A po zbatohen udhëzimet e OKB

Apr 11, 2024 | 7:53
SHPËRNDAJE

MIMOZA DAJÇIMIMOZA DAJÇI

Pas ardhjes në pushtet të diktaturës së proletariatit, deri në vitin 1991 në Shqipëri “u aplikua” edhe zhdukja e personave të vrarë pa gjyq. Kanë kaluar 8 vite kur një thirrje e OKB, tërhoqi vëmendjen autoriteteve shqiptare se duhet të sigurojnë më shumë shpërblim për familjet e 6000 njerëzve të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Ky lajm u bë i njohur pas vizitës njëjavore në Shqipëri nga drejtuesja e OKB-së, Houris Es-Salmi. “Ka ardhur koha – tha ajo – që Shqipëria të kthejë këtë faqe të dhimbshme të së kaluarës. Të gjithë personat e zhdukur dhe familjarët e tyre citon të ketë thënë Salmi kanë të drejtën e dëmshpërblimit, mirëkuptimit, rehabilitimit dhe garancisë për mospërsëritje të këtyre krimeve”

Koha tregon të kundërtën. Këto thirrje e udhëzime të komunitetit ndërkombëtar akoma nuk po zbatohen në Shqipëri. Atje ka shumë probleme që janë lënë “në harresë” e vendi mbulohet nga korrupsioni galopant, krimi i organizuar dhe krimi brenda familjes.

Edhe pse Shqipëria kaloi diktaturën më të egër në Europë, përsëri akoma qeveritë e saj nuk kanë përfunduar procesin e dëmshpërblimeve për ish-të burgosurit dhe internuarit politikë, pjesa dërmuese e të cilëve janë larguar e po largohen nga kjo jetë me shpirt të vrarë e copëtuar, pa marrë as shumën financiare që u takonte nga torturat e vuajtjet e tmerrshme që kaluan nëpër birucat, burgjet e kampet e përqendrimit…

Është hapur muzeu tunel–bunker i nëndheshëm i ish-qeverisë komuniste në Tiranë, por aty nuk pasqyrohen gjithë plagët që i janë shkaktuar padrejtësisht popullit tonë nga ai regjim monstruoz, i cili sa më shumë të ishte vonuar, aq më tepër viktima e të burgosur politikë do të kishim. Të gjithë do të kalonim nëpër atë gijotinë, që vlonte mes spiunimeve dhe letrave anonime. Një zinxhir i tërë i shërbente Sigurimit të Shtetit në Shqipëri. Ishte krijuar industria e spiunazhit, zhdukjeve e vrasjeve me edhe pa gjyq.

Në mbështetje të OKB-së për të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri dhe për të zgjuar qeverinë shqiptare nga gjumi letargjik, një dokumentar mbi këtë temë ka realizuar edhe TV i BBC-së në vitin 2018. Ku protagonist janë kryeministri Edi Rama, ish-i internuari politik Simon Miraka, ish-i burgosuri politik gjeneral Rahman Parllaku, ish-i burgosuri politik Saimir Maloku, drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula, gazetarja M. Dajçi dhe ishzv.ministri Nikolin Kurti. Por akoma nuk po shikojmë dritë në fund të tunelit për realizimin e udhëzimeve të OKB-së.

Sa vjen koha e fushatave, qeveritë fillojnë u hedhin një sasi parash ishtë dënuarve politikë dhe vetëm kaq. Janë 50 vite mizori, krime pa fund. Kujt i duhet t’i kompensojë përveç qeverive që shkojnë e vijnë sipas oreksit të tyre e aspak për vuajtjet e popullit. Çdo “thirrje” shkon në vesh të shurdhër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura