Ali Oseku hap horizontet në Galerinë Kombëtare

May 12, 2011 | 9:23
SHPËRNDAJE
Piktori Ali Oseku

Ky është një nga ato raste kur mund të ulesh në shkallëzat e shtruara me parket në mes të sallës së ekspozitave dhe ta lësh shikimin e mendimin të lirë.Jo rrallë na ndodh që të rrotullohemi përpara një tabloje, në përpjekje për të kapur fillin e mendimit të autorit, apo për të krijuar perceptimin tonë mbi të. Një gjë e tillë nuk ndodh në pikturën e Ali Osekut, sepse ai të vë në dispozicion gjithë hapësirën. Sot, në Galerinë Kombëtare të Arteve, një nga piktorët shqiptarë më në zë, hap një  ekspozitë personale. Pas pikturave tronditëse të piktorit nga Kosova, Muslim Mulliqi, të cilat bartnin tensionin dhe ankthin e njerëzve në prag të një lufte, ia beh një qetësi si pas një stuhie. Tablotë e Ali Osekut janë të përmasave të mëdha. Janë punime të viteve të fundit në vaj mbi kanavacë. Ai nuk vizaton imazhe. Nuk ka njerëz, pyje, shtëpi… rrëmujë, zhurmë e të tjera si këto. Por ka shumë gjendje. Gjendje që krijohen nga horizontet e hapura. Qiell, det, lindje, perëndim, muzg, gri, diell, borë… piktori përdor gjithë ngjyrat e buta, që nga e bardha tek grija, e kaltra, e trëndafilta…, që të japin një ndjesi të thellë paqeje. Profesor Aliu, ashtu si e thërrasin shumica, nuk parapëlqen të flasë shumë për punën e tij. “Kur unë e hap ekspozitën, e kam thënë fjalën time, le të flasin të tjerët për mua”, thotë ai. Veçse nuk lodhet asnjëherë së foluri për librat  pa fund që lexon. Gjithnjë e ka të gatshme një thënie të mençur për çdo situatë. “Tani po punoj për veten”, thotë ai, duke iu referuar gjithnjë të lexuarit. Dhe kjo dije, kjo dëshirë për të rrokur hapësirat, reflektohet në pamjen e tij të butë dhe mjekrën e dendur prej filozofi. Kur sheh punën e takon edhe atë vetë, arrin ndoshta të lexosh më mirë.
Ekspozita që hapet sot e do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 qershor, është e para e tij në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Sipas specialistëve, krijimtaria e tij karakterizohet nga një kërkim, i cili tregon përvojën e gjatë të artistit dhe kultivimin maksimal të pikturës së tij. “Oseku është një piktor që në punën e tij përpiqet të manifestojë si parësore, marrëdhënien artist–vepër arti dhe e bën këtë me thjeshtësi, me një qëndrim gati monokromatik që shfaqet në sipërfaqe të tëra brenda telajos. Piktura e tij karakterizohet nga thjeshtësia në trajtim, përkorësia e skajshme e imazheve dhe dashuria për ngjyrën, si një element bazë piktorik. Të tri këto linja vihen në funksion të prodhimit të hapësirës (ose boshllëkut). Artisti duket se huazon mënyrën e pikturimit te Ekspresionizmit Abstrakt, për ta vënë në funksion të një vepre që njëkohësisht mund të lexohet edhe si jo abstrakte”, thuhet në analizën e Galerisë Kombëtare të Arteve, që shoqëron ftesën për hapjen e këtij aktiviteti. Prej vitesh, piktori është fokusuar në këtë mënyrë te të pikturuarit. Ndonëse nuk e shohim shpesh në ekspozita personale, ai është gjithnjë i pranishëm në aktivitete dhe ekspozita në grup, ku vazhdimisht paraqet ciklet e tij piktorike, mes të cilave edhe ai “Gjurmët”, me të cilin ka fituar edhe një nga edicionet e mëparshme të konkursit të arteve pamore “Onufri”.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura