ANALIZA/ Bastet e fituara dhe gola me “thasë”, ja bilanci i Kombëtares

Nov 19, 2019 | 8:49
SHPËRNDAJE

Eliminatoret përfunduan, tani është koha për të bërë bilancin. Kombëtarja shqiptare mbylli një tjetër fazë kualifikuese: Vendi i katërt (pas Francës, Turqisë dhe Islandës), duke lënë pas vetes vetëm Andorrën dhe Moldavinë. Katër fitore, një barazim dhe pesë humbje, çka përkthehen në 13 pikë. 

shqiperia kombetarja

16 gola të shënuar dhe 14 të pësuar. Këta janë numrat e thjeshtë dhe secili mund t’i interpretojë si të dojë. Nëse kthejmë kokën pas, do të kuptojmë gjërat që kemi bërë mirë dhe ato që kemi bërë keq në këto eliminatore. U nisën me Kristian Panuçin, vazhduan me dyshen Bulku-Mema dhe përfunduan me trajnerin Edi Reja.

POZITIVE

Bastet e fituara- Nuk duhet ta përsërisim 100 herë, por duke qenë se është e vetmja meritë e Panuçit, po e themi sërish: Ardian Ismajli. Vazhdoi procesin e rritjes në këto eliminatore dhe tregoi se është një lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë, po ashtu si Dermaku.

Nuk po i përmendim ata që dihen tashmë, por vetëm të rinjtë. Reja i dha besim Keidi Bares dhe duket se ai ia shpërbleu. Në mesfushë një vend është i zënë, të paktën për momentin. Surprizë e bukur ishte edhe Klaus Gjasula, mesfushor që mungonte që nga koha e Kukelit në Kombëtare. Vazh dimësia e Manajt është gjithashtu pozitive. Cikalleshi gjithashtu pati një shpërthim në këto eliminatore.

Elementët e rinj- Edi Reja ka menduar edhe për të ardhmen gjatë kësaj kohe. Ka afruar futbollistë shumë të rinj si Kumbulla, Seferi, Selahi, por ka joshur edhe të tjerë si Broja duke e pasur në listën e pritjes. Florian Kamberi është gjithashtu një zbulim i Rejas, por këtë herë nuk pati fatin të luante për shkak të dëmtimit dhe dokumentacionit.

 Ka grimca loje- I lënë mënjanë dy ndeshjet e fundit (që u gabuan për 1001 arsye: ekipi i pamotivuar, mungesa të shumta, stadiumi i ri, eksperimente), të tjerat kanë qenë të kënaqshme dhe të mira. Pas Panuçit, Reja e transformoi totalisht këtë skuadër duke i dhënë jetë. Nuk luajti keq në debutim me Islandën, por u ndëshkua nga një gabim.

Ekipi erdhi duke u rritur me Moldavinë, pastaj në Francë nuk ka vend për komente. Pastaj dy ndeshje të tjera mjaft pozitive, Islanda në Elbasan dhe Turqia në transfertë. Kjo e fundit u humb për një episod në fund, por kuqezinjtë reaguan mirë me Moldavinë duke fituar 0-4.

 Rekord për gola- Kurrë më parë në një eliminatore nuk ka ndodhur që të shënohen 16 gola nga Shqipëria. Ja diçka për t’u mbajtur mend këtë vit. Më parë ishte ndalur në 12 gola në eliminatoret e vitit 2008. Skuadra e Rejas renditet e treta për sulmin më të mirë pas Francës dhe Turqisë.

GENTJAN ALINANI 

ANALIZËN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT” 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura