Afishet e filmave, si realizoheshin në diktaturë

Apr 16, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Në qendër duhej të ishte patjetër heroi pozitiv. Ai negativi, diku andej në sfond. Në asnjë mënyrë ata nuk duhej t’i jepnin dorën njëritjetrit, madje as nuk duhej të uleshin në një tavolinë.

Lufta e klasave duhej të ishte e dukshme edhe në posterat e filmave. Dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap ekspozita “Arti dhe Dizajni i Filmit Shqiptar – Vepra të Përzgjedhura nga Vitet e Kinostudios”, fryt i një bashkëpunimi mes tri institucioneve: GKA-së, Arkivit Qendror të Filmit dhe Universitetit të Arteve.

Nën kurimin e kineastit shqiptaroamerikan Thomas Logoreci, publikut i prezantohen mbi 100 afishe filmash artistikë me metrazh të gjatë, vizatimorë apo dokumentarë. Ekspozita ndjek një logjikë kronologjike, që te filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana”, te bashkëpunimi i parë shqiptaro-sovjetik, i vitit 1948, deri në ditët tona, ku kinemaja e re vjen simbolikisht me posterin e filmit “Bota”.

ekspo1

Nuk është hera e parë që ekspozohen postera filmash, por ajo çka e bën të veçantë këtë ekspozitë dhe e bën të “ndihet” mirë në sallën e GKA-së, është pikërisht fakti që pjesa më e madhe e këtyre veprave janë realizuar me dorë nga piktorët shqiptarë, të cilët kanë punuar në ish-Kinostudio.

Janë vepra të mirëfillta të realizuar nga piktorë si Alush Shima, Namik Prizreni, Shyqyri Sako, Azis Karalliu, Arben Basha, Kleo Nini etj. Mes qindra posterave që ndodhen në fondin e AQSHF-së, Logoreci, nxori në dritë këta postera të harruar, një pjesë e të cilëve kishin nevojë edhe për restaurim.

“Më trishtonte fakti që të rinjtë mund të njihnin posterin e ‘Padrinos’, por jo të filmave të parë shqiptarë. Ndaj kjo ekspozitë merr edhe një tjetër vlerë dhe u drejtohet të gjithëve, që nga gjyshërit, te më të rinjtë”, tha Logoreci, me shpresën që kjo ekspozitë të mund të udhëtojë edhe në vende të tjera për të treguar standardin e kinematografisë shqiptare.

AFISHET E DIKTATURËS

Nga posterat e disa prej filmave të njohur të Kinostudios, deri tek ata që nuk u shfaqën kurrë. Nga Tana me gërsheta të artë, mbështetur në gjoksin e Naim Frashërit, teksa shihet vëngër nga Kadri Roshi, te Deda në majë të shtyllës, Ollga dhe Meli me valixhe në duar, Rajmonda Bulku duke vizatuar yllin me pesë cepa te “Nusja dhe shtetrrethimi”, Ndriçim Xhepa me Fluturën në kabinë, Agim Qirjaqi mes “violinistëve” të patalentuar, Kastriot Çaushi në pritje të shirave të vjeshtës, Taulanti në kërkim të motrës, Eva Alikaj përballë “Njeriut të mirë”, “Skëterra” e ndaluar e Bashkim Shehut, e shumë të tjerë, për të arritur te filmat dokumentarë për fazanët, puset e naftës, shërbimin urban, biseda për tufëzat, apo filmat vizatimorë, shumë të këndshëm për kohën. Ngjyra dominuese ishte e kuqja, edhe në ato raste kur përmbajtja e filmit nuk ishte heroike.

ekspo2

Në shumë prej tyre, krahas realizuesve të filmit, aktorëve kryesorë, shkruhej edhe: “Film shqiptar me ngjyra”. Dy prej piktorëve të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, Azis Karalliu dhe Arben Basha, u shprehën dje për gazetarët se nuk qe edhe aq e thjeshtë të realizoje një poster, së pari sepse përmasat e tij ishin të kufizuara (50X70), por edhe sepse kalonin në komisione pas komisionesh.

Azis Karalliut i kujtohet jo rrallëherë kur i janë kthyer posterat mbrapsht, pasi gjithnjë do të gjendej diçka që nuk shkonte, një diell i bardhë, një personazh negativ që ishte më i dukshëm se ai pozitiv.

“Nuk mund të dilje jashtë kornizave. Duhej të ishte sa më realiste. Në qendër duhej të ishte heroi pozitiv. Njëherë më kanë hapur probleme për një poster me Bujar Lakon, pasi më thanë që ne nuk bëjmë filma për individë. Duhej që posterat të ishin sa më masivë. Komisionet ishin të tmerrshme, sepse ata s’kishin punë tjetër, merreshin vetëm me ne”, kujton Karalliu. Kurse Arben Basha thotë se absurditeti dhe censura ishte aq e madhe, saqë në një poster nuk mund të vendosje kurrsesi një personazh pozitiv duke takuar një negativ.

NJË EKSPOZITË UNIKE

Por, pavarësisht politizimit, ato mbeten vepra arti të mirëfillta. Për drejtorin e GKA-së, Artan Shabani, kjo ekspozitë është e denjë “të prezantohet edhe përtej Shqipërisë, pasi është unike, në format, në gjuhën dhe historikun që mbart. Kemi një grup të madh piktorësh profesionistë, të cilët i kanë dedikuar jetën, pasionin e tyre dhe i kanë lënë një shenjë të fortë pikturës brenda artit të kinematografisë.

Këto janë vepra të mirëfillta, të cilat meritojnë të jenë edhe pjesë e një linje muzeale, por gjithashtu përfitoj nga rasti të theksoj që ka ardhur koha të konceptohet dhe realizohet një muze dedikuar historisë së kinematografisë shqiptare”, tha Shabani. Përballë këtyre posterave, drejtorja e AQSHF-së, aktorja Elvira Diamanti, është edhe më nostalgjike.

Ajo kujton kohët kur afishet ishin të vetmet mënyra komunikimi me publikun, ndryshe nga sot, kur, sipas saj, kjo gjini është lënë disi pas dore, për shkak të mjeteve të pafundme të komunikimit.

“Një nga pasuritë e arkivit janë edhe posterat dhe unë mendoj se ky ishte momenti më i mirë për ta prezantuar këtë pasuri nëpërmjet kësaj ekspozite, pra, për t’u dhënë vlerën e vërtetë këtyre veprave të artit”, tha ajo.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura