Ambasadori austriak: Esat Pasha tradhtar, Vidi i paaftë. “Kryengritja e Haxhi Qamilit me mbështetje nga Serbia”

Oct 13, 2014 | 13:07
SHPËRNDAJE

Haxhi Qamili mes kryengritësve
“Shqiptarët në optikën e diplomacisë austro-hungareze 1877-1918”

“Kryengritja e Haxhi Qamilit me mbështetje nga Serbia”

Verli: Qeveria serbe financonte me 10-20 mijë napolona ar Aqif Hiqmetin për krijim grupesh të armatosur.

Ambasadori austriak: Esat Pasha tradhtar, Vidi i paaftë
“Myfit Libohova i kompromentuar, Kryeministri Turhan Pasha një figurë komike me mosdijen e tij absolute”

Shqiptarët vetë nuk do ta kishin menduar kurrë se vendi i tyre i vogël do të bëhej pika e përplasjes së titanëve. Fuqitë e Mëdha do t’i skërmisnin dhëmbët njëra-tjetrës me pushtete armësh, pikërisht për të pasur nën influencën e vet territoret shqiptare që shtriheshin në buzë të Adriatikut. Se sa shumë interesa përplaseshin në këtë copë tokë, e tregojnë më së miri dokumentet e nxjerra nga arkivat vjeneze. “Shqiptarët në optikën e diplomacisë austro-hungareze 1877-1918” (botimet “Klean”) është libri më i fundit studimor i historianit Marenglen Verli, i cili merr në shqyrtim dokumente të rëndësishme austrohungareze, të cilat na zbulojnë qëndrimet dhe politikat e një superfuqie, karshi një vendi të vogël ballkanik. “Sot shumëkush është i informuar për rolin e Austro-Hungarisë, veçanërisht që nga vitet e krizës lindore në gjysmën e dytë të shek. XIX deri në vitin 1918, si dhe për angazhimin e saj vendimtar në vitet 1912-1913 në krijimin dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Por nuk janë të pakët ata, ndonjëherë edhe në radhët e studiuesve, që nga shkalla e njohjes, botëkuptimi, ndikimi i politikës etj., në kohë të ndryshme e kanë minimizuar, në mos denigruar, ose e kanë mbivlerësuar rolin e Austro-Hungarisë”, shpjegon historiani mbi arsyet e botimit e librit “Shqiptarët në optikën e diplomacisë austro-hungareze 1877-1918”. Verli është ndalur në ngjarje me rëndësi për fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nisin që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Që nga Kongresi i Dibrës, i Elbasanit, kryengritjet e Malësisë së Madhe, Shpallja e Pavarësisë, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ngritja dhe rënia e Princ Vidit etj. Vitet që merr në shqyrtim autori, janë pa dyshim ndër më kritikët për Shqipërinë, por duket se kulmi i kaosit është pikërisht viti 1914, me shpërthimin e kryengritjeve rebele në Shqipërinë e Mesme, apo siç njihet ndryshe si kryengritja e Hazhi Qamilit. Verli merr në shqyrtim këtë periudhë, duke u mbështetur dhe mbi një raport të ambasadorit austro- hungarez në Romë, Von Merey, i cili merr në analizë qëndrimin e Princ Vidit, qeverisë së Turhan Pashës, Esad Pashë Toptanit, politikat e Turqisë, Serbisë, Greqisë dhe Italisë. “Shqiptarët në optikën e diplomacisë austro-hungareze 1877-1918”, vjen në vazhdën e një liste të gjatë botimesh të historianit Marenglen Verli, si “Reforma agrare kolonizuese në Kosovë”, “Shfrytëzimi ekonomik i Kosovës në vitet ’70-‘80″, “Kosova në fokusin e historisë”, “Kosova – sfida shqiptare në historinë e një shekulli” etj. al.mi

MARENGLEN VERLI

FILLIMI I REBELIMIT NË SHQIPËRINË E MESME NË OPTIKËN E DIPLOMACISË AUSTRO-HUNGAREZE (1914)
…Të dhëna të herëpashershme japin informacion lidhur me kërkesat që paraqesin kryengritësit, për praninë gjithnjë më të madhe në Durrës, pas 19 majit (data e arrestimit të Esat Pashës), të anijeve italiane e austro-hungareze të luftës etj. Të dhëna interesante në dokumentacionin diplomatik austro-hungarez janë gjithashtu ato që, krahas qëndrimit ndaj kryengritësve të Shqipërisë së Mesme dhe Esat Pashës, pasqyrojnë qëndrimet e kancelarive të Fuqive të Mëdha dhe personaliteteve të ndryshme përfaqësues të tyre, ndaj Princ Vidit dhe dy qeverive të tij (pas kthimit nga Evropa më 25 maj 1914, Turhan Pasha u caktua të rikrijojë kabinetin, i cili vijoi nga 28 maj deri më 3 shtator. Diplomatët italianë (deri në nivelin e San Xhulianos) dhe rumunë duket se e mbrojnë Esat Toptanin, por ndërsa italianët e denigrojnë Vidin, rumunët nuk e bëjnë këtë. (Vidi ishte nipi i Mbretëreshës Elisabeta të Rumanisë). Esati duket se ka mbështetje edhe në Beograd, Cetinë dhe Athinë. Sipas ambasadorit Merei (Romë), po të realizohej nga Esati një grusht shteti, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, kundrejt ndihmës për të, do të kishin koncesione territoriale. Dokumentacioni të lë të kuptosh se edhe Vjena gradualisht po akumulonte pakënaqësi ndaj Vidit. Së fundi edhe midis figurave të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare vihet re e njëjta gjë. Midis të pakënaqurve figuron edhe Ismail Qemali. Në gjithë këto qëndrime nuk ka asgjë paradoksale, por pasqyrim të pastër interesash. Nëse për qëndrimin e lexueshëm lehtësisht kundër Vidit në Stamboll, Beograd, Cetinë dhe Athinë, apo për qëndrime më të mbuluara të Londrës dhe Romës, argument është mospërputhja e interesave të tyre politike me konsolidimin dhe forcimin e shtetit shqiptar (Turqia, Serbia, Greqia, Mali i Zi), ose me konsolidimin e pushtetit të gjermanit Vid në krye të këtij shteti (Britania e Madhe, Italia), për Austro-Hungarinë arsyeja është tjetër. Përpjekja e Vidit për të respektuar vendimet e Konferencës së Londrës (vendimet e 29 korrikut 1913) dhe Statutin Organik të Shqipërisë (të 10 prillit 1914), si edhe për të ekuilibruar interesat e Vjenës me ato të Romës në Shqipëri sfidonte pretendimet e Vjenës për supremaci të padiskutueshme. Kurse në vlerësimin jopozitiv të I.Qemalit për Vidin ndikonin motive personale dhe të përzgjedhjes rishtaz të aleatit të madh midis faktorit ndërkombëtar. Duke materializuar politikën dhe synimet e tyre në Shqipëri, shtetet e sipërpërmendura ndërmorën hapa konkretë. Sipas dokumentacionit austro-hungarez, qeveria serbe kish futur në veprim agjenturën e saj në radhët e parisë në Kosovë, financonte me 10.000-20.000 napolona ari Aqif Hiqmetin e dërguar nga xhonturqit në Dibër për propagandë dhe për krijim grupesh të armatosura. Gjithashtu, autoritetet serbe nxisnin midis myslimanëve shqiptarë kundërshtimin e Vidit dhe, madje, në viset e Remjes, Ohrit dhe Prespës, i rekrutonin si xhandarë dhe që nga Dibra i kalonin në Shqipëri. Atasheu ushtarak i Austro-Hungarisë në Beograd, majori Galinek, njoftonte shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Vjenë (Conrad) më 29.V.1914, se qëndrimi i Serbisë qysh kur u krijua Shqipëria konsistonte në shtimin e vështirësive për konsolidimin e saj, në dërgimin e armëve dhe municioneve në Shqipëri dhe në veprime që synonin shkatërrimin e shtetit shqiptar. Në të njëjtën kohë me veprimet e serbëve, xhonturqit organizonin në Stamboll e Selanik oficerë me origjinë shqiptare (janë identifikuar disa me origjinë nga trevat shqiptare nën sundimin serb, si Mehmet Arifi nga Tetova, Sait Rifati nga Struga etj.) dhe i dërgonin në Shqipëri. Prania e agjitatorëve të tyre në zonën e kryengritjes konfirmohet edhe nga përfaqësuesi i Austro-Hungarisë në KNK (Kral), i cili i kish konstatuar ata gjatë takimit që përfaqësuesit e KNK kishin pasur më 27 maj me kryengritësit. Më të pakta ishin informacionet për veprimtarinë e Greqisë, preokupim kryesor i së cilës mbetej zotërimi i situatës dhe qëndrimi antividist në Shqipërinë e Jugut. Pasi u sigurua nënshkrimi i Protokollit të Korfuzit përmbajtja e të cilit është e njohur, Athina ruhej për të mos u kompromentuar në treva të tjera shqiptare. Gjithsesi, ngjarjet në Shqipërinë e Mesme për situatën e rëndë në Durrës, sikurse raportonte konsulli i Austro-Hungarisë në Korfuz “u pritën këtu me një gëzim djallëzor”. Veprimet e italianëve janë më të njohurat. Fakte të shumta jepen në dokumentacionin austriak për qëndrimin e diplomatëve dhe ushtarakëve italianë në përkrahjen të Esat Pashës, në komunikim të vazhdueshëm me rebelët, në nxitjen e fshehtë të myslimanëve kundër të tjerëve, meqenëse katolikët konsideroheshin përkrahës të A-H etj. Në linjën e politikës italiane duket se është pozicionuar për momentin edhe I.Qemali, për të cilin Syrja Vlora i telegrafon nga Roma konsullit të përgjithshëm austro- hungarez në MPJ në Vjenë, duke e njoftuar për disa intervista të tij dhe duke rekomanduar që t’i krijohen vështirësi sepse “ai është në opozitë me qeverinë e Shqipërisë”. Dokumentacioni austro-hungarez jep informacion edhe për programin e rebelëve, të shpallur më 3 qershor 1914 në Shijak, në një lloj kongresi, apo mbledhje të përgjithshme. Kjo mbledhje, që zgjodhi kryetar të Qendrës së Përgjithshme të rebelimit esatistin Mustafa Ndroqi, nënkryetar majorin Xhenabi Adili, myftiun e Tiranës Musa Qazimin, Arif Hikmetin dhe Haxhi Adilin dhe komandant të ushtrisë Qamil Haxhi Fezën, të gjithë të konfirmuar si proturq e proesatistë, në programin e miratuar kërkoi: përmbysjen e Princ Vidit dhe qeverisë së tij, bashkimin e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, vendosjen e një princi turk në Shqipëri, përdorimin e flamurit osman në vend të atij shqiptar, përdorimin e gjuhës turke etj. Në këtë mënyrë Vjena tani kishte të pasqyruara kërkesat e kryengritësve, të unifikuara, të cilat deri atëherë i ishin relatuar të pjesshme dhe të ndryshme nga deklarues të ndryshëm. Raporti i 4 qershorit 1914, që ambasadori austro-hungarez në Romë, Merey, i dërgonte qendrës, ishte një analizë e plotë e situatës në Shqipëri të krijuar nga rebelimi në Shqipërinë e Mesme, por edhe qëndrimit që diplomacia e Vjenës po adaptonte ndaj Vidit dhe regjimit të tij. Merey, me anën e këtij raporti, i bënte të ditur Bertholdit se nuk kishte dyshim se për origjinën e rebelimit, në prapaskenë në radhë të parë qëndronin “intrigat turke”. Sipas tij, ky qëndrim lidhej jo me ndonjë dëshirë për ta rifituar Shqipërinë, por me synimin që, përmes një regjimi mysliman në Shqipëri, të kërcënohej Greqia, me të cilën kishte kontradikta për çështjen e ishujve të Egjeut. Për sa i përket Serbisë, analizonte Merei, ajo synonte krijimin e një situate katastrofike në Shqipëri, për të ndërmarrë ndonjë aksion në një kohë të afërt. Më tej ai vërente se rebelimi mund të posedonte edhe një karakter autonom dhe të paraqitej si një manifestim tradicional i anarkisë, protestës kundër taksave, kundër shërbimit ushtarak, për mbrojtjen e islamizmit nga kultura europiane etj. Si faktor që nxiti shpërthimin e kryengritjes, Merey përmend edhe pavendosmërinë e Vidit për të vepruar në disa momente decizive. Sipas ambasadorit, qëndrimi i tij ndaj Esatit dhe rebelëve, “ndoshta e groposi krejt pozitën e tij në Shqipëri dhe në botën e jashtme”… …Për të kapërcyer krizën në Shqipëri diplomati me përvojë rekomandonte një ndërhyrje kolektive, përkatësisht miratimin nga të gjithë Fuqitë e Mëdha të një pranie të plotë të forcave ushtarake ndërkombëtare në Durrës, si edhe zgjerimin e kompetencave të KNK. Shpërthimi i një anarkie të plotë në Shqipëri nuk mund të përballohet vetëm nga Princi dhe qeveria e tij nënvizonte ai, sepse u mungojnë mjetet për të zotëruar me forcë situatën. Mbetet pra të shpresohet te “operativiteti i prestigjit europian” për një ndërhyrje kolektive jo në stil të gjerë. Sidoqoftë “e ardhmja e Shqipërisë…, mua më duket shumë e errët” përfundonte me nota pesimiste Merey analizën e tij, duke shtuar se ngjarjet e ndodhura së fundi në Shqipëri kanë hedhur mjaft hije në relacionet e Vjenës me Romën. Opinionet e ambasadorit Merey pasqyrojnë një vijë të qëndrimeve të Vjenës për çështjen shqiptare, për situatën rajonale, për Vidin dhe faktorin shqiptar etj., të cilët nuk e kishin nën kontroll sikurse pretendonin. Gjithsesi, dokumentacioni austro-hungarez i kohës hedh dritë mbi situatën e vështirë që kalonte Shqipëria në hapat e parë të jetës si shtet i pavarur. Gjashtë muajt e qeverisjes së Vidit mbetet të trajtohen me shumë kujdes dhe protagonistët të marrin vlerësimin realist të merituar.

Ambasadori austriak: Esat Pasha tradhtar, Vidi i paaftë
“Myfit Libohova i kompromentuar, Kryeministri Turhan Pasha një figurë komike me mosdijen e tij absolute”

MBERRITJA NE DURRES E PRINC VIDIT, I PRITUR NGA ESAT PASHE TOPTANI
Raporti i ambasadorit të Austro-Hungarisë në Romë, Von Merey-t, dërguar më 4 qershor 1914 ministrit të Punëve të Jashtme, kontit Berchtold në Vjenë, lidhur me situatën në Shqipëri, shkaqet dhe nxitësit e rebelimeve në Shqipërinë e Jugut dhe Shqipërinë e Mesme, tiparet dhe veprimet e Princ Vidit dhe të qeverisë së tij, shfaqjet e rivalitetit midis Fuqive të Mëdha, interesat dhe ndërhyrjet e Perandorisë osmane dhe shteteve të Ballkanit në Shqipëri etj.

Romë, më 4 qershor 1914 Shkëlqesisë së Tij, zotit ministër të Shtëpisë Perandorake dhe Mbretërore dhe të Punëve të Jashtme, kontit Berchtold!
…Pyetja e parë e cila kërkon përgjigje është ajo që ka të bëjë me origjinën e lëvizjeve aktuale në Shqipëri. Në bazë të të gjitha informatave ekzistuese, besoj se nuk gabohem të supozoj se në prapaskenë, në radhë të parë, duhet të kërkohen intrigat turke. Vlerësoj se kjo nuk ka të bëjë me ndonjë dëshirë të Turqisë për të fituar sërish Shqipërinë. Një iluzion i tillë nuk besoj të ekzistojë tek ajo. Por e gjithë politika turke më duket se aktualisht ndodhet para një problemi. Ajo dominohet prej çështjes së ishujve, dhe kështu, prej kësaj, prej kontradiktave me Greqinë. Duke e parë në këtë prizëm, Shqipëria fiton një rëndësi për Turqinë dhe ka probabilitet që t’i duket e dëshirueshme, edhe në qoftë se jo për ta poseduar këtë vend, të krijojë mundësinë për të fituar influencë, me anë të një regjimi mysliman atje… kështu në rast se do ta lypte nevoja, edhe prej kësaj ane, do të mund ta shqetësonte dhe ta kërcënonte Greqinë. Pas dështimit të puçit të Beqir Agajt në Vlorë, duhej parashikuar se pala turke nuk do të hiqte dorë prej aksioneve identike, eventualisht të një stili edhe më të madh. Por deri në ç’masë operohet tani prej Stambollit me agjitatorët dhe oficerët e saj në Shqipëri, ose lejohet të veprohet për princin Burhanedin ose, më në fund, bashkëveprohet me agjentë serbë dhe madje me tradhtarë shqiptarë të tipit të Esad Pashajt, këto gjëra mund të konstatohen me siguri vetëm e vetëm në vend. Në kryengritjen e tanishme në një lidhje ndofta të jashtme me këto manovra të turqve merr pjesë me siguri edhe Serbia, por në esencë duke ndjekur qëllime të tjera, domethënë atë të krijimit të kushteve katastrofike në Shqipëri. Përforcimet e trupave serbe në kufirin shqiptar, të konstatuara me çudi në këto kohët e fundit nga ne dhe Italia, e paraqesin të afërt fillimin e ndonjë aksioni… Se deri në ç’pikë ka gisht edhe Greqia në këtë lojë, unë nuk e kam të qartë, sado që pretendohet shumë në këtë drejtim. Duke përjashtuar këto ndikime të jashtme, ka probabilitet që lëvizja të posedojë një karakter autonom dhe të paraqitet si një nga manifestimet tradicionale të kushteve anarkike të atjeshme, si një protestë kundër taksave, shërbimit ushtarak dhe “dhuratave” identike të kulturës europiane, të cilat janë të urryera në mënyre të posaçme prej shqiptarëve. Çfarë roli kanë luajtur faktorët e ndryshëm zyrtarë shqiptarë dhe të huaj në përgatitjen dhe shpërthimin e kryengritjes? Sipas përshtypjes që kam krijuar unë dhe kjo për mua nuk erdhi e papritur, Princi (Vilhelm Vid) këtu, për ta thënë sa më butë, nuk u tregua në lartësinë e situatës. Që ai nuk i zbuloi më parë dallaveret që kishin depërtuar deri në rrethin e tij më të afërt, që ai e la Esat Pashën të vepronte lirisht deri në çastin e fundit, që nuk e kuptoi komplicitetin e italianëve, por madje i ka preferuar ata në të gjitha punët, që ai nuk copëtoi qysh më parë nyjen gordiane dhe nuk tentoi, me anën e ndonjë veprimi energjik dhe të guximshëm, t’i afrohej më pranë popullit të tij, dhe në këtë mënyrë të siguronte një përkrahje të konsiderueshme në vend, të gjitha këto janë gabime të hidhura. Gjithsesi, ato mund t’i kishte bërë edhe një burrë më i mençur dhe më energjik se ai. Por, pasi atij, më në fund, i ra perdja nga sytë dhe filloi të lëvizë, duke marrë masa gjysmake, të cilat pjesërisht i prapësoi vetë më vonë, (si rasti kur Esat Pashën e internoi por nuk çeli gjyqin kundër tij dhe lejoi që t’i iknin nga dora provat e tradhtisë së tij), duke mos treguar guxim dhe duke u arratisur për disa orë madje mbi një luftanije, duke disponuar ardhjen e malësorëve katolikë (për mbrojtjen e Durrësit) dhe pastaj duke urdhëruar që ata të largoheshin dhe më vonë, duke kërkuar që të vinin përsëri, duke lejuar të bëhej kundër kryengritësve një sulm i dobët, i pamjaftueshëm dhe që dështoi; të gjitha këto të cilat si seri fatkeqësish mund edhe të vazhdoheshin më tej, ishin gabime të rënda. Ato e kanë dëmtuar rëndë, madje ndoshta e kanë varrosur fare pozitën e tij në Shqipëri, dhe gjithashtu dhe në botën e jashtme. Qeveria shqiptare, që për veprimtarinë e saj të derisotshme është ndjerë përgjithësisht aq pak, e ka përjashtuar në realitet veten vullnetarisht deri tani nga zgjidhja e krizës. Punët e saj të vetme duket se kanë qenë dorëheqjet, rishpërndarja e portofolave dhe rimarrja e funksioneve. Myfit Beu (Libohova) na del mjaft i kompromentuar, Preng Bib Doda figuron gjithnjë si ministër vetëm në letër, më të shumtit e anëtarëve të tjerë të kabinetit janë zero dhe Kryeministri është bërë një figurë komike me mosdijen e tij absolute. Për më tepër ndërmori edhe një udhëtim krejtësisht të kotë nëpër Europë duke prezantuar si këtu si te ne, në mënyrë optimiste gjendjen në Shqipëri, Princin, Esat Pashën, etj. Së fundi, siç e dini Shkëlqesia Juaj, kjo gjë korrespondon me gjykimin tim të atëhershëm, të shfaqur për Turhan Pashën. Për pazotësinë e tij dhe për mungesën e energjisë së tij, unë kam qenë në dijeni. Esat Pasha është një kapitull më vete. Duke e quajtur Princin si një “quantite negligeable”, duke konspiruar me turqit, serbët dhe ndoshta edhe me grekët, ose me probabilitet edhe duke qenë i blerë prej tyre, duke koketuar me italianët, të cilët duan të bazohen tek ai dhe tek elementi mysliman, pashai ushqeu dhe përkrahu kryengritjen. Qëllimi i tij, sigurisht, ishte njëherë për të eliminuar Princin dhe për të sjellë në fuqi një regjim mysliman, por, ndoshta, ka shpresuar që më tej, me anë të kësaj rruge, herët ose vonë, të dalë vetë në krye të vendit. Me gjithë rënien e tij të tanishme, edhe për shkak të dobësisë së Princit, roli i tij në Shqipëri, akoma nuk ka marrë fund. Dhe tani po vij tek organet italiane. Për mua nuk ekziston asnjë dyshim se, qysh me formimin e Shqipërisë, qeveria e këtushme ndjek idenë që të mbështetet mbi elementin mysliman. Dhe kjo për arsye se numerikisht ai element përbën tre të katërtat e popullsisë së përgjithshme, përfaqëson traditën e vendit dhe, më shumë ose më pak, paraqitet më i afrueshëm ndaj Italisë antikishtare. Por, gjithashtu dhe për arsyen se, për shkak të protektoratit të kultit, katolikët shikohen si partizanët tanë dhe, duke joshur myslimanët, Italia dëshiron që të verë një kundërpeshë përkarshi përkrahësve tanë. Ka probabilitet se po këtë qëllim ndjek dhe tentativa e saj për t’u miqësuar me Esad Pashën, influencën e të cilit e çmon shumë lart…
Ambasadori Perandorak dhe Mbretëror Merey

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura