“Ai po na hap probleme, kush e paguan?”, ja sa burg kërkohet për ish-shefin e Policisë së Tepelenës

Apr 11, 2018 | 9:54
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata e Krimeve të Rënda kërkon 8 vjet burgim për ish-shefin e Komisariatit të Policisë në Tepelenë, Gani Abazin, i cili akuzohet se ka bashkëpunuar me disa kultivues të lëndëve narkotike.

auto_Kanabis-Tepelene-61491132857

 

Bëhet fjalë për një operacion antidroge të Policisë dhe Prokurorisë në vitin 2016-të, ku në pranga ranë Gani Abazi, Besim Zika, Pëllumb Rona dhe Festim Rona.

Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 9 vjet burgim për Besim Zikën, i cili konsiderohet si kreu i grupit të strukturuar kriminal dhe nga 8 vjet për Pëllumb Ronën dhe Festim Ronën.

Gani Abazi, i gjykuar në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, kishte njohje me kultivuesit dhe kishte dalë garant që Policia nuk do t’i prekte. Si provë për Prokurorinë janë disa përgjime të komunikimeve me telefon të datave 20 dhe 27 korrik 2016- të, si edhe të datave 2, 3 dhe 14 tetor 2016-të.

Sipas Prokurorisë, këto prova vërtetojnë se bashkëbiseduesit e shtetasit Besim Zika, që përdorin emrat Muharrem, Festim, Fatos, Agush, Arlimli, Ladi, djali i tezes së Besos, Kadri Endri etj., janë përshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, personi kryesor që drejtonte grupin është Besim Zika. Ky i fundit i krijonte sigurinë pjesëtarëve të tjerë që të bënin kultivimin e bimës narkotike. Ndërsa sigurinë e merrte nga punonjësi i policisë, Gani Abazi.

Më tej, në materialin prej 12 faqesh, prokurori i çështjes Vladimir Mara, shpjegoi se i pandehuri Besim Zika ka disa stalla bagëtish në fshatin ku u sekuestrua droga, ndërsa tharja e bimës narkotike është bërë pikërisht në një nga këto stalla që ka qenë në pronësi të tij. Gjithashtu, edhe në një nga thasët e gjetur me bimë narkotike, shkruhej emri i Besim Zikës.

PËRGJIMET

Ish-polici, Gani Abazi, është përgjuar në një bisedë me Besim Zikën, ku ky i fundit i ankohet për disa zyrtarë vendorë, që u bënin presion fshatarëve që kultivonin drogën për llogari të tij. Ai i tregon policit se i paguante këta zyrtarë që të mos kallëzonin plantacionet e kanabisit.

Telefonuesi1: Alo, ej merre urgjent Ganiun në telefon, se më tha që s’po i hap telefonin.

Besim Zika: Kë Gani, atë policin?

Telefonuesi1: Po ore kë tjetër, atë policin.

* * *

Besim Zika: O Gani jam Beso.

Gani Abazi: Ke ndërruar numër ti, nuk më përgjigjeshe.

Besim Zika: Jo more, këtë numër kam 1 vit që e kam. E ndryshova atëherë.

Gani Abazi: Se dija, po ç bën si je ti?

Besim Zika: Mirë, ja po vijë andej.

Gani Abazi: Po pse na hap kështu problemesh?

Besim Zika: Nuk i hap unë këto probleme, i hap Hazizi. Ai çuni i komunës.

Gani Abazi: Për këtë doja të pyesja unë, atë e paguan ti? Po mirë, ai ça do që i bën presion fshatarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura