Agim Doçi e Flamur Shehu: Shpresojmë që juria të dëgjojë preferencat e publikut, nuk kemi frikë asnjë këngë!

Dec 23, 2017 | 14:42
SHPËRNDAJE

Këtë festival, mbushin plot 40 vjet pjesëmarrje. Agim Doçi merr pjesë me dy tekste, “E dua Botën” nga Artemisa Mithi me muzikë të Flamur Shehut dhe “Ra një yll” me muzikë të Edmond Zhulalit, kënduar nga Rezarta Smaja dhe Luiz Ejlli. Si ndjehen dy mjeshtrat e këngës, Agim Doçi dhe Flamur Shehu këtë festival, çfarë shohin ndryshe në këtë sipërmarrje gjigande artistike, në krahasim me vitet e tjera. Ne iu morëm një intervistë të përbashkët.

Jemi në Festivalin e 56- të të këngës në RTSH, ndërkohë që ju festoni 40- vjetorin e pjesëmarrjes në këtë festival, me tekste apo dhe muzikë. Si ndjeheni?

Agimi dhe Flamuri: Ndjehemi shumë mirë falë punës së palodhur të stafit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, regjisorit të madh Pali Kuke, skenaristit Adi Krasta, drejtorit të Festivalit Martin Leka, drejtorit artistik Sokol Marsi, maestros së orkestrës dhe bandit Elton Deda. Prandaj kemi besim të plotë se ky festival e ka të garantuar suksesin.

Padyshim 40 vite janë shumë, por ju me siguri veçoni ndonjë moment të rëndësishëm në këtë karrierë të gjatë. Do donit ta ndani me ne?

Dashamirësit e muzikës, padyshim, kujtojnë çmimet fituese të Flamur Shehut dhe tekstet fituese të Agim Doçit, në 40 festivale. Jetëgjatësia e këngve tona, përfaqëson më së miri, vlerat e krijimtarisë tonë, po kështu edhe të autorëve të tjerë të nderuar.

Kush është zëri më i bukur në këtë festival, sipas jush?

Sipas nesh, zëra më të bukur të këtij festivali janë Rezarta Smaja, Artemisa Mithi, Eugen Bushpepa, Bojken Lako etj..

Meqë në Festivalin në RTSH synohet Eurosongu, nga eksperienca juaj çfarë mendoni; më shumë shanse për sukses atje ka një këngëtar me eksperiencë, apo një i ri?

Ne mbështesim të rinjtë më së shumti. Janë të aftë, befasues dhe përballojnë të kënduarit live, që nuk është shumë e lehtë.

Çfarë ka ndryshe ky festival në krahasim me të mëparshmit, jo vetëm për pjesën e spektaklit, por edhe elementët profesionalë?

Ka një ndryshim të dukshëm ky festival në krahasim me paraardhësit. Shohim një angazhim impresionues të Radio Televizionit Shqiptar dhe të stafit drejtues. Me të vërtetë ka një angazhim maksimal.

Me siguri ju e synoni çmimin e parë, sa shanse mendoni se keni tani që keni dëgjuar edhe këngët e tjera? Cilës këngë ia keni frikën që mund t’jua rrëmbejë këtë çmim?

Juria do ta vendosë çmimin e parë, ne nuk mund të deklarojmë preferencat tonaPor ama frikë nuk kemi asnjë këngë. Lusim Zotin që juria të jete kompetente që të bëjë vlerësimin e duhur dhe të dëgjojë preferencat dhe reagimin e publikut artdashës të këngës.

Deri kur keni menduar të jeni pjesë e muzikës dhe e kompeticioneve? A ka një moment lodhjeje apo konsumimi në këtë punë?

Ne të dy, sa të jemi gjallë, do krijojmë këngë për t’ua lënë në bursë njerëzve

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura