ANALIZA/ “Albin Kurti, ose ‘kronika e një vrasje të paralajmëruar’!”

Mar 28, 2020 | 16:21
SHPËRNDAJE

pjimage (13)

Nga Alfred Peza

Rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit, mori shumë herë më pak vëmendje sesa meritonte në Shqipëri, në raport me ato që ofruan mediat botërore, e veçanërisht ato amerikane e gjermane. Këtë radhë ndoshta nuk kanë edhe shumë faj, megjithëse sebepi gjendet kollaj, sidomos tani në kulmin e luftës. Fokusi i shqiptarëve si i gjithë njerëzimit, është tek lufta ndaj Covid-19. Ndaj, për të gjithë ata që skanë qenë të vëmendshëm e mund të kenë interes, po ofroj një pamje të asaj që ndodhi në prapaskenë.

Rrëzimi i Kryeministrit, nuk ishte një betejë e thjeshtë mes të rinjve dhe elitës së vjetër politike, në Kosovë. Aktorëve të kësaj shfaqje që u mbajt në sallën e Parlamentit në Prishtinë, për shkak të pragmatizmit politik, iu desh që të rreshtoheshin pro ose kundër Albin Kurtit. Sepse loja këtë radhë, ishte shumë më e madhe, se ata vetë. Pasojat e saj, është e sigurtë, që do të bien nesër vetëm mbi ta. Duke u reflektuar, në karreierat e tyre, të sotme dhe të ardhme.

Ranë në sy shumë qartë, dy linja jo paralele qëndrimesh publike, të përfaqësuesve të SHBA dhe BE përpara mbajtjes së séancës parlamentare. E në harmoni me to, u dukën të pozicionuar, edhe liderët politikë. Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj& Co, u perceptuan gjerësisht se materializuan në praktikë, linjën e politikës amerikane. Ndërsa Albin Kurti, Vjosa Osmani& Co, në minorancë, u perceptuan si pranë linjës së BE. Ndaj, me rrëzimin e qeverisë pas votimit në Parlament, u tha se triumfoi SHBA.

Si sebep për rrëzimin e Albin Kurtit, u sajua debati rreth vendosjes ose jo të gjendjes së jashtëzakonshme në vend, si masë për përballimin e pandemisë në Kosovë. Ndërsa si shkak, u konsiderua qëndrimi i tij, për çështjen e taskës 100%, mbi mallrat e Serbisë. I dërguari i Presidentit Trump, Richard Grennell tha se kur janë takuar për këtë çështje, Kryeministri e ka parë në sy dhe i ka premtuar se do e heqi atë. Ndërsa Kurti thotë që ka këmbëngulur, se kjo nuk do të ndodhte, pa reciprocitet nga ana e Serbisë.

Ironia është se edhe vetë taksa,duket se është përdorur si sebep, në gjithë këtë histori. Sepse si shkak për rëzimin e Albin Kurtit, mediat gjermane dhe ato amerikane, shohin arritjen e marrëveshjes Prishtinë-Beograd për të cilën është investuar drejtpërsëdrejti Presidenti Trump. Kryeministri tashmë në detyrë ka dashur që ta udhëheqë vetë këtë proces, pasi deklaroi se ka dyshime që Thaçi dhe Presidenti serb Vuçiç, kanë një projekt të fshehtë i cili në fund, do të çojë tek shkëmbimi i territoreve mes dy vendeve.

Ambasadori Grenell e mohoi kategorikisht këtë fakt, duke dhënë garancitë e duhura se, për SHBA ajo nuk ekziston. Por edhe prapa vetë marrëveshjes, duket se ka edhe diçka tjetër. Ka një nxitim të administratës Trump,- sipas mediave,- për ta arritur doemos një marrëveshje për shkak të dështimeve në politikën e jashtme gjatë këtij mandati. Ndaj po bëhet presion, që marrëveshja Kosovë- Serbi të përdoret në funksion të fushatës elektorale, për zgjedhjet e këtij viti në SHBA.

Eliot Engëll, kryesuesi i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, u shpreh se është “gjithnjë e më shumë i shqetësuar, me taktikat e ashpra që po përdor administrata Trump ndaj Kosovës. Presioni i vënë mbi Prishtinën, për tarifat e saja (ndaj Serbisë), është tejet i pabalancuar. Diçka nuk është në rregull me politikën amerikane dhe ne duhet ta korrigjojmë atë”.

Kritikat adresohen së pari, mbi faktin se SHBA nuk po i bën presion Serbisë për ta ndalur fushatën e saj të pisët, kundër njohjeve të Kosovës nëpër botë. Dhe së dyti, sipas një ligji të miratuar nga Kongresi Amerikan pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016, Administrata e Presidentit Trump duhej që të vendoste sanksione mbi Serbinë, për shkak të blerjes nga ana e saj të sistemeve ruse të armëve.

Të dyja këto pika, ka pak gjasa që të realizohen, të paktën tani shpejt. E si të mos mjaftonte kjo, në vend të Serbisë, kërcënimet kanë ardhur mbi Kosovën. Djali i Presidentit Amerikan, Donald Trump Junior bëri thirrje para rrëzimit të Kryeministrit Albin Kurti, për tërheqjen e trupave amerikane nga baza ushatarake e Bondstil. Megjithëse nuk ka asnjë funksion zyrtar, deklarata e tij u lexua si një kërcënim i drejtpërdrejtë, mbi qeverinë e Kosovës.

Në këto kushte, rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit, ishte “kronikë e një vrasje të paralajmëruar”. Kritikat më të shumta janë adresuar mbi faktin, se përse kjo gjë duhej të ndodhte, pikërisht tani në kulmin e luftës kundër Covid-19?! E sigurtë është se, Albin Kurti ka ditur më mirë se kushdo tjetër, që ta lexojë qartë këtë situate në të cilën ndodhej. Ndaj e cilësoi ikjen e tij, si “një rënie të domosdoshme, për ngritjen e nevojshme”.

A do ia dalë vërtetë pas kësaj, që të rikthehet sërisht, në krye të qeverisë së Kosovës? Kjo tashmë ka më pak rëndësi. Për aq kohë sa qytetarët duan që të mbarojë më parë, me sa më pak humbje njerëzore, lufta ndaj koronavirusit. Deri atëherë edhe nëse bota do jetë ende si më parë, pas kësaj e sigurtë është që Kosova, do të jetë ndryshe!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura