtojnë ata që investohen për kapsulimin e opozitës si në një bunker, por do të humbte edhe më shumë se ka humbur.

Ndërsa ka marrë vendimin e duhur për t’u përfshirë, opozita po përballet në radhët e veta me produktin e politikës së llogoreve që ka ndjekur prej më shumë se një viti. Madje po përballet edhe me atë pjesë të shtypit që ka kërkuar prej saj në vazhdimësi  të përdorë forma të dhunshme për rrëzimin e qeverisë. Një pjesë e militantëve duken të hutuar, disa të indinjuar. Radikalët shkojnë me larg dhe shohin te tryeza me Gjiknurin pazare, tradhti.

Është rasti të saktësohen disa gjëra.

Opozita e ka pasur gabim dje kur thoshte nuk ulemi me Damian Gjiknurin dhe jo sot kur thotë nuk i zgjedhim ne përfaqësuesit e palës tjetër. Ky i sotmi është qëndrim logjik, normal, i drejtë. Ky është standardi i qëndrimit ndaj përfaqësimit të palës kundërshtare në nismat e dialogut. Për çdo njeri, për çdo të akuzuar vepron parimi i prezumimit të pafajësisë. Deri në një vendim  të kundërt të formës së prerë nga gjykata.

Opozita e ka pasur gabim dje kur çdo veprim të pavarur të të tjerëve e ka parë dhe anatemuar si pazar të Edi Ramës apo me Edi Ramën dhe e ka drejt sot kur shkon në tryezë me palën kundërshtare për një interes publik dhe të vetin njëkohësisht.Opozita ka gabuar kur u largua nga Kuvendi dhe nga  zgjedhjet vendore, duke mbjellë iluzione  të dëmshme dhe keqkuptime me mënyrën si e ka trajtuar konceptin e forcës në politikë. Gabimet kanë kosto dhe nuk është e thënë se kostoja e tyre zhduket menjëherë me korrigjimin e gabimeve. Duhet shumë punë, duhen gjithashtu sa më shumë fytyra të reja që nuk kanë marrë pjesë  në konceptimin dhe zbatimin e lëvizjeve të gabuara.

Por kjo opozitë nuk po gabon sot, kur po rikthen arsyen demokratike në ligjërim dhe në veprime, apo thënë ndryshe, po përshtat një sjellje që përputhet me atë që kërkojnë prej saj partnerët ndërkombëtarë,  SHBA dhe BE. Në thelb e gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një sjellje demokratike. Nuk ka asnjë arsye që një sjellje e tillë të konsiderohet tërheqje, apo të çojë në zbutje të luftës politike me qeverinë. Lufta mund të bëhet e duhet të bëhet e fortë, pa qenë nevoja e daljes në mal, siç thotë një shprehje e popullit. Janë idetë, është stili dhe sjellja që bëjnë diferencën me palën kundërshtare. Jo grimasat, jo teatraliteti.

Është  një mënyrë e tërë  e të bërit politikë që ndërsa korrigjohet i kthehet e do të vijojë t’i kthehet kundër kësaj opozite në radhët e radikalëve ekstremistë. Radikalë ka në çdo parti të madhe. Sikurse ka liberalë, të moderuar e tjerë. Lidershipi partiak duhet t’i dëgjojë të gjithë dhe të vendosë, duke respektuar një kornizë parimesh e vlerash të shenjta, që nuk janë çështje të diversiteti të mendimeve. Siç është ligjshmëria, për shembull. Opozita demokratike nuk mund të ketë ekuivoke në lidhje me respektimin e ligjmërisë së shkruar në Kushtetutë dhe në ligjet e vendit. Pyetja a të qëndrojnë në kornizën e ligjit, apo të dalë jashtë saj nuk shtrohet fare. Pësimet duhet t’u bëhen mësim atyre që  konceptojnë një opozitarizëm arkaik dhe të paarsyeshëm. Është një rast për të reflektuar edhe për ata militantë që besojnë se çfarë fluturon hahet. Edi Rama dhe shumica e tij munden në arenë, në rrugë demokratike. Rruga e kundërt dhe llogoret janë një dështim i sigurtë.

