AI: Refugjatët në Ballkan, të rrahur nga policia, të harruar nga Evropa

Jul 7, 2015 | 9:08
SHPËRNDAJE

Mijëra refugjatë, strehimkërkues dhe migrues, përfshirë fëmijë, që po marrin rrugën e rrezikshme nëpër Ballkan, po pësojnë dhunë dhe zhvatje nga autoritetet dhe bandat kriminale dhe janë braktisur turpshëm nga sistemi i dështuar i strehimit dhe migrimit të Bashkimit Evropian i cili i ka lënë ata të kurthuar e pa mbrojtje në Serbi dhe Maqedoni, thuhet në raportin e ri të organizatës Amnesty International.

Dhuna ndaj migruesve dhe refugjatëve në Maqedoni, Serbi e Hungari, dëshmon se një numër në rritje i njerëzve në nevojë, janë lënë në harresë në një boshllëk ligjor gjithandej Ballkanit. Situata është përkeqësuar nga kthimet dhe dëbimet në çdo kufi, qasja e kufizuar në strehim dhe mungesa e rrugëve të sigurta e ligjore në BE.

“Refugjatët që ikin nga luftërat dhe përndjekjet, e bëjnë këtë rrugë nëpër Ballkan me shpresën se do të gjejnë siguri në Evropë, për ta gjetur veten si viktimë të dhunës e shfrytëzimit dhe në mëshirën e një sistemi të dështuar të strehimit”, tha Gauri van Gulik, zëvendësdrejtor i Amnesty International për Evropën dhe Azinë qendrore.

“Serbia dhe Maqedonia janë shndërruar në një batak të vërshimit të refugjatëve dhe migruesve të cilët duket se askush në BE nuk është i gatshëm t’i pranojë”.

Raporti është mbështetur në katër misione hulumtuese në Serbi, Hungari, Greqi e Maqedoni ndërmjet korrikut të vitit 2014 e marsit të vitit 2015 dhe intervistimit të mbi 100 refugjatëve dhe migruesve. Dëshmitë e tyre zbulojnë kushtet tronditëse me të cilat përballen ata që udhëtojnë nëpër rrugët e Ballkanit perëndimorë – që ka tejkaluar rrugën nëpër Mesdhe duke u shndërruar në rrugën më të ngarkuar të kalimit drejt Bashkimit Evropian.

Numri i njerëzve të kapur vetëm në kufirin Serbi – Hungari është rritur për 2 mijë e 500 për qind që nga viti 2010, përkatësisht nga 2 mijë e 370 në 60 mijë e 602.

Rruga që marrin refugjatët dhe migruesit nëpër det nga Turqia në Greqi dhe pastaj në rrugë tokësore nga Maqedonia në Serbi dhe në Hungari, është më pak vdekjeprurëse sesa rruga detare nga Libia, por është e mbushur me rreziqe e pengesa. Që nga janari i vitit 2014, 123 refugjatë, strehimkërkues dhe migrues janë mbytur duke provuar të kalojnë në Greqi nëpërmjet Detit Mesdhe dhe 24 kanë humbur jetën në hekurudha.

“Nga vdekja vijmë  – në vdekje shkojmë”

Ata që arrijnë në ishujt grek – përfshirë fëmijët – përballen me kushte të tmerrshme të pranimit dhe shumica udhëtojnë drejt Athinës, para se të provojnë të kalojnë në Maqedoni, për të vazhduar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në kufirin e Maqedonisë me Greqinë dhe në atë të Serbisë me Maqedoninë, refugjatët dhe migruesit zakonisht janë subjekte të dënimeve të paligjshme dhe keqtrajtimeve nga policia kufitare. Shumë prej tyre detyrohen të paguajnë ryshfete. Një dëshmitar i tha Amnesty International se policia kufitare serbe afër kufirit me Hungarinë, kërcënoi se do të kthejë mbrapshtë gjithë grupin nëse nuk paguajnë secili nga 100 euro.

Një refugjat afgan i tha organizatës se ishte pjesë e një grupi që u kthye mbrapsht në Greqi nga policia maqedonase. “E pashë një njeri të rrahur keq. Ata rrahën djalin tim 13 vjeçar. Ata më rrahën edhe mua”, tha ai.

Disa nga të intervistuarit thanë se janë kthyer prapa edhe nga 10 herë në operacione që janë kryer shpesh në thellësi të territorit të Maqedonisë.

Migruesit, refugjatët dhe strehimkërkuesit thanë se janë shtyrë, qëlluar me pëllëmbë, shqelmuar e rrahur nga policia kufitare serbe në afërsi të kufirit me Hungarinë dhe një refugjat afgan tha se “një grua shtatzënë në muajin e pestë është rrahur”.

Refugjatët dhe migruesit janë të pambrojtur nga zhvatjet financiare nga trafikuesit dhe sulmet e bandave kriminale. Dy nigerian i thanë organizatës se ishin ndaluar në Maqedoni. “Nëntë veta na sulmuan me thika. Në shkuam në polici të kërkojmë ndihmë… por ata na arrestuan”. (VOA)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura