Akuzohet për masakrën e Lushnjes, Gjykata e Posaçme dënon me burgim të përjetshëm Laert Haxhiun

Apr 24, 2024 | 15:36
SHPËRNDAJE

Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Laert Haxhiun, bën me dije gazetarja, Klodiana Lala.

Laert

Ai akuzohet për atë që njihet se masakra e Lushnjes në shtator të vitit 2017, ku humbën jetë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi si dhe plagosi Marjus Xhepexhiun dhe Bujar Turkut në Lushnjë. Shënjestra ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.

Haxhiu, i njohur ndryshe si “rivali” i Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës.

 

NJOFTIM PËR MEDIAT

  1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e çështjen penale me Nr. akti 4/5/13/47/88, datë 12.2020, në ngarkim të të pandehurit: Laert Haxhiu, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim kryer për hakmarrje”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Xhulio Shkurti, kryer në bashkëpunim të veçantë atë grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2 e 22, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, në dëm të viktimave Zamir Latifi, Jurgen Hoxha, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, e mbetur në tentative, në dëm të shtetasve Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, në lidhje me nenet 22 – 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim në veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278/1, 274, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal” në formën e krijimit, organizimit dhe drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/l i Kodit Penal.
  2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët: Erjon Çela, Atalanta Zeqiraj dhe Flojera Davidhi bazuar në nenet 22, 28/4, 55, 78/2, 79/dh, 333/a/1, 334/1/2 të K.Penal, nenet 4/2, 387, 328/1 shkronja “ç”, 390, 393 dhe 485 të K.Pr.Penale me vendimin Nr. 26, datë 24.04.2024 vendosi:
  3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” për hakmarrje, mbetur në tentativë ndaj viktimës Xhulio Shkurti, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë, në lidhje me nenet 22 dhe 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
  4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, ndaj viktimave Zamir Latifi, Jurgen Hoxha, Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 79/dh, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
  5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
  6. Deklarimin fajtor të të pandehurit Laert Haxhiu për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
  7. Pushimin e akuzës penale në ngarkim të të pandehurit Laert Haxhiu për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 274, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal, pasi ndjekja penale nuk duhet të fillonte.
  8. Në aplikim të nenit 55 paragrafi i parë i K.Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Laert Haxhiu me një dënim të vetëm, atë me burgim të përjetshëm.
  9. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Laert Haxhiu të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.
  10. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit i lihen në ngarkim të pandehurit Laert Haxhiu në mënyrë solidare bashkë me të dënuarit Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi, ndërsa shpenzimet e gjykimit i lihen në ngarkim të pandehurit Laert Haxhiu.
  11. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

 

U shpall në Tiranë, sot më datën 24.04.2024.

 

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

SI NDODHI MASAKRA E LUSHNJES

Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në 11 tetor të vitit 2017, ndërsa dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu, pronari i lokalit ku ndodheshin atë çast dy viktimat, si dhe një kalimtar i rastit, 66-vjeçari Bujar Turku, që po kalonte në atë moment me biçikletë, kanë mbetur të plagosur lehtë. Dy të rinjtë u ekzekutuan me breshëri automatiku në hyrje të lokalit.

Autori zbriti nga një automjet dhe në duar mbante një armë automatike, ndërsa në kokë kishte një maskë të zezë. Ai eci gati 20 metra, duke iu afruar dy të rinjve që qëndronin në kafene dhe menjëherë ka hapur zjarr me automatik. Ai ka lëshuar dy breshëri kallashnikovi, ndërkohë që ka lënë të vdekur në vend Jurgen Hoxhën dhe shokun e tij, Zamir Latifi. Më pas, ai është larguar shumë shpejt në drejtim të daljes së Lushnjës, drejt zonës së ish-Fabrikës së Plastmasit. Zamir Latifit i ishte bërë atentat edhe një herë tjetër, një vit para ekzekutimit.

Ai ishte shok me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, ndërkohë që Xhulio Shkurti mori një plumb në këmbë, ndërsa u plagos edhe Sajmo Xhelili. Xhelili dhe Shkurti kanë edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Dy vjet pas ngjarjes së rëndë, që u quajt edhe si “masakra e Lushnjës”, ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera. Enver Boriçi ishte viktima e radhës e atentateve mafioze, i cili u vra në dhjetor të 2019, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë u ekzekutua edhe Besnik Hida, ky i fundit daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi. Nga Policia u dyshua se vrasja e tij mund të kishte lidhje me vrasjen e Latifit, për të cilin daja i tij kërkonte të bënte drejtësi dhe të zbardhej ngjarja.

Si i shpëtoi atentatit nipi i Aldo Bares

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se masakra e datës 11 tetor 2017 ka pasur si objektiv Xhulio Shkurtin, nipi i Aldo Bares. Vrasja e mbetur në tentativë disa vite më parë ndaj Xhulio Shkurtit, konkludohet se është kryer për hakmarrje, referuar këtu dhe historikut të konflikteve midis familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut. Kjo hakmarrje e ka zanafillën herët, pasi banda e Aldo Bares alias Alfred Shkurti i ka djegur shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, Shkëlqim Haxhiu.

Më pas në janar të vitit 2005, është vrarë djali i xhaxhait të Laertit, Klodian Haxhiu. Në vitin 2016, Laert Haxhiu tentoi të vriste Xhulio Shkurtin, vrasje të cilën nuk arriti ta finalizojë dhe tentoi përsëri në mënyrë të organizuar të finalizojë në vitin 2017, por përsëri pa sukses. Pikërisht, mosfinalizimi i vrasjes së Xhulio Shkurtit, ishte shtysa që Laert Haxhiu të tentonte përsëri për të eliminuar Shkurtin, por këtë radhë në mënyrë më të organizuar. Për të realizuar këtë qëllim, Haxhiu pas shtatorit të vitit 2016 në një kohë të papërcaktuar saktë, ka krijuar një grup kriminal në përbërjen e të cilit ka future lidhjet e tij të ngushta shoqërore, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, për të cilët po vazhdon hetimi nga Prokuroria e Posaçme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura