Aksione blic, shoqërohen mbi 100 persona në të gjithë vendin. Kontrollohen mbi 1800 automjete dhe kapen shuma eurosh

Jan 15, 2022 | 7:53
SHPËRNDAJE

Nga kontrollet blic të Policisë në të gjithë vendin janë arrestuar disa persona në kërkim si dhe janë sekuestruar shuma të mëdha parash. Policia e Shtetit bëri me dije se janë kontrolluar 1872 automjete dhe 134 ambiente të ndryshme, pasi Policia dispononte informacione operative me risk. Në të njëjtën kohë, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin 112 shtetas, ndër ta 32 persona me precedentë penalë/kriminalë.

renea
BILANCI

Gjatë kontrolleve në Fier, nga shërbimet e DVP Fier, në bashkëpunim me FNSH Fier, u kap dhe u arrestua shtetasi E. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të automjetit, në çantën e tij të krahut, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak. Në Shkodër, gjatë kontrollit të automjetit me drejtues shtetasin B. S., 22 vjeç, Policia gjeti dhe sekuestroi shumën 31200 euro. Këtë shumë eurosh, drejtuesi i mjetit deklaroi se e kishte sjellë nga Tirana, për llogari të një shtetasi në Shkodër. Vijon puna për kapjen dhe shoqërimin e tij. Në Vlorë, nga shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me FNSH u kontrolluan banesa të personave në kërkim, njëri nga të cilët u kap në Vlorë, konkretisht shtetasi P. N., me masë sigurie “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Nga Policia Kufitare në Qafë-Botë, Sarandë, u kap shtetasi në kërkim M. S., banues në Dhërmi, Himarë, të cilit Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave dhe stampave” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Himara”, pasi dyshohet se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, vulave, stampave e formularëve, ka tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e ka kaluar në pronësi të tij ose e ka shitur tek persona të tjerë.

Në Tiranë u kapën dhe u shoqëruan për veprime të mëtejshme shtetasit D. S. dhe Sh. H., pasi u konstatuan me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza. Njëkohësisht, në të gjithë vendin u bllokuan edhe 33 automjete pa dokumentacion dhe disa të shpallura “alert”. Kontrollet e befasishme me intervale të shkurtra kohore dhe në lëvizje do vijojnë në të gjithë vendin, edhe në ditët në vijim.

© Panorama.al

Te lidhura