“A jemi gati?”, Elvira Dones: Legalizimi i prostitucionit ul shfrytëzimin

Apr 1, 2017 | 9:54
SHPËRNDAJE

Fatmira NIKOLLI

Diskutimi me temë “Çështja e gruas & letërsia”, mbajtur në kuadër të takimit të parë të “Klubit të librit për diversitetin”, ka mbledhur të enjten në Friend’s Book House dhjetëra emra të njohur të larmisë së librit.

dones

Klubi, nismë e Botimeve Pegi, mbështetur nga Ministria e Kulturës, ka për qëllim t’i bëjë jehonë letërsisë “së angazhuar” duke e përdorur atë për të rrokur dhe dekonstruktuar fenomene të ndryshme shoqërore dhe politike. Në takimin e parë, në qendër ishte fenomeni i diskriminimit gjinor në hapësirën mbarë shqiptare parë nën optikën e letërsisë shqipe dhe asaj të huaj. Shkrimtare të ndryshme u vendosen përballë të njëjtit realitet diskriminues, ndërsa u soll në vëmendje gjendja e vajzave dhe grave shqiptare nga emra të fushës së letrave dhe kulturës.

Sa afër dhe sa larg janë vajzat dhe grate shqiptare sot nga personazhet e autoreve të sugjeruara si bazë diskutimi? Çfarë e bashkon dhe çfarë e ndan realitetin nga letërsia? Si na ndihmon letërsia t’i thyejmë zinxhirët shoqërorë dhe t’i tejkalojmë ato norma që shkojnë në kundërshtim me të drejtat e njeriut? Në ç’mënyrë e ka kufizuar gruan shqiptare tradita patriarkale? A ka patur një ndryshim konkret në realitetin e grave