Në këtë kontekst, pjesëmarrja në  tryezën  për reformën zgjedhore është një ogur i mirë për opozitën. Pasi kanë renë dakord për t’u ulur, i vjen radha reformës. Që nuk është e njëjta gjë me ndryshimin apo shtimin e disa neneve. Reformimi prek dhe kërkon të rikonceptojë disa shtylla të Kodit Zgjedhor, siç janë sistemi elektoral, administrimi i zgjedhjeve, financimi i fushatës. Nëqoftëse nuk ka reformim në këto shtylla të mos e quajnë reformë zgjedhore. T’i vëmë një emër tjetër, por reformë s’kemi përse ta quajmë.

Çështje më e nxehtë është ajo e sistemit. Sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura që kemi në fuqi u vendos në vitin 2008 për të shmangur vlerësimin nominal me votë popullore të kastave partiake. Për ketë u bë. Të tjerat janë demagogji, spekulime, retorikë. Listat e mbyllura edhe do të haheshim po të kishin parti të hapura, së paku. Por kur edhe partitë janë të mbyllura, e keqja e listave të mbyllura shumëfishohet. Ky sistem ka zbehur, për të mos thënë u ka hequr zgjedhësve të vetmen fuqi reale në demokraci: fuqinë e votës. Do të mjaftonte kjo për ta flakur si një aksident të historisë. Veç kësaj, në  një kuptim partiak, opozita e qendrës së djathtë e ka në disfavor. Për ta thënë në mënyre figurative, ky sistem nuk është rroba e së djathtës që mbështetet të fuqia e individit të lirë.

PD duhet ta tentojë kthimin  në sistemin mazhoritar të pastër, ose më e pakta mazhoritar me një korrektim proporcional siç ka qenë para vitit 2008, duke  bërë ndonjë ndryshim që eviton fenomenin e “Dushkut” dhe siguron  shpërndarjen gjeografike të deputetëve të kuotës proporcionale. Në këtë mënyrë PD dhe kryetari i saj Basha do të ruanin koherencën me premtimin solemn të vitit 2017 për t’u kthyer fuqinë zgjedhësve. Proporcionali me lista të hapura do të ishte një alternativë.

Jo aq i mirë sa  mazhoritari me korrektim proporcional, por më i mirë se sistemi  në fuqi. Është një paradoks i madh dhe njëlloj autogoli që disa  përfaqësues të PD-së bëjnë protagonizmin në mbrojtje të sistemit në fuqi. Argumenti bazë që përdoret niset nga presupozimi se zgjedhësit e shesin votën. Fenomeni i shitblerjes ka merituar e meriton marrjen e masave më të rrepta për ta eliminuar, por nuk duhet të përdoret si alibi për t’i bërë bisht ballafaqimit me gjykimin e zgjedhësve dhe sidomos nuk duhet të trajtohet në forma që fyejnë dinjitetin dhe inteligjencën e qytetarëve.

Nëse PD dhe LSI nuk kërkojnë ndryshimin e sistemit, shpresa për ta bërë këtë u  mbetet deputetëve që nuk pranuan djegien e mandateve. Historia  i ka qejf shakatë. Pikërisht në këtë moment këta deputetë, aq të anatemuar nga partitë ku kanë bërë pjesë mund të tentojnë të ndryshojnë historinë, duke bërë atë që kanë pas  premtuar partitë e tyre që i përjashtuan. Nëse nuk ia dalin, së paku do të nxjerrin zbuluar  hipokrizinë dhe lojën me maska të Ramës me shokë që thonë se i kanë dhënë opozitës letër të bardhë- bëjeni si të doni./Gazeta Liberale

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura