Ahtifete Jahjaga: Beteja ime personale për gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës së Kosovës

May 16, 2018 | 18:20
SHPËRNDAJE

E ftuar në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, nën moderimin e shefes së Departamentit të Komunikimit Belina Budini, ishte ish-presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga.

Jahjaga foli për pesë vitet kur ajo ushtroi detyrën e Presidentit të Republikës, duke u ndalur veçanërisht në punën e bërë mbi njohjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Dy vjet pas përfundimit të mandatit, ajo ka themeluar një fondacion që ka për qëllim të çojë përpara përkushtimin e saj në këtë sferë delikatë të shoqërisë kosovare dhe rehabilitimit të këtyre viktimave, të cilat vonë janë njohur si viktima civile të luftës.

d98cf71d-1019-493c-917e-a7db7d3c192f

Kishte vetëm një javë që ishte betuar si Presidentja e Re e Republikës së Kosovës, në vitin 2011, kur në zyrën e saj vjen në telefonatë një grup grash të Drenicës. Kërkesa e tyre ishte të takoheshin personalisht me presidenten e të diskutonin me të – si gruaja me gruan – mbi një temë që kishin 13 vjet, të cilën e mbanin të heshtur.

Nga rrëfimet e 36 grave, Presidentja Jahjaga do të mbetej e tronditur thellë, tronditje të cilën ajo e quajti përpara studentëve dhe pedagogëve të Universitetit Europian të Tiranës si një pikë kthese. “Jo vetëm si Presidente e Republikës së Kosovës atëkohë, por edhe si një grua, e cila ka jetuar të gjithë jetën e saj në Kosovë, sidomos gjatë dhe pas luftës”.

Ishte 35–vjeçare atë kohë, liderja më e re në botë, kur do të dëgjonte se një bashkëmoshatare e saj, një nënë 37–vjeçare ishte përdhunuar në të njëjtën ditë së bashku me tri vajzat e saj; të madhen 17-vjeçare, të dytën 15 e të tretën 13-vjeçare me Sindromën Down. E ëma e gruas dhe gjyshja e vajzave që dëshmoi me sy tmerret brenda shtëpisë, e pamundur të gjente kuptim dhe fjalë ngushëlluese për të dashurat e saj, vendosi t’i japë fund jetës duke u vetëvrarë. Këto dhe të tjera e të tjera tmerre e bënë që të merrte një obligim personal, një luftë që do e luftonte në çdo hallkë.61fc4766-f86a-422b-a78c-1ee884acf096

“Motra, nëna, vajza, gra, kanë jetuar në atë kohë, 13 vite pas luftës në mëshirën e askujt, të stigmatizuar nga shoqëria, të refuzuar nga familjet e tyre dhe çështja e dhunimit në ka qenë temë tabu për shoqërinë e Kosovës, sepse e kemi vendosur fajin te viktima, në vend që ta vendosim fajin aty ku duhet; te kryerësit e këtyre veprave makabre, forcat paramilitare e militare të aparatit të shtetit serb, që dhunimin e kanë përdorur si mjet lufte ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës. Ai takim ka qenë pikë kthese dhe e kam marrë si obligim jo vetëm kushtetues e ligjor, por moral që si grua e atij vendi të mundohet të zgjidhë statusin e të mbijetuarave të dhunë seksuale gjatë luftës”- vijoi Jahjaga, duke shtuar se edhe sot, 19 vite pas përfundimit të luftës, ka ende me mijëra persona, saktësisht 1600, që rezultojnë të zhdukur në varrezat masive të Kosovës dhe të Serbisë. “Jemi ballafaquar me refuzimin e Serbisë për të ndarë të dhënat e të hapë dosjet për të gjetur pjesët e mbetura të familjarëve tanë”.

Nga statistikat, Jahjaga zbuloi se bëhet fjalë për mbi 21 mijë gra e burra, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, ku një mijë prej tyre numërohen të jenë burra. Në Kosovë, dhunimi ka qenë një armë e pastër e luftës.

Ndërsa të pranishmit ndoqën dokumentarin mbi ndërtimin e instalacionit “Thinking of You- Duke menduar për ju”, ku artistja nga Kosova me banim në Londër, Alketa Xhafa Mripa nderi me mijëra fustane në stadiumin e futbollit të Prishtinës si homazh për të gjitha ato viktima të dhunës seksuale të luftës, Jahjaga e cila dha të gjithë mbështetjen e saj për këtë projekt, thotë se dokumentari është transmetuar tashmë në 24 shtete me qëllimin për të adresuar fenomenin e dhimbshëm e për t’i njohur ndërkombëtarisht viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, si viktima lufte dhe përdhunimin si krim lufte.

Artistja konceptuale së bashku me ekipin e saj udhëtuan, të ndjekura hap pas hapi nga kamera, në çdo qytet të Kosovës duke mbledhur fustane, që qytetarë të thjeshtë, aktiviste të shoqërisë civile, gra të politikës etj., dhuruan në shenjë simbolike të dhunës, por edhe të rezistencës, sidomos të atyre 300 grave që kanë gjetur guximin të denoncojnë dhunën. Në dokumentar, zërat pa figurë thoshin se dhuna që kishin pësuar ishin njëlloj si vdekja, me ndryshimin se këto të mbijetuara e mbartnin vdekjen mbi supe çdo ditë në formën e dhunës.

Përballë, ato që dorëzonin fustane, që përloteshin, që përqafonin dhe përgëzonin artisten për nismën nuk guxonin të dilnin e të pranonin se kishin qenë viktima të asaj dhune.

Ka pasur raste, rrëfen Jahjaga ku vajzat në Kosovë janë urdhëruar prej familjarëve të dalin prej shtëpisë, sepse dhuna e pësuar ka qenë njollë turpi për familjen, gra që janë divorcuar dhunshëm prej bashkëshortëve. “Nuk jam pajtuar dot me këtë trajtim që u është bërë vajzave dhe nënave tona dhe ku ishte qëllim i dokumentarit për të adresuar stigmën te qytetarët e Kosovës se nuk është turp të flitet për dhunimin që u ka ndodhur nënave dhe motrave kosovare, se nuk ishte faji i tyre, por i atyre që kanë ushtuar dhunë ndaj popullsisë së pafajshme”.

Veprimin e parë publik e ndërmori në vitin 2012, përmes Kongresit Ndërkombëtar të Gruas që u organizua, me nismën e Sekretares Madlaine Allbright në Prishtinë, ku morën pjesë 109 shtete.

Aty u hodhën disa parime për herë të parë, në mënyrë që të njihej statusi i të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës si viktima civile të luftës. “Si qytetarë dhe institucione i kishim njohur të gjitha kategoritë e luftës, nga veteranët etj., por nuk e kishim njohur statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si kategori e veçantë”.

Jahjaga kujton me sa trishtim e priti reagimin e deputetëve në Parlamentin e Kosovës. “Nuk e kam besuar dot nivelin aq të ulët të debatit ku deputetët e Parlamentit të Kosovës ngritën zërin duke kërkuar që, 13 vite pas luftës, secila grua t’i nënshtrohet ekzaminimit gjinekologjik mjekësor dhe nuk i kam besuar vetes nga ajo që kam dëgjuar”.

Prej asaj kohe, nisi lufta e hapur jo vetëm me institucionet, por edhe me qytetarët, të cilët në opinionin e përgjithshëm prireshin të fajësonin viktimën.

Në vitin 2014 iu desh të analizonte kompetencat kushtetuese e ligjore, me qëllim që të vepronte në mënyrë institucionale.

“Më 2014-ën, themelova Këshillin Kombëtar të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës dhe, një muaj më pas solla në tavolinë të vendimmarrjes kryeministrin, qeverinë, ministrat, shoqërinë civile, bashkësinë ndërkombëtare dhe mediat. Një muaj më pas përfundoi ligji për njohjen ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale të luftës si viktima civile, që u jep të drejtën ligjore të të mbijetuarve të luftës”.

Ligji u garanton viktimave një pension mujor nga buxheti i shtetit të Kosovës. “Nuk është shumë që kam pritur, por është vetëm fillimi i rehabilitimit të këtyre viktimave”.

Jahjaga thotë se ka 300 gra që kanë aplikuar për të drejtën e tyre ligjore, por që ky nuk është një numër përfundimtar. “Kemi shumë punë për të bërë sa i përket adresimit të stigmës; janë me mijëra me të cilat kam biseduar personalisht dhe kanë pranuar dhe nuk e kanë përdorur të drejtën ligjore për shkak të stigmës, që do të qëndroj fatkeqësisht brenda shoqërisë”.

Hapi i parë është ai i pranimit, por hapi i dytë, ai më i rëndësishmi i ndëshkimit të përgjegjësve të këtyre krijimeve të dhunës seksuale nuk ka ardhur ende.

“Askush nga këta fajtorë nuk është ballafaquar me drejtësinë. Nuk kemi asnjë rast të vetëm që ka rezultuar me dënim qoftë në gjykatat e Kosovës, Serbisë apo ato ndërkombëtare. 19 vite pas përfundimit të luftës nuk njihet ky krim, se dhunimi ka qenë mjet lufte në Kosovë. Kemi publikimin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ku Kosova injorohet dhe anashkalohet sepse nuk është vend i Kombeve të Bashkuara dhe nuk potencohet se dhunimi është përdorur si armë lufte”.

Vitin e kaluar, rrëfen Jahjaga kishte një përpjekje për ta çuar dokumentarin në Beograd, në kuadër të promovimit të një librit me rrëfime të të mbijetuarave të dhunës seksuale. Por Jahjagës iu mohua kalimi në shtetin serb nga autoritetet. “Kjo tregon se ai shtet nuk është ende i gatshëm të ballafaqohet me atë që ka bërë ndaj Kosovës dhe rajonit”.

Bëhet fjalë për 20 mijë viktima të luftës në Kosovë, 44 mijë në Bosnjë dhe 7 mijë viktima në Kroaci. “Kemi të bëjmë me një kulturë të mosndëshkimit që dominon për më shumë se 3 dekada në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore dhe kemi shumë punë si shtet e institucione, por punë të madhe ka edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila e ka administruar Kosovën pas përfundimit të luftës me kompetenca ekzekutive deri më 2008-ën dhe këto raste kanë qenë edhe kompetencë e bashkësisë ndërkombëtare, që e kanë neglizhuar këtë krim që është përdorur si armë lufte dhe në protokollet ndërkombëtare ka pasur tendencat që Kosova të anashkalohet”.

Pas përfundimit të mandatit, Jahjaga po e vazhdon këtë luftë tashmë personale. Ka vendosur të lërë karrierën politike e t’i përkushtohet aktivizmit në shoqëri, duke themeluar fondacionin “Jahjaga”.

Ky angazhim ka shkuar edhe përtej kompetencave kushtetuese dhe ligjore. “Edhe në 2011 nuk ishte obligim kushtues dhe ligjor i presidentit, por ishte moral për mua dhe tanimë është bërë çështje personale”.

Një luftë që po e lufton me institucionet e brendshme e deri në nivel ndërkombëtar. “Dhe nuk do të pushoj asnjë çast derisa të rregulloj çdo viktimë brenda Kosovës dhe jashtë, derisa të vendoset drejtësi ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura