Meqenëse nuk kemi Gjykatë Kushtetuese

Nov 5, 2018 | 22:50
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/ prec-zogajNjë shpjegim i refuzimit pa precedent të dekretimit të ministrit të Brendshëm nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sikurse edhe i disa akteve të tjera ligjore shumë të debatueshme të qeverisë dhe Parlamentit kohët e fundit, është ky: vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, që të diktojë me funksionimin e saj vullnetin dhe përgjegjësinë e institucioneve për t’i përputhur këto akte me Kushtetutën e vendit. Jo se qeveria, Parlamenti apo Presidenti nuk i kanë rënë ndesh Kushtetutës, edhe kur e kemi pasur funksionale Gjykatën në fjalë. Kjo Gjykatë nuk do të kishte punë po të mos gabonin ligjvënësit, vendimmarrësit, dekretnxjerrësit. Nëse heqim një paralele me sportin, faulle bëhen, edhe pse të gjithë i dinë rregullat. Por është arbitri që mban qëndrim, vendos drejtësi e nuk lejon të bëhet xhungël. Në rastin e lojës politike, që po zhvillohet në Shqipëri, arbitri ligjor, që është Gjykata Kushtetuese, ka ndaluar punën për arsye se shumica e anëtarëve të saj nuk kanë kaluar vetingun. Në këtë vakum, ligjvënia në Shqipëri nuk rrezikohet vetëm nga arbitrariteti dhe tundimi i zakonshëm i liderëve politike e institucionalë për të kapërcyer Kushtetutën, çfarë dëshmohet me morinë e ligjeve dhe vendimeve që ka rrëzuar kjo Gjykatë ndër vite, por ka rastin ta lëshojë pa duar. Institucioneve, që kanë tagra të nxjerrin akte ligjore, nuk ka kush ua mban dorën për momentin. Posa që e mendojnë një gjë e bëjnë, pa frikën se arbitri ligjor do t’ua zërë në grykë.

Kështu bëri Kryeministri Rama me Ligjin për Teatrin. Ai e hartoi dhe e miratoi me axhendë të përshpejtuar këtë ligj kaq të debatuar e kaq konfliktual, pikërisht në kohën kur pushoi së funksionuari Gjykata Kushtetuese. Rama goditi kur Aleanca e gjerë për Teatrin nuk kishte ku të qahej. Gjithçka ishte e kalkuluar me një cinizëm tipik banditeks. Të njëjtin argument të mungesës së arbitrit ligjor e nënvizoi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në dy dekretet e tij për kthimin e Ligjit për Teatrin. Vetë zoti Meta kishte gjetur disa shkelje kushtetuese në Ligj, por duke mos qenë ai autoriteti që vendos për kushtetutshmërinë ose jo, s’mund të bënte tjetër veçse të nënvizonte me theks kritik nxitimin e qeverisë në kushtet kur ligji s’kishte ku ankimohej. Qeveria i hodhi në kosh dekretet e Metës për Teatrin

Dhe ja ku vjen momenti që Presidenti t’i kthejë reston Kryeministrit, duke mos dekretuar zotin Sandër Lleshi në postin e ministrit të Brendshëm. Rastet janë të ndryshme, por takohen në një pikë: në interpretimin subjektiv të Kushtetutës, duke përfituar prej faktit se nuk ka arbitër të gjykojë. Veprimi i Metës ka befasuar e provokuar debate, pikësëpari, sepse refuzimi i një ministri të propozuar nga Kryeministri ndodh për herë të parë në njëzet e shtatë vitet e demokracisë. Fakti që ndodh për herë të parë nuk përbën në vetvete një arsye për t’u befasuar. Gjithmonë ka një herë të parë. Analiza duhet të merret me përmbajtjen e aktit. Presidenti ka thënë se nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së z. Sandër Lleshi. Deri më sot, në një lexim rutinor, jo të thelluar të Kushtetutës, kemi menduar se dekretimi i anëtarëve të kabinetit, ndryshe nga shumë dekrete për emërime funksionarësh të tjerë të lartë, është një akt formal i Presidentit të Republikës. Veç traditës, këtë mendim na e kanë krijuar edhe dy pikat e nenit 98 të Kushtetutës ku shkruhet: 1) Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda shtatë ditëve dhe 2) Dekreti shqyrtohet brenda dhjetë ditëve nga Kuvendi. Unë nuk e di a ka dispozita të tjera të drejtpërdrejta apo të tërthorta që i lejojnë Presidentit të kundërshtojë listën e ministrave që i paraqet Kryeministri. Presidenti Ilir Meta është një politikan me përvojë. Ai ka pasur e ka detyrimin të citojë dispozitat ligjore ku mbështet qëndrimin e tij. Për momentin, ai ka përmendur si shembull analog mosdekretimin nga Presidenti i Italisë, Matarela, të ekonomistit të shquar Paolo Savona, që ishte propozuar për postin e ministrit të Financave ne qeverinë e re të Lëvizjes së Pesë Yjeve dhe Lidhjes së Veriut. Matarela mori përsipër me përgjegjësi dhe me kosto politike e institucionale, po të shtrohej çështja, një akt që në dinamikën që pati, u vlerësua pozitivisht në fund të herës edhe nga vetë liderit e koalicionit fitues. Savona nuk u dekretua për shkak të qëndrimit të tij të hapur kundër gjermanizimit të euros. Më parë, ai kishte prezantuar një studim të udhëhequr prej tij për daljen e Italisë nga Euro i quajtur “Plani B”. Duhet thënë se Savona nuk është kundër konceptit të BE-së, tregut të përbashkët dhe monedhës unike, por është kundër mënyrës së parashikuar nga Traktati i Mastrihtit, të cilin e konsideron në kundërshtim me parimet ekonomike. Savona përfaqëson një pikëpamje mjaft të përhapur me jehonë populiste në rrethet e ekonomistëve italianë, sipas së cilës, euro nuk mund të funksionojë në kushtet e sjelljes si fuqi e vetme nga Gjermania, por duhet barazi. Presidenti Matarela arsyetoi se emërimi i tij në krye të financave mund të perceptohej si ndryshim i menjëhershëm i kursit të politikës monetare dhe të cenonte kursimet e qytetarëve italianë. Ai e ndërmori aktin e mosdekretimit të Savonës në emër të këtyre interesave dhe ishte transparent me publikun gjatë gjithë kohës që zgjati ky debat. Nga ana tjetër, po Matarela dekretoi emërimin e Savonës, ministër për Çështjet Europiane.

Kushdo mund ta nxjerrë vetë përfundimin deri ku shkon analogjia mes dy shembujve. Presidenti ynë e ka mbështetur qëndrimin e tij në nocionet e bindjes dhe besimit. Këto nocione të hapura, dukshëm subjektive dhe impersonale, i kemi parë të përdorën gjerësisht nga liderët partiakë kur promovojnë anëtarët dhe përzgjedhin bashkëpunëtorët në partitë e tyre. (Të sqarohemi: jo nga liderët e partive të hapura që funksionojnë mbi principet e konkurrencës së lirë dhe rregullave të lojës demokratike. Nga liderët që i konsiderojnë dhe i trajtojnë partitë si pronë private të tyre). Nuk dimë që “bindja” dhe “besimi” të jenë nocione ligjore dhe kushtetuese gjithashtu. Tani është rasti për ta mësuar. Nëse nuk gjenden në asnjë dispozitë, përdorimi i tyre për të refuzuar dekretimin e ministrave, në çfarëdo qeveri, do të ndryshonte natyrën e republikës nga një republikë parlamentare në një republikë stanesh dhe do të krijonte një precedent kaosi që s’dihej ku do t’i dilte fundi. Vendit i ka ndodhur e do t’i ndodhë edhe në të ardhmen të jetojë periudha koabitacioni midis Presidentit të një pale dhe qeverisë së një pale tjetër politike. Ja, sot kemi Metën, po sikur të vijë nesër në vend të tij ndonjë i fandaksur, që i duket vetja se ka kapur qiellin me dorë apo që argëtohet ta shohë vendin rrëmujë! Në qoftë se çështja e dekretimit të ministrave nuk është rregulluar qartë dhe pa ekuivoke në Kushtetutën e vendit apo nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, kjo duhet bërë sa më shpejt të jetë e mundur. Në lidhje me shembullin italian, këtu duhet të vënë në dukje edhe një element të rëndësishëm të kontrastit me shembullin shqiptar. Presidenti Matarela e kishte me një qëndrim konkret të Savonës që rrezikonte, sipas tij, kursimet e italianëve, por nuk mund ta kishte me të drejtën e tij për të bërë karrierë e për të marrë përgjegjësi publike. Ndaj e dekretoi ministër për Çështjet Europiane. Presidenti ynë përdor nocione dhe shpjegime penguese për çdo post që mund t’i jepet, pra, për vetë karrierën e Lleshit në kushtet e dhëna, gjë që e fut çështjen në labirinte të tjera ligjore e njerëzore.

Besoj se sot Ligji i Teatrit do të ishte i bllokuar dhe me shumë gjasë, sipas mendimit tim, do të rrëzohej nëse do të ishte në punë Gjykata Kushtetuese. Nuk mund ta di, a do të kishte bërë fiks të njëjtën gjë zoti Meta, po ta kishim në punë këtë Gjykatë. Një gjë është e sigurt. Për shumë pikëpyetje e çështje që shtrova unë në këtë shkrim e për shumë të tjera që shtrojnë lexuesit, Gjykata Kushtetuese do të kishte dhënë përgjigjet e paapelueshme. Dhe debati nuk do të zhvillohej sipas ngjyrave partiake ku sekush mbron apriori ngjyrat e partisë dhe grupimit ku bën pjesë, debat shterp kur diskutohet për çështje të ligjshmërisë. Duhet plotësuar sa më parë Gjykata Kushtetuese. Ky është reflektimi, kjo është kërkesa, besoj përbashkuese, e gjithë njerëzve normalë, që duan një demokraci normale në vend. Nuk mund të vazhdohet më gjatë pa arbitër kushtetues kur çdo ditë shtohen rastet kur, qeveria e para ndjek një interes të vetin apo të një grupi njerëzish rreth saj, duke i dhënë këtij interesi një veshje ligjore për aparencë që kontraston deri logjikën elementare. Siç janë kostot e disa PPP-ve për shembull. Nuk ka dyshim se në gjithë teprimin apo abuzimin me vakumin që ka krijuar shfunksionalizimi i Gjykatës Kushtetuese ndihet edhe një dëshirë e fshehtë për të diskretituar e përdhosur Reformën në Drejtësi. Ja, këtë deshët, mbajeni tani! Nëse ndokush mendon se është rasti për ta bërë lëmsh apo se kjo është mënyra për të penguar drejtësinë e re, e ka gabim. Bashkautorët amerikanë dhe europianë të Reformës në Drejtësi, që asistojnë nga afër zbatimin e saj të vështirë, por të pakthyeshëm dhe që po destinojnë financimet e para për ngritjen së shpejti të SPAKU-t dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, e kanë padyshim një shqetësim të tyrin, bllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Ata po japin kontributin e tyre për plotësimin e tyre të shpejtë.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura