A mund ta luftojë evazionin qeveria e evazionit?

Sep 5, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

Preç-ZogajjPREÇ ZOGAJ

A ka pasur turizëm këtë vit në Shqipëri? Pyetja duket pa kuptim. “Po”, përgjigjen të gjithë, duke pasur parasysh radhët e gjata të makinave nga Kosova, dyndjen tashmë rituale të vëllezërve tanë drejt bregdetit të vendit amë, kthimin ritual të mijëra e mijëra emigrantëve që vijnë çdo verë për pushime në Shqipëri,  turistët e huaj që nuk mungojnë asnjë sezon, edhe pse jo të shumtë në numër, turizmin e brendshëm. Ministria përkatëse ka shifrat reale të numrit të turistëve për këtë verë, që mund të jetë pak i vogël se verën e kaluar (hamendje e kam), por prapëseprapë duhet të jetë i konsiderueshëm. Ka pasur, pra, turizëm!

Por edhe nuk ka pasur. Gjatë muajit gusht, sipas të dhënave të referuara për momentin nga opozita, por që shumë shpejt do të konfirmohen edhe nga institucionet shtetërore, të ardhurat nga doganat dhe tatimet kanë vijuar rënien në pikiatë. Mbi 35 milionë dollarë më pak, që është shifra më e madhe e deficitit që nga fillimi i vitit. Për të evituar turpin në planin propagandistik, Kryeministri ka miratuar në heshtje, në datën 31 korrik, një akt normativ për uljen e planit vjetor të të ardhurave doganore dhe tatimore. Ka shumë mundësi që në raportin e qeverisë për muajin gusht deficiti të mos raportohet 35 milionë, sa ç’është në raport me planin e miratuar nga Kuvendi, por rreth 17 milionë, sa ç’mund të jetë në raport me planin e ulur nga Rama.

As planin e ulur nuk e realizojnë dot, kaq rëndë është gjendja. Por kjo diferencë mes planit të votuar dhe planit të ulur nuk ka rëndësi në vetvete. Paratë mungojnë dhe po mungojnë gjithnjë e më shumë. Kjo është çështja. Paratë u pakësuan në gusht, në muajin e pikut të turizmit, kur me një logjikë të thjeshtë duhej të shtoheshin. Do të thotë se turizmi nuk ka dhënë asnjë lek për buxhetin. Si është e mundur? Mos kanë ardhur me serbatorët plot të gjitha makinat që kanë hyrë në Shqipëri dhe nuk kanë blerë fare karburant në pikat e shitjes me pakicë në vendin tonë?

Mos kanë marrë edhe bukën, edhe ushqimin, edhe ujin me vete turistët që populluan bregdetin shqiptar nga Velipoja në Ksamil këtë verë? Mos kanë fjetur jashtë nën qiell të hapur apo në makina? Që ka pasur mjaft shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria që kanë marrë ushqime me vete dhe kanë evituar në maksimum shpenzimet, kjo është e vërtetë. Por shumica dërrmuese kanë paguar. Mjaft prej tyre kanë ngecur në kurthin e çmimeve stratosferike për një turizëm të nivelit të ulët si ky i Shqipërisë, duke paguar për sedër dhe krenari faturën e fryrë që u kanë plasur në tryezë kamerierët,  por duke u betuar ndërkohë të mos shkelin më në të njëjtin vend.

Shkrimet më të shpeshta për turizmin në mediat tona këtë vit kanë qenë të destinuara për rubrikat e skandaleve. Për shkak të çmimeve shumë të larta dhe shërbimit mizerabël. Por paraja ka rrjedhur gjithsesi. Madje aty-këtu ka rrjedhur lumë. Sepse përveç të kapurve në kurth, ka plot që nuk i shohin faturat, ose i shohin pasi u ka mbetur të kruajnë xhepat. Dy miq të mi kishin paguar katër milionë lekë një natë në lokalin “Folie” në Jalë. Ishin befasuar me çmimin e lartë të shampanjës, por nuk e kishin bërë veten.

Tryeza ngjitur me ta kishte paguar më shumë. Lokalet, resortet, hoteleria, shtëpitë me qira, çadrat, skenat verore dhe këndet argëtuese në të gjithë gjatësinë e bregdetit kanë thithur pa pushim para gjatë sezonit turistik. Mallrat e akcizës, nafta, pijet e të tjerë kanë bërë të njëjtën gjë: kanë thithur para. Sa është shuma totale që ka rrotulluar turizmi gjatë sezonit? Besoj as Ministria e Turizmit nuk e thotë dot me saktësi. Por dimë një gjë: në arkën e shtetit, sipas të dhënave që kemi për të ardhurat e gushtit, nuk ka përfunduar gjë. Si të ketë qenë turizëm falas.

Në fakt, lekët nga turistët janë paguar, por “Cezari” (shteti) nuk e ka marrë pjesën e vet. Pse? Sepse shumicën e resorteve dhe lokaleve sezonale të bregdetit i punojnë dhe i administrojnë klientët e qeverisë, miqtë dhe shokët e krerëve të saj, ortakët e tyre dhe të miqve të tyre, një rrjet i tërë që shumëfishon vetveten në piramidën e pushtetit. Ata që nuk kanë qenë më parë me qeverinë, janë bërë ndërkohë. E kanë parë se kjo është rruga më e mirë për të përballuar konkurrencën e atyre që nuk paguajnë, pra, për të mos paguar taksa dhe tatime sipas ligjit.

Jemi në të njëjtën histori të evazionit dhe vjedhjes “brenda llojit” nga një kategori sipërmarrësish të lidhur ngushtë me zyrtarë dhe tatimorë të korruptuar. Këta sipërmarrës, rëndom nuk i kontrollon njeri, nuk i kap rregulli dhe ligji. Kush guxon t’i kontrollojë, gjen belanë. Kjo është historia. Që ka dhënë shfaqjen më të bujshme të bllofit në sezonin turistik të kësaj vere: mijëra e mijëra turistë, çmimet në qiell, por asnjë qindarkë më shumë për buxhetin e shtetit.

Një shou i padobishëm
Kjo është historia edhe me evazionin dhe kontrabandën e madhe që shtrihet gjatë gjithë vitit në sistemin tonë tatimor dhe doganor. Evazorët dhe kontrabandistët e mëdhenj, ata që kanë pjesën e luanit në gropën 200 milionë dollarë që është krijuar nga janari në gusht, janë kryesisht njerëz të lidhur me qeverinë, miq të vjetër apo të rinj të Kryeministrit dhe ministrave që ky mban më afër, të njohur të vjetër apo të rinj, që kanë dhënë apo pretendojnë se kanë dhënë kontribute për ardhjen e Ramës me shokë në pushtet ose kanë lyer qerret e tyre pasi u instaluan në pushtet. Si në një skemë piramidale, këta dhe mjaft individë nga bota e malavitës kanë marrë e vazhdojnë të marrin përmes evazionit dhe kontrabandës “lekët e tyre” të investuar me përqindje shumë të lartë në piramidën politike të qeverisë.

Si çdo piramidë, edhe kjo e qeverisë Rama-Meta do të hynte pashmangshëm në fazën e urisë për para. Qeverisë i mungon për këtë vit shuma që ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha jo pa humor të zi se qeveria do ta rikuperojë nga aksioni kundër informalitetit dhe evazionit: 330 milionë dollarë! Rikuperimi i kësaj shume do të shërbente ndërkaq për zhbllokimin e kredisë nga FMN-ja. Kjo është jetike për vazhdimësinë e qeverisë Rama. Është një garë me kohën dhe shanset.

Garë të cilën qeveria duket se do ta humbë me të dyja. FMN-ja nuk jep para pa u bindur se qeveria po i rikuperon paratë që ka humbur përgjatë vitit nga evazioni dhe kontrabanda. FMN-ja e ka treguar me gisht Shqipërinë, pa qenë nevoja të ngrejë gishtin dhe zërin, si vendin me taksat më të larta në rajon, por me të ardhurat më të ulëta. Deklarata nuk ka nevojë për komente. Evazioni është evident, po ku? Ky është sekreti. Aksioni i shpallur në formën e një ekspedite ndëshkimore kundër sipërmarrjes së vogël e të mesme në bllok nuk shihet të ketë ndonjë adresim konkret të mbështetur në vëzhgime, studime, analiza. Duket më shumë si një krehje me “të dalë ç’të dalë”, një manifestim i padobishëm force.

Të gjithë kryeministrat e botës së lirë e nisin sezonin me mesazhe miqësore në adresë të sipërmarrjes, duke qenë se ajo është motori i ekonomisë. Rama e nis me “rrethim”, me kërcënime. Nuk ka gjasa që ky aksion që ka në fokus biznesin e vogël dhe atë pa lidhje politike me qeverinë të sjellë në arkën e shtetit shumën për të cilën ka nevojë qeveria. Vetë ky biznes nuk ka çfarë jep më veç shpirtit, ose në rastin më të mirë për qeverinë, ka shumë pak për të dhënë. Skuadronet e hedhura në sulm nuk do të kenë çfarë të raportojnë veç rritjes së numrit të kasave të shitura. Po sa para vlen?

Ky aksion është fyes për sipërmarrjen jo vetëm për mënyrën arrogante si është konceptuar e po zbatohet, por edhe sepse sipërmarrja e ka kuptuar se po i kërkohet borxhi i tjetërkujt, borxhi i kontrabandës, borxhi bizneseve me lidhje qeveritare, që nuk do ta jepte edhe po ta kishte. Ndaj rezultati vështirë se mund të jetë tjetër veçse zhgënjyes për qeverinë dhe përkeqësues për sipërmarrjen.

Dy rrugëzgjidhje
Për të shmangur të papriturat që mund të na ketë rezervuar tremujori i fundit i vitit për situatën financiare dhe ekonomike në vend, kjo qeveri ka një rrugë: të thërrasë të gjithë bashkë apo veç e veç “partinë” e re të malavitës që ka krijuar vetë dhe t’i kërkojë paratë me mirëkuptim. Kjo duket dhe është fantazmagori, pasi evazioni ka këtë specifikë që zhduket po nuk e more në kohën e duhur. Nuk është si fatura e energjisë që regjistrohet. Në mungesë të zgjidhjes me mirëkuptim, qeverisë i mbetet t’u bjerë me forcën e ligjit  kontrabandistëve dhe evazorëve të mëdhenj.

Kjo do të jetë një provë force, morali aq sa mund të ketë mbetur dhe pavarësie nga kontrabandistët dhe evazorët që janë majmur nën qeverinë Rama. A mund ta luftojë evazionin e madh qeveria e evazionit dhe e kontrabandës? A mund ta luftojnë të keqen shkaktarët e së keqes? Kjo është një pyetje që ngërthen shumë elementë të antropologjisë politike dhe njerëzore. Në parim po, në teori po, por edhe në praktikë kemi raste kur me vetëdije, vullnet dhe vendosmëri një qeveri, ashtu si një qenie njerëzore, arrin të ndahet nga e keqja e saj. Duhet të presim këtë muaj për të parë a do të jetë ky rasti i qeverisë shqiptare me evazionin e madh.

Në qoftë se nuk mundet, për ekonominë dhe financat shqiptare buzë greminës mbetet rruga e fundit: dorëheqja e qeverisë Rama-Meta për t’u hapur rrugë zgjidhjeve që do të sillnin në skenë një qeveri që mund ta luftojë evazionin dhe kontrabandën, mund t’i ulë taksat dhe të lançojë ringritjen ekonomike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura