A ka kurajë Lulzim Basha të bëjë opozitë të vërtetë?

Nov 26, 2015 | 10:42
SHPËRNDAJE

FevziuBLENDI FEVZIU

A ka kurajë Lulzim Basha të ndërtojë një grup opozitar të vërtetë dhe  aktiv, pyeta sot, ndërsa lideri i PD-së bënte thirrje për një marshim masiv kundër qeverisë në ditën më simbolike të demokracisë shqiptare, më 8 Dhjetor?! Përgjigjja duhej të ishte e thjeshtë: Pse jo?!

Argumentet në favor qëndrojnë. E majta në pushtet është zhytur në një qerthull skandalesh të pabesueshme. Me deputetë të burgosur, me kriminelë me mandat parlamentar; me akuza të ndërsjella kundër njëri–tjetrit dhe me një gjendje tensioni të hapur mes Ramës e Metës. Korrupsioni po denoncohet çdo ditë e më tepër, ndërsa situata ekonomike po rëndohet. Asgjë nuk të bën të mendosh se pritet ndonjë mrekulli që ta shpëtojë vendin nga recesioni!

Por, a ka Basha në dispozicion një grup realisht opozitar, të gatshëm e të aftë për një betejë të vërtetë politike?! Përgjigjja në këtë rast do të ishte: Mbase jo! Argumentet në favor po ashtu qëndrojnë. Në tentativë për të ndërtuar një listë opozitare që të votohej online në portalin opinion.al, morëm dy kritere: e para, aktivizimin e deputetëve të PD-së në Parlament në muajt e fundit, përgatitur nga një OJQ e njohur në vend; dhe, e dyta, praninë e figurave të rëndësishme të opozitës në studiot e 4 televizioneve që kanë emisione politike.

Në të dyja rastet produkti është befasues. Duke përjashtuar Berishën, aktiviteti i të cilit është impresionues, ata që aktivizohen janë pak emra. Disa deputetë të vjetër të opozitës së viteve ’97–2005 dhe disa të rinj të angazhuar në rreshtin e parë pas zgjedhjeve të 2013-s. Janë aq pak, sa ngjan mjerane se si një parti që ka pasur afro 30 ministra në 8 vitet e saj nuk i kalon dot 6–7 të angazhuar të përhershëm.

Janë po ata që flasin në Parlament; që shëtisin studio më studio; që denoncojnë në podiumin e PD-së çështje problematike; madje që bëjnë opozitë në komisionet parlamentare edhe kur nuk janë kamerat ndezur. Në fakt, grupi parlamentar i PD-së nuk është i vogël. Një pjesë janë njerëz me eksperiencë dhe ekspertizë politike? Si shpjegohet mosaktivizimi i tyre?

Ka dy përgjigje: ose kontestojnë lidershipin e Bashës, ose realisht nuk besojnë as tek opozitarizmi dhe as te beteja ideologjike me PS-në. Pra, thjesht janë kthyer në ca marifetçinj të politikës. Në këtë rrethanë rikthehemi edhe një herë te pyetja e parë. A ka kurajë Basha t’u thotë atyre që tallen me opozitën e tij dhe të shqiptarëve se e ardhmja e tyre mbaron aty? Se opozita do të jetë e ashpër dhe se grupi i memecëve politikë nuk mund të qëndrojë i heshtur në pritje të pushtetit të ardhshëm? Se opozitarizmi publik nuk kthehet në kapital politik për PD-në, sepse publiku e ndien se shumë prej deputetëve të saj nuk besojnë ose nuk e kanë me zemër këtë gjë.

Ndaj ai duhet të zgjedhë. Të ndërtojë një grup që beson tek opozita dhe të ecë para. Ose të vijojë një opozitë të gjatë, për të cilën do të jetë përgjegjës vetëm ai. Nëse Basha nuk ndërton një grup të ri dhe të motivuar, protesta do të jetë e dështuar. Shqiptarët kanë dëshmuar se e ndiejnë më mirë se çdo gjë, kur e beson një kauzë dhe kur e ke atë thjesht teatër!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura