Aksidenti në Tiranë, përleshje në bulevard

Oct 31, 2012 | 12:36
SHPËRNDAJE

Përleshje në Tiranë pas një aksidenti rrugor në bulevardin e kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30, kur tri makina janë përplasur mes tyre në afërsi të urës së madhe te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Burimet e Policisë nga vendi i ngjarjes kanë thënë se një makinë taksi me targa 164 C është përplasur me një automjet “Range Rover” dhe më pas në aksident është përfshirë edhe një mjet tip “Benz”. Aksidenti shkaktoi vetëm dëmtimin e makinave fillimisht, por më pas pasojat e ngjarjes janë rënduar. Pak çaste pas përplasjes së mjeteve, drejtuesit e tyre kanë dalë nga makinat dhe janë përfshirë në një debat të ashpër mes tyre. Brenda pak minutave, debati degjeneroi në dhunë fizike mes personave të pranishëm në vendngjarje. Në ndihmë të secilit nga shoferët kanë shkuar edhe pasagjerët që kanë qenë në makinat respektove. Policia ka mbërritur në vendngjarje disa minuta më vonë dhe, pasi ka qetësuar drejtuesit e mjeteve, ka nisur hetimet në lidhje me aksidentin. Sipas të dhënave të mbledhura deri mbrëmë në mesnatë, shkak i aksidentit ka qenë makina tip “Benz”. Policia tha se ky mjet ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë dhe terrenit të rrëshqitshëm, duke goditur edhe dy mjetet e tjera që kanë hyrë në aksident, “Range Rover” dhe taksinë. Makina që është dëmtuar më shumë nga ngjarja ka qenë taksia, ndërsa një prej mjeteve është përmbysur nga përplasja. Pas sherrit fizik mes personave që drejtonin makinat, drejtuesi i taksisë është dërguar në spital për ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të marra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura