A ofron platforma “Hoxha” një UT ndryshe?

Jul 30, 2020 | 9:03
SHPËRNDAJE

EDMOND ÇATA edmond-cata-696x381

1. A konturon platforma e kandidatit Artan Hoxha një UT vërtet ndryshe? Pyetja vlen së pari për shkak të krizës aktuale institucionale të UT-së, ku Dekani Hoxha ka qenë një ndër ata që iu kundërvu dhe u bë pjesë e bllokimit dhe luftës hapur kundër Rektorit Koni.

Së dyti, sepse fushata e Hoxhës ka pasur një mbështetje si në një numër grupesh brenda UT, ashtu edhe në media. Kjo mbështetje është shfaqur në hapësirën që media i ka lënë platformës së tij dhe numri i madh i takimeve fizike që ai ka realizuar në fakultete të ndryshme të UT-së, pavarësisht shtimit të rasteve të infektimit me koronavirus.

Së treti, për shkak të “bindjes” të përhapur në heshtje mes pedagogëve të UTsë se Hoxha, për shkak të afilacionit politik me socialistët dhe mbështetjes së disa dekanëve me në krye Dhori Kulen, e ka të “garantuar” fitoren.

Së katërti, sepse platformës së Hoxhës i ka munguar një oponencë serioze jo vetëm në media, por edhe në takimet që ai ka zhvilluar me pedagogët e UT. Në takimet e bëra, ose nuk ka pasur fare pyetje, ose ato kanë qenë për detaje periferike, që nuk janë shkak, por pasojë e mosadresimit ndër vite të problemeve kardinale të funksionimit të UT-së. Pra, ka munguar një vlerësim i premtimeve të Hoxhës duke i ballafaquar ato me organizimin dhe funksionimin, zhvillimin akademik, kërkimin shkencor, marrëdhëniet me pedagogët e studentët në UT gjatë katër viteve të fundit.

2. Të marrim aspektin organizativ dhe funksional. A ofrojnë premtimet e Hoxhës një UT ndryshe, më të mirë nga ai i Konit? Një UT ku nuk do të ketë më përplasje të Rektorit me administratorin, dekanët, senatin, siç ndodhi nën Rektor Konin? Çfarë premton Hoxha sot, nuk ka ndonjë dallim të madh me ato që premtoi Koni katër vjet më parë. Hoxha premton ta kapërcejë ngërçin aktual institucional, me hartimin e rregulloreve, bashkëveprimin më të mirë mes strukturave, përcaktimin e kompetencave, mospërjashtimin dhe kolegjialitetin në marrëdhënie dhe vendimmarrje. Edhe Koni kandidat pak a shumë këto premtoi: “Do t’i jap përparësi zbatimit të Ligjit 80-2015, hartimit të Statutit dhe Rregulloreve të UT, ngritjes së strukturave si Bordi/Administratori, si dhe bashkëpunimit me MAS”.

Siç e dimë të gjithë tani, Koni dështoi në realizimin e të gjitha premtimeve. Hoxha ka deklaruar se Koni nuk e zbatoi, por e shkeli Ligjin 80-2015. Hoxha premton sot “do të hartojë Rregulloret”, çka nënkupton që Koni dështoi të hartonte, madje edhe rregulloret. Hoxha premton se do zgjidhë ngërçin në UT, duke precizuar kompetencat, duke mos aplikuar “përjashtimin” dhe duke drejtuar me kolegjialitet. Shkurt, Koni, megjithë vullnetin e mirë që shprehu si kandidat, dështoi si Rektor.

Sot është Hoxha-kandidat që shpreh optimizmin dhe vullnetin e tij se në UT-në e tij gjërat “do shkojnë vaj”. Ajo që Hoxha nuk ka sqaruar dhe as e ka pyetur njeri nga audienca, është përse do të ndodhë kështu. Nëse premtimet e Hoxhës nuk dallojnë shumë nga ato të Konit, por Hoxha ndihet shumë më i “sigurt” që nën Rektorshipin e tij nuk do të ndodhë asgjë nga ato që ndodhën në Rektorshipin Koni, pyetja që del është: Çfarë di Hoxha-Kandidat, më shumë seç dinte Koni-kandidat, që e bën t’u japë pedagogëve votues garanci të fuqishme për suksesin e tij si Rektor? Mos vallë, Hoxha-kandidat shfaq një eksperiencë akademiko-administrative më të madhe se ajo që sillte Koni kur kandidoi? “Gojët e liga” thonë që Hoxha nuk i afrohet kurrkund në eksperiencë jo vetëm Konit, por as edhe konkurrenteve Hafizi dhe Sevrani. Dhe po të shikosh në platformë, përmbledhjen që Hoxha i ka bërë karrierës së vet, del se gojët e liga mund të mos jenë edhe aq gabim. Ku qëndron, pra, “risia” e kandidaturës Hoxha nëse premtimet e tij nuk ndryshojnë aq shumë nga ato të Konit katër vite më parë? Thjesht vetëm se ofron “eksperiencë juridike”? Nëse kjo eksperiencë vlen më shumë se çdolloj eksperience tjetër akademike apo menaxheriale, a mendon kandidati Hoxha që UT sot vuan nga dualizmi në pushtet dhe kompetenca mes Rektorit dhe Administratorit? Hoxha flet për ekzistencën në UT të “paqartësisë së kompetencave”. Por nisur nga fakti që Hoxha-dekan iu kundërvu Konit-Rektor, Hoxha nuk ka sqaruar, dhe asnjë pedagog nuk e ka pyetur, nëse Koni u fut në konflikt me administratorin, dekanët, senatin se deshi vetë prej paqartësisë së kompetencave apo prej luftës nga strukturat më sipër për t’i rrëmbyer Konit kompetenca që tradicionalisht i kanë takuar Rektorit? Hoxha, po ashtu, as ka treguar, as është pyetur nga pedagogët dëgjues, si do të vepronte në rast se do përballej me të njëjtën situatë që u përball Koni në raport me administratorin, dekanët apo senatin. Në premtimet e veta, Hoxha ofron si zgjidhje rivendosjen e “kolegjialitetit” dhe “transparencës” në marrëdhëniet me strukturat e tjera. Por Hoxha nuk thotë gjë dhe as nga pedagogët nuk i ka pyetur njeri, nëse ai mendon t’i aplikojë kolegjialitetin dhe transparencën vetëm në çështjet akademike apo edhe ato financiare dhe të vendimmarrjes për të gjitha gjërat që kërkojnë vulën e Rektorit? Në rast se Hoxha e ka me gjithë mend këtë punën e kolegjialitetit dhe transparencës, kjo do ta rrisë apo pengojë eficiencën e vendimmarrjes dhe qeverisjes së UT-së? Së fundmi, Hoxha premton vendosjen e autoritetit dhe veprimtarisë administrativo-financiare në funksion të veprimtarisë akademiko-shkencore dhe mësimdhënies. Çështja që Hoxha nuk ka sqaruar, edhe as është pyetur nga ndonjë pedagog, është se në ç’kapacitet autoriteti ai do të arrijë ta realizojë këtë ‘nënshtrim’ të Administratorit kur Ligji 80-2015, për të mirën apo të keqen e universitetit dhe Rektorit, iu ka ndarë detyrat dhe kompetencat: Rektori merret me anën akademike; Administratori me atë financiare dhe administrative. Parë, pra, kështu, pyetja që lind, por mbetet e pasqaruar, është: sa reale janë premtimet e Hoxhës në aspektin e funksionimit organizativ dhe institucional të UT-së, pavarësisht se ai thotë që ato janë të mundshme për t’u realizuar?

3. Të marrim aspektin e zhvillimit akademik. A janë premtimet e Hoxhës reale dhe vërtet UT-transformuese? Po të shohësh premtimet e Hoxhës sot, ato nuk janë të ndryshme nga ato të Konit katër vjet më parë. Madje, duken identike, sikur Hoxha të ketë kopjuar Konin. Të dy e lidhin zhvillimin akademik me “mësimdhënien cilësore”, të cilën e shohin të përcaktuar nga cilësia e programeve, infrastrukturës, stafit mësimdhënës, dhe mbështetja financiare. Të dy flasin për përmirësim kurrikulash, programe në anglisht, programe të reja, lidhje me tregun, bashkëpunim me aktorë të ndryshëm, përmirësim të infrastrukturës, futje dhe modernizim të teknologjisë së informacionit, përmirësim të raportit student-pedagog dhe rekrutim të pedagogëve cilësorë. Fakti që në dhjetor 2018 edhe UT nuk u kursye në kritika për mësimdhënien gjatë protestave të studentëve, tregon që Koni-Rektor nuk iu afrua pothuajse fare premtimeve të Konit-kandidat. Ajo që ka rëndësi sot, është sidoqoftë fakti që të njëjtat premtime të Konit i gjen të rimarra edhe nga Hoxha. Çështjet që Hoxha do duhej të kish sqaruar konkretisht në raport me cilësinë e mësimdhënies, mund të ishin dy: Së pari, të fillonte me eksperiencën e tij në Fakultetin e Drejtësisë. Duke sqaruar p.sh. sa pedagogë cilësorë ka arritur të rekrutojë Hoxha si dekan dhe si e ka ndryshuar raportin student-pedagog. Së dyti, të tregonte cilat ishin pengesat që ai mendon se kanë penguar Konin, në nivel universiteti, të mbante premtimet. Nëse këto pengesa kanë qenë të natyrës institucionale, financiare apo thjesht akademike. Por Hoxha është takuar vetëm me pedagogë, jo me studentë. Dhe natyrisht, në këto takime, as ai nuk ka elaboruar në mënyrë thelbësore, as vetë pedagogët pjesëmarrës nuk i kanë ngritur ndonjë pyetje që adreson këtë aspekt.

4. Të marrim marrëdhëniet me stafin akademik. Përse, dhe sa vërtet, UT e Hoxhës do arrinte t’i trajtonte ndryshe pedagogët? Hoxha dallon nga Koni vetëm që listës së vjetër të premtimeve të Konit, u shton premtimet për mbështetje të pedagogëve për botime në revista shkencore dhe trajtim të diferencuar financiar të stafit burokratik. Por në zemrën e premtimeve, Hoxha nuk ndryshon nga Koni. Të dy e lidhin trajtimin e pedagogëve me motivimin financiar, mbështetjen për kualifikimin e tyre profesional dhe kushteve të rekrutimit dhe punësimit. Ndaj dhe Hoxha risjell para pedagogëve pothuajse të njëjta premtime të Konit, edhe pse Koni dështoi t’i mbante ato. Premtimi më i “ndjeshëm” ka qenë ai për motivimin financiar. Koni premtoi rritje të pagave 30%, por dështoi, jo se nuk deshi, por se kur u bë Rektor, pa se nuk mundi. Pa që këmbë e duar i kish të lidhur jo vetëm nga Ligji 80-2015, që ia hoqi duarsh vendimmarrjen në çështjet financiare, duke ia kaluar ato administratorit. Por i pamundur u ndie edhe për shkak të vazhdimit dhe mbetjes rob të praktikave, ku fjalën e fundit për financat e ka ose Ministria e Arsimit, ose VKM-të e nxjerra ndër vite.

Çështja që pedagogët duhej t’i kërkonin Hoxhës të sqaronte ishte nëse Koni dështoi tu’ rriste pagat, përse dështoi dhe çfarë do të bënte ndryshe Hoxha-Rektor që premtimi të bëhej realitet. Vërtet Hoxha ka thënë “do të shfrytëzoj të gjithë hapësirat që lejon Ligji 80-2015”. Por të njëjtën gjë ua pat thënë edhe Koni katër vjet më parë. Për më tepër, Hoxha-Rektor nuk është se do të operojë si Rektor në kushte të ndryshme ligjore, organizative dhe institucionale nga ato të Konit-Rektor. Edhe sikur Hoxha të zgjidhet Rektor, kjo nuk e ndryshon faktin që në çështjet financiare dhe administrative Ligji 80-2015 ia njeh autoritetin dhe kompetencat vetëm administratorit, jo edhe rektorit. Ndaj, pyetja që mbetet e pasqaruar nga Hoxha është në ç’mënyrë dhe si do veprojë ai për të kapërcyer këtë situatë kompetencash për të arritur që të “firmosë” rritje dhe diferencim pagash për pedagogët? Çfarë do të jetë ajo që do të bëjë Hoxha si Rektor dhe që nuk e bëri Koni? Pa shpjegime substanciale, premtimi për rritjen e pagave të pedagogëve përfundon të jetë vetëm një motiv që përfshihet në platformë dhe flitet për të jo për shkak të mundësive reale që ka kandidati për ndryshimin e gjendjes, por vetëm se një premtim i tillë tingëllon i këndshëm për veshët e çdo pedagogu pjesëmarrës në bisedë.

5. Të marrim kërkimin shkencor. Sa ndryshon Hoxha nga Koni në premtimet që bën? Të dy e shohin cilësinë e kërkimit shkencor të lidhur me financimin, infrastrukturën, kushtet akademike. Të dy janë identikë kur flasin për rritje të fondeve, diversifikimin e burimeve, transparencën dhe menaxhimin e mirë të fondeve, lehtësimin e ngarkesës mësimdhënëse, përmirësimin e infrastrukturës apo krijimin e qendrave për nxitjen e kërkimit shkencor. Pra, edhe në këtë pikë, Hoxha nuk ka ndonjë dallim nga Koni i katër vjetëve më parë.

Por Hoxha nuk ka elaboruar deri tani të shpjegojë përse UT me të Rektor do prodhojë kërkim shkencor më cilësor se UT me Konin Rektor. Nëse kërkimi shkencor nën Rektorshipin Koni ishte një dështim si nga ana e sasisë, ashtu edhe nga ana e cilësisë, cila është arsyeja prapa këtij dështimi? A ka lidhje dështimi me mungesën e vullnetit dhe impenjimit nga ana e Konit për ndryshimin e situatës në kërkimin shkencor? Apo mos vallë dështimi ka lidhje me mungesën dhe moszhvillimin të kapaciteteve dhe aftësive kërkimore dhe shkencëbërëse te pedagogët e UT-së? Çfarë mendon Hoxha për procesin e vetingut akademik? A i shërben rritjes së sasisë dhe cilësisë së kapacitetit dhe aftësive shkencëbërëse të pedagogëve të UT-së reduktimi dhe njëjtësimi i vetingut akademik me vetëdeklarimin “unë nuk kam bërë plagjiaturë”? Dhe nëse vetingu akademik përfundoi në një vetëdeklarim, kjo gjë ndodhi për faj të Rektor Konit, mosmarrjes nga ana e tij të asnjë veprimi? Apo reduktimi i vetingut akademik në vetëdeklarim fakultativ ndodhi për shkaqe të tjerë që nuk kanë të bëjnë vetëm me Konin? Nëse Hoxha e ka me gjithë mend rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor, ku mendon se qëndron problemi në UT? Mendon se është thjesht çështje financimi? Apo është edhe çështje niveli të aftësive shkencëbërëse që disponon stafi akademik?

6. Së fundmi, të marrim marrëdhëniet me studentin. Gjëja më ndikuese në cilësinë e marrëdhënieve me studentin që Hoxha thekson, është roli i veçantë që i atashon Qendrës së Karrierës. Hoxha premton aq shumë aktivitete dhe vëmendje për studentët, saqë e bën Konin të duket humbameno fare. Por, Hoxha nuk thotë me ç’para do t’i materializojë gjithë ato realitete të “bukura” që liston në platformë. Ca më tepër, kur Rektori ka “çelësat e kashtës” nga ana financiare. Ndaj, ndonëse premtimet e Hoxhës dallojnë nga premtimet e Konit në sasi dhe diversitet, pa justifikimin për mënyrën e realizimit dhe koston e tyre, ato rrezikojnë të mbeten thjesht fjalë letre, të cilat në fushatën e kandidatit Hoxha ofrohen vetëm sa “për të bërë detyrën” për sa kohë që ato mbeten të “patestuara” nga qoftë edhe një student i vetëm

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura