ANALIZA/ “Loja e njëanshme e De Biazit në ‘martesën’ që ka marrë fund”

Mar 26, 2017 | 18:53
SHPËRNDAJE

GËZIM SINEMATI

Gezim SinematiEdhe pse humbjet kanë qenë ushqimi me të cilin jemi rritur në futboll, sepse na duket sikur kemi lindur për të fituar. Kjo e fundit në Palermo, nëse do ta krahasonim me atë që përjetuam me Spanjën, ku mesi i fushës na shfaqej si planet tjetër, apo me Izraelin, ku u vramë vetë para se të na vriste kundërshtari, mund të konsiderohet si një humbje ndeshje dhe jo nderi.

Një ndeshje ku edhe vetë De Biazi nuk do të donte që pikërisht Roshi dhe Cikalleshi, dy futbollistët që arratisen me talent nga skema e tij hermetike, ishin kërcënimi më pikant për rehatinë e Bufonit në këtë 90-minutësh. Ajo që ka ndodhur në Palermo kundër Italisë së Venturës, ku në pjesën e parë u zbukuruam për të vdekur në të dytën, ishte prova më e vërtetë e lojës sonë të limituar, e cila mund të ishte ndëshkuar më shumë nëse Italia do të ishte më keqdashëse, më cinike, më afër vetes.

Dikush mund të thotë se edhe kjo është meritë e De Biazit, trajnerit që duhet të kishte dhënë një shfaqje tjetër për të bindur italianët se deri ku kishte shkuar “revolucioni” kuqezi me shqiptarët. Apo kur kujton atë deklaratën pa kurrfarë elegance të trajnerit te gazeta “Dello Sport”, mu para ndeshjes: “E ardhmja ime? Nuk di a mund të shpik ndonjë gjë tjetër për Shqipërinë…”

Ajeti vs Beloti

Zoti do të ketë mbyllur veshët kur trajneri ynë i ka thënë këto fjalë. Për hir të së vërtetës, nuk duhet të ishin thënë. As nuk vihet në dyshim se Shqipëria është vendi ideal për të shpikur lumturi iluzive dhe cili trajner tjetër e ka shijuar më zellshëm se Xhani ynë. Një trajner që luan mrekullisht lojën e tij të njëanshme, sikur borxhi që kemi krijuar me të është aq i madh, sa nuk mund të shlyhet me gjithë çmimet dhe dekoratat që kemi dorëzuar.

Siç duken bathët, me 3 humbje me radhë dhe me frikën e humbjes së katërt në “tokën e shenjtë” me Izraelin, më tepër do të shtohet borxhi ynë me trajnerin. Sepse humbjet janë tonat, kurse fitoret i përkasin më shumë atij… Një italian, që mrekullisht u bë “dashnori i publikut”, po gëzon privilegjin, ndryshe nga trajnerët e tjerë, të tradhtohet pak e nga pak nga eprorët. Sa të bindet edhe opinioni që kësaj martese i ka ardhur fundi…

Opinion i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura