ANALIZA/ Sulejman Starova: U dogj teoria e rezervave, Shqipëria për Europian

Jun 14, 2015 | 20:04
SHPËRNDAJE

Specialisti i futbollit, Sulejman Starova vlerëson se Kombëtarja e Shqipërisë tashmë është gati që të luftojë për kualifikimin në Kampionatin Europian 2016, pas fitores së djeshme 1-0 në miqësoren ndaj pritësve të këtij kompeticioni, Francës.

Sulejman Starova, specialist i futbollit

Në një analizë të botuar në “Panorama Sport”, Starova mendon se ka rënë poshtë tashmë teoria e “rezervave” për Shqipërinë. Sipas tij, ekipi kombëtar nuk ka më rezerva dhe se tashmë, Shqipëria se konkurrenca për një vend në kombëtare po rritet.

 Analiza e plotë e Starovës

Fitorja 1-0 është rezultat fantastik. E them këtë sepse do t’i shërbejë shumë Shqipërisë për të ardhmen. Fitore të tilla të mëdha, edhe pse miqësore, të ndihmojnë shumë në aspektin psikologjik. Shqipëria gjithnjë e ka pasur të vështirë pjesën e dytë të edicionit dhe për këtë arsye mendoj se kjo fitore është një injeksion vetëbesimi shumë i lartë. Dominoi shpirti i garës mbi të gjitha dhe pas golit të Kaçes, sigurisht që ekipi arriti të tregonte personalitet dhe karakter. Një fitore si kjo sfumon te Shqipëria një herë e mirë edhe teorinë e “rezervave”. Shqipëria nuk ka rezerva, por ka lojtarë të shkëlqyer që ndonjëherë e humbin vendin në formacion sepse konkurrenca sa vjen e bëhet më e pamëshirshme. Ky është efekti i Shqipërisë së Madhe, i Shqipërisë me 15 milionë banorë…

Pjesa e parë

Qartazi dukej që skuadra jonë kishte detyra tejet mbrojtëse. Markim i rreptë dhe “luftë” në çdo metër katror. Mentalitet i duhur për një skuadër të vogël dhe pa shumë histori suksesi në arenën ndërkombëtare. Në 25 minutat e para dallohej vetëm preokupimi i skuadrës për mbulim të ashpër të kundërshtarit.

Portieri francez, Hugo Loris përpiqet më kot të ndalë gjuajtjen e Kaçes

Për këtë arsye, edhe Cikalleshi nuk u fut asnjëherë në lojë. Fakti që po luanim kundër një skuadre me emër të madh e dha efektin në minutat e para.

Kur lojtarët tanë e kuptuan se francezët nuk ishin kushedi se çfarë, atëherë nisën edhe të ishin të rrezikshëm. Në fraksionin e dytë të pjesës së parë krijuam dy raste të pashfrytëzuara mirë nga Lenjani. Roshi ishte shumë i zoti në krah, edhe pse me një ekspert si Evra.

Në mesfushë, skuadra ishte shumë agresive, e dubluar më së miri edhe nga Cikalleshi që në fazën defensive krijonte epërsi numerike, por sa herë dilnim në sulm, “humbiste”. Kjo për shkak edhe të filozofisë së lojës në start.

Duhet thënë se goli i Kaçes ishte një gol kalibri dhe se dukej qartë se lojtarin e “kishte marrë malli” të luante me Kombëtaren. Dha gjithçka nga repertori i tij dhe tregoi edhe një herë se është lojtar me klas dhe se nuk mund të konsiderohet kurrsesi një rezervë.

Pjesa e dytë

Çdo minutë që kalon është në avantazhin tonë. Franca është disi fodulle në stilin e lojës së saj, por meritën e ka Shqipëria që për asnjë moment nuk lë hapë- sira.

Lojtarët shqiptarë treguan agresivitet në duelet për topin e parë

De Biazi e freskon skuadrën dhe zëvendësimet janë të gjitha të goditura. Duhet vlerësuar fakti që për asnjë moment trajneri nuk e prishi ekuilibrin e ekipit, edhe kur praktikisht kishte tre sulmues të deklaruar. Të luash kështu kundër Francës kur je duke fituar, nuk është aq e thjeshtë. Edhe kur bëhet fjalë për miqësore.

Më pëlqeu rikthimi i Kaçes, Ramës dhe Bashës. Lojtarë me nivel dhe duket që kanë punuar për të mos ngelur mbrapa. Ajeti u mburr shumë nga një pjesë e opinionit, por personalisht nuk më la përshtypjen e një futbollisti supercilësor. Pa dyshim, lojtar me vlera, por deri tani vetëm kaq. Aliji kishte afrimitet me topin dhe të zëvendësosh Agollin nuk është e lehtë.

E kaloi provën me sukses dhe mendoj se është të investim i mirë për të ardhmen. Cikalleshi u sakrifikua shumë, por nuk mund të bëhej ndryshe kundër një skuadre kaq cilësore sa Franca. Pagoi skemën e De Biazit…

Portieri Berisha në dyluftim me sulmuesin e Arsenalit, Zhiru

Berisha tregoi se është një portier i shkëlqyer. Në ato raste kur francezët tentuan të bënin zgjidhje të menjëhershme, ai nuk gaboi asnjëherë. Më pëlqeu shumë. Shqipëria ka të ardhme dhe me këtë fitore tregoi edhe një herë se nuk diskutohet më që të luftojë për një vend më lart, por të luftojë vetëm për t’u kualifikuar…

Sulejman Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura