ANALIZA/ “Çfarë fshihet pas vlerësimit me zero pikë për anëtaren e Kushtetueses. Pse dyshja Dvorani-Arta Marku ndëshkuan Xhaferllarin si “armike të partisë”

Nov 16, 2019 | 20:12
SHPËRNDAJE

Arta-Marku-Drovani-Nga Redi Gjuzi

“Edhe grabitësit më të mirë, e lënë një gjurmë”. Ndoshta do të ishte krahasim i pavend, kur flitet për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, por dokumentat e zbuluara, qartësojnë se dy prej anëtarëve të KED, janë kundër 5 anëtarëve të tjerëve dhe me votën e tyre kanë ndryshuar vullnetin e shumicës.

KED, është një organ kolegjial. Si i tillë, vendimet e tij merren me shumicë. Në rastin e renditjes së kandidatëve për Kushtetuese, vlerësimi bëhet me pikë nga të 7 anëtarët e KED. Secili prej tyre vlerëson meritat e çdo kandidati. Në tabelen që po boton sot gazeta, janë vlerësimet e secilit prej 7 anëtarëve të KED për 5 kandidatët për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Kuptohet, që secili nga anëtarët e KED është në të drejtën e tij të vlerësojë me 0 pikë apo me pikët maksimale, secilin prej kandidatëve që ai dëshiron. Vlerësimi i secilit është i pavarur. Por rezultati, i vlerësimit të secilit, lë të kuptohet se në cilën linjë, dhe pas votimit të djeshëm në Gjykatën Kushtetuese, se cilën palë politike mbështet. Drejtësia e derisotme, është nën akuze publike sepse në raste flagrante korrupisoni, apo në raste botërisht të ditura krimi, ka bërë “kamikazin” dhe ka dhënë pafajësi. E nëse shikon votimet e KED, ka “kamikazë partie”. Por jo të gjithë kanë patur shansin, që dëshirat e tyre t’i kthejnë në gjyqtarë të Kushtetutës.

Nga votimi shihet qartë, që Dvorani dhe Arta Marku, nuk duan që Marsida Xhaferllari të kandidojë për në Gjykatën Kushtetuese. Duke qenë se votimi, nuk është vlerësues, por zhvlerësuar, pra pikët maksimale nuk të bëjnë gjyqtare, pasi do zgjedhe presidenti dhe parlamenti, ndërsa pikët minimale të skualifikojnë nga gara, Dvorani dhe Arta Marku, kanë vendosur të zhvlerësojnë Xhaferllarin. Në mënyrë të habitshme, vetëm këta dy anëtarë, nga 7 që votuan në KED, e vlerësojnë Xhaferllarin me 0 pikë në tre komponentë dhe në total me 61 dhe 65 pikë, më të ulëtat ndër 5 kandidatët. Por nota e Dvoranit dhe Markut bëhet më e qartë se kujt kahu i takon kur në vlerësimin për “reputacioni që gëzon kandidati në shoqëri dhe midis kolegëve”, i japin 0 pikë nga 10 të mundshmet. Ndërsa 5 anëtarët e tjerë të KED, pra kolegët e tjerë të Xhaferllarit, e vlerësojnë me 8-10 pikë. Tani, vlerësimi është individual, por se përse nuk gëzon reputacion mes kolegëve Xhaferllari, kur 5 nga 7 kolegë e vlerësojnë maksimalisht, vetëm Dvorani dhe Arta Marku e dinë. Ndërsa përsa i përket reputacionit në shoqëri, ndoshta kanë të drejtës. Se në shoqërinë e Dvoranit dhe Arta Markut, Xhaferllari mund të ketë reputacion shumë të keq. Qesharakë.

Ardian Dvorani dhe Arta Marku, profesionalisht kanë qenë shumë larg njëri tjetrit. I pari gjyqtar i lartë, ndërsa e dyta nga krahinat e Mirditës. Emrat e të dyve u lidhën fort me njëri tjetrin, nga akuzat e opozitës si njerëz të maxhonarcës. Edhe votimi në KED i lidh habitshëm bashkë në vlerësim me zero “të armiqve të pushtetit socialist”. (Vetëm dy ditë më parë eksponentët më të lartë të PS e etiketuan si opozitare Xhaferllarin. Por deri në momentin e kandidimit këtë nuk e kishin thënë për publikun, ndoshta ja kishin treguar vetëm disave).

Ky vlerësimi Dvorani-Marku, ka sjellë edhe deformimin e vullnetit të KED. Me këtë vlerësim, kjo dyshe ka bërë nul, vlerësimin e 5 anëtarëve të tjerë. Matematikisht, nëse këta dy anëtarë do të jepnin vlerësim normal, pra sipas mesatares së tyre për kandidatët e tjerë, atëherë Xhaferllari nuk do të kishte këtë renditje. Por, votimi është personal, në fund ai tregon vetëm gjurmën në një proces. Dvorani është në fund të karrierës së tij, të nisur në Shkodër si prokuror në pushtetin e Partisë së Punës, para 1990, ndërsa Marku zbriti e dyta në listën e sotme, për kryeprokruore. Si të tillë, të dy ndoshta janë në fund të shërbimit për drejtësinë, edhe pse i mblodhën bashkë forcat në votimin e KED.
***
Kur bëhen tendera publik, ka një klauzolë. Përjashtohet ofertat “anomalisht të ulëta”. Nëse do të ishte e tillë, votimi i Dvoranit dhe Markut, do ishin përjashtuar nga tenderi. Nuk është krahasim i rastësishëm. Kushtetuesja e re, do të gjykojë shumë tendera. Që nga ai 200 milionësh për Teatrin e ri, e deri te ai miliarda euro për Korporatën e Investimeve apo rishikimin e tapive në bregdet. Sikundër edhe një “supertender” tjetër, atë të 30 qershorit. Edhe pse tashmë aty puna ka filluar pa konkurrencë, falë punës së KED që ka më shumë se tre vite që s’na jep gjykatë Kushtetuese./ PANORAMA.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura