Analiza e KLSH: Dëmi, 135 milionë USD

Jan 31, 2013 | 12:26
SHPËRNDAJE
Nishani gjatë analizës së djeshme të KLSH-së

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar gjatë vitit 2012 një dëm ekonomik në vlerën 135 milionë dollarë, i ardhur si efekt i parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhura dhe shpenzime. Gjatë analizës së mbajtur ditën e djeshme, kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, tha se ky dëm i përket aktivitetit 2-3-vjeçar i audituar nga institucioni që ai drejton. “Gjatë auditiveve të kryera në vitin 2012 me periudhë 2-3-vjeçare të veprimtarisë së subjekteve që auditohen, kemi vërejtur parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat e mbledhura dhe në shpenzimet e kryera nga entet publike të audituara nga institucione të pushtetit qendror dhe vendor, një dëm ndaj buxhetit të shtetit në shumën 13.5 miliardë lekë. Institucioni ka rekomanduar që kjo shumë të zhdëmtohet në masën 100 për qind”, tha Leskaj. KLSH, përgjatë vitit 2012 ka rritur edhe numrin e atyre që ka çuar para drejtësisë për shkak të shkeljeve të kryera. Sipas shifrave rezulton të jenë bërë 44 kallëzime për 125 persona. Por edhe pse janë rritur kallëzimet dhe masat që propozon KLSH, zbatimi i tyre mbetet ende e ulët, sipas kreut Bujar Leskaj. Në analizën e KLSH-së ishin të pranishëm edhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për rritjen e ndëshkueshmërisë për ata që abuzojnë me fondet publike. I parë më nga afër për sektorët se ku ka pasur më shumë dëm, shifrat e KLSH-së tregojnë se rekordin e mbajnë qiradhënia e tokës shtetërore dhe koncesionet, me gati 6 milionë dollarë. Ndërkohë që 119 milionë dollarë është dëmi që i është shkaktuar shtetit nga shoqëritë publike, siç janë KESH apo Albpetrol për mosmbledhje të detyrimeve, si dhe dëmi nga Agjencia e Legalizimeve apo Operatori i Sistemit të Transmetimit. Të gjitha këto dëme i përkasin veprimtarisë ekonomike dhe financiare të tri viteve të fundit apo edhe më herët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura