A po jetojmë nën “diktaturën” e bankave?

May 11, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

fabian-zhillaNGA FABIAN ZHILLA/ Fatkeqësisht, shoqëria ndihet e nervozuar nga shërbimet tejet të lodhshme të ofruara nga sistemi bankar. Dhe nuk ka mundësi të gjej zgjidhje për të dhe ndihet e dorëzuar. Mjafton të hedhësh sytë jashtë degëve të bankave në kryeqytet dhe aty do të gjesh radhë të gjata njerëzish. Të zë tmerri kur mendon se do të duhet të bësh një veprim në bankë.

Justifikimi që dëgjon për këtë problematikë është se rritja e burokracisë në sistemin bankar ka ardhur si pasojë e ndryshimeve dhe kërkesave ligjore kundër pastrimit të parave. Kuptohet se për të shmangur ekonominë gri të gjitha konventat ndërkombëtare dhe institucionet që monitorojnë luftën kundër pastrimit të parave si “Moneyval”, GRECO dhe FATF kërkojnë dhe rekomandojnë që shtete, përfshi së fundmi edhe Shqipërinë, të forcojnë legjislacionin për të bërë të mundur “gjurmimin” dhe “evidentimin” e parave të pista.

Në një ekonomi me informalitet të lartë ku qarkullim i parave jashtë sektorit bankar është gati 40%, këto masa janë të mirëpritura. Por, nga ana tjetër, përveç arsyeve që lidhen me të ardhurat nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, nuk ka një studim serioz mbi faktorët që do të motivonin atë pjesë të shoqërisë që burimin e të ardhurave e ka të ligjshëm, t’i integrojë ato në sektorin bankar.

Gjithashtu, mungon edhe një vlerësim i sjelljes së klientëve që përdorin sistemin bankar. Paçka se ata janë zbatues të ligjit, mbetet e paqartë se sa të mbrojtur ndihen ata përballë interpretimit të ngushtë ligjit nga sistemi bankar apo sistemi financiar në përgjithësi. Çdo masë represive duhet të shoqërohet me mbrojtjet e nevojshme ligjore dhe institucionale ndaj përdoruesit fundor të këtyre shërbimeve të cilat sa vijnë dhe komplikohen.

Në të kundërt kërkesat drakoniane për formalizmin e tregut bankar mund të shtyjnë edhe atë pjesë formale të shoqërisë të përpiqet të shmangë sa më shumë të jetë e mundur sistemin bankar, duke e shtyrë atë drejt tregut të zi i cili është shumë më i shpejtë, ka më pak burokraci dhe ofron konfidencialitet të plotë. Pra, në vend të vëmë vetullat po nxjerrim sytë.

Problemi kryesor nis që te kontrata thelbësore, ajo midis klientit dhe bankës. Në të gjithë këtë marrëdhënie klienti është më i pambrojturi përballë bankës dhe procedurave burokratike të saj. Për qëllime pune mu desh të lexoj një “Kontratë të Shërbimeve Bankare Individuale”. Në demokraci mund të ketë forma të fshehta të kufizimit të lirive individuale dhe kjo është një prej tyre. Kur lexova kontratën të dukej vetja si dikur në diktaturë kur dikush pranonte të nënshkruante burgimin e tij, duke pranuar se kinse kishte kryer agjitacion dhe propagandë.

Nga rreth 27 pika vetëm 5 kishin të bënin me detyrimet e bankës ndaj klientit. Më pas një seksion i kushtohej “dhënies së pëlqimit paraprak mbi të dhënat personale”. Banka nuk mban thuajse asnjë përgjegjësi nëse Klientit i vidhet llogaria bankare online nëse ai nuk ndjek udhëzimet e saj, të cilat ishin jo pak, por 33 të tilla. Dhe që pa dyshim do ishte e pamundur që një klient që i vidhet llogaria të mos ketë shkelur një nga këto rregulla. Me pak fjalë e ashtuquajtura kontratë nuk është kontratë, por një autorizim që klienti heq dore nga të drejtat e tij.

Dhe në çdo rast, banka është tërësisht e mbrojtur dhe Klienti tërësisht në mëshirë të fatit duke shkelur kështu një ndër parimet thelbësore të kontratës, i cili është barazia e palëve në të drejta dhe detyrime (laesio enormis). Nëse do të guxosh të mos e nënshkruash kontratën siç guxova edhe unë, orët e tëra të pritjes në radhë do të shkojnë dëm dhe ti do sorollatesh sa nga një punonjës në tjetrin, të cilët vetëm ngrenë supet dhe nuk te japin zgjidhje.

Nuk po listoj këtu tarifat e shërbimit që një klient duhet të paguajë për rihapje karte, humbje karte, hapje, mbyllje llogarie, pagesë mirëmbajte llogarie për çdo monedhë, ndërkohë që është e paqartë se çfarë kostosh ka banka për mirëmbajtjen e këtyre llogarie në një kohë ku teknologjia pretendohet të ketë sjellë kursime në kohë dhe burime njerëzore. Për të adresuar këtë situatë disa nga pyetjet që mund të ngrihen janë këto:

1-A ka detyrim Banka Qendrore të gjejë një mënyrë interpretimi të Ligjit për Bankën e Shqipërisë ose të kërkojë ndryshimin e ligjit ku të shprehet më qartë mbrojtja interesave të Klientëve, sikurse parashikohet për shembull në Ligjin për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare? Banka Qendrore është institucion i mirëbuxhetuar, duke u nisur nga rëndësia që ka stabiliteti i tregut bankar dhe siguria e tij për ekonominë shqiptare, dhe këto në fakt janë të gjitha në mbrojtje të shoqërisë dhe Klientit, përfitues të shërbimeve bankare. A ka dalë në analizat që Banka Qendrore nxjerr nga kontrollet dhe mbikëqyrjet që i bën bankave të nivelit të parë mbrojtja e klientit?

2-Po Komisioni apo Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit a shohin ndonjë mundësi ligjore për të ndërhyrë këtu duke parë kontratat tip dhe për të vlerësuar nëse jemi përballë kushteve të padrejta të kontratës?

3-Po Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, përveç Udhëzimit përkatës bën ndonjë vlerësim periodik mbi cilësinë e zbatimit të legjislacionit përkatës dhe udhëzimeve që ai lëshon mbi atë se si mblidhen, ruhen dhe analizohen praktikisht të dhënat personale dhe financiare të Klientëve nga bankat?

4-Po Ministria e Financave që detyron me ligj, qoftë dhe blerjen e një tullumbace që duhet kryer nëpërmjet bankës a ka studiuar se çfarë kostosh i janë ngarkuar Klientëve nga Bankat me një turli komisionesh pa fund dhe të palogjikshme?

5-Po shoqëria civile a sheh ndonjë mundësi që t’i godasë këto praktika dhe të bëzajë sa mundet se dhe këtu nuk jemi larg shkeljes se të drejtave të njeriut?

6-A nuk ka ardhur dita për ngritjen e “Financial Ombudsman Service” (‘Avokat populli’ për shërbimet financiare)?

EPILOG

Duhen mirëkuptuar edhe vështirësitë që hasin bankat në zbatimin e legjislacionit dhe kërkesave kundër pastrimit të parave. Por, nga ana tjetër, këto ligje nuk duhen shfrytëzuar për të goditur pjesën më të pambrojtur në këtë hallkë siç është Klienti. Nëse bankat kanë vështirësi të logjikshme, ato duhen përcjellë në institucionet përkatëse dhe duhen reflektuar në ligje. Ndërkohë, banka duhet të kujdeset që këto masa shtrënguese të mos transferohen në mënyrën më të keqe të mundshme te Klienti, por të trajnojë stafet dhe të thjeshtojë procedurat.

Dhe ajo që është më kryesorja a është kjo sjellje e sistemit bankar ndaj klientit rezultat i kërkesave të legjislacionit kundër pastrimit të parave apo rruga me e shkurtër për t’i adresuar ato apo akoma me keq përfitimi prej këtij legjislacioni. Duket sikur sistemi bankar shqiptar ka hyre në një faze ‘parazitizmi’ ku jeton kryesisht me bankingun më tradicional të tij, kredinë, shkëmbim monedhash dhe komisionet bankare. Këto të fundit duket se janë kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për bankat. Mbase ka ardhur koha që sistemi bankar të rishikohet thellësisht duke filluar me qasjen, tendencat e kohës dhe më pas me legjislacionin përkatës.

Kjo për t’i nxjerrë bankat nga “pensionimi” dhe komforti që ju jep ligji dhe t’i integrojë ato në treg jo si investitor indirekt pasiv por aktiv që të marrë risqe reale përsipër. Kjo do sjellë edhe një rritje të vlerës së Klientit në sytë e Bankës. Tashmë kemi të ri konfirmuar Guvernatorin e Bankës Qendrore. Kemi dhe një Bord me akademikë dhe ish-ministra Finance, të njohur që fare mirë mund të bëjnë diçka në këtë drejtim. Nga ana tjetër, Parlamenti duhet të thërrasë me shpesh në interpelancë parlamentare drejtuesit e institucioneve me sipër për të dhënë shpjegime për cilësinë e mbrojtjes së shoqërisë nga neglizhenca dhe praktikat abuzuese të bankave.

Edhe gjykatat duhet që në vendimet e tyre të marrin parasysh sesa e cenueshme është liria dhe vullneti i individit në nënshkrimin e një kontrate shërbimesh bankare. Me pak fjalë të gjithë pushtetet (Legjislativ, Ekzekutiv, Gjyqësor dhe institucionet e pavarura) që paguhen nga taksat e qytetarëve kanë detyrimin t’i mbrojnë ata. Dhe në fund, a kanë mundësi drejtuesit e bankave dhe shoqatat e tyre që të vetë rregullohen dhe t’i rishikojnë këto praktika e t’i kthejnë bankat në institucione, të cilat janë model i etikës së biznesit dhe jo në “dhoma gazi” për klientët e tyre. Kjo e fundit do të ishte më e mira. Përsëri, a mundet?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura