A po i çon LDK mesazhe Vjosa Osmanit?- Bojkotojnë mbledhjen e kryesisë bashkë me partnerët e koalicionit

May 28, 2020 | 17:12
SHPËRNDAJE

Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me partnerët e koalicionit AAK-në dhe NISMA-n e kanë bojkotuar mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendi të Republikës së Kosovës në të cilën janë shqyrtuar disa çështje administrative që ndërlidhen me aspekte të brendshme të funksionimit të Kuvendit.

thumbnail_2020_05_28_Mbledhja-e-Kryesisë-së-Kuvendit-1-1-600x360

Në takim nuk ka marrë pjesë Arben Gashi i LDK-së, Daut Haradinaj i AAK-së e Haxhi Shala i NISMA-s, meqë partia e drejtuar nga Isa Mustafa ka arritur koalicion me Fatmir Limajn e Ramush Haradinajn për krijimin e qeverisë së re në rast se Kushtetuesja vendos për të mos shkuar në zgjedhje të reja.

Nuk dihet nëse një bojkot i tillë ndërlidhet me përplasjet e fundit të Osmanit me partinë e saj si pasojë e rreshtimit të kryekuvendares në krah të Kurtit sa i përket dekretit të presidentit Hashim Thaçi me të cilin ka nominuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, kishte thënë se një sjellje e tillë e Osmanit nuk është korrekte karshi elektoratit të LDK’së dhe bashkëpartiakëve. Madje Haki Rugova kishte thënë se Vjosa Osmani nuk është më në LDK.

Në takimin e thirrur nga Vjosa Osmani ka marrë pjesë Arbërie Nagavci e VV’së, Memli Krasniqi i PDK’së, Slavko Simiç i Listës Serbe dhe Fikrim Damka nga komunitetet.

Njoftimi i plotë i Kuvendit:

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetares dr. Vjosa Osmani, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka shqyrtuar një varg çështjesh që lidhen me aspekte të brendshme të punës dhe funksionimit të Kuvendit.

Kështu, me iniciativën e kryetares Osmani, Kryesia miratoi vendimin për reduktimin e shpenzimeve të telefonisë mobile, asaj fikse dhe reprezentacionit, si për stafin politik, ashtu edhe për administratën e Kuvendit.

Po ashtu, Kryesia njëzërimiratoi Rregulloren për rendin dhe qasjen e  mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit, e hartuar në koordinim me përfaqësuesit e mediave dhe miratimit paraprak të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), si dhe mbështetjen e NDI-së.

U miratua gjithashtu edhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit për periudhën janar-mars 2020, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ndërsa kërkesa e KOSTT-it për miratimin e Planit të biznesit të rishikuar dhe të buxhetit të rishikuar për vitin 2020, u procedua në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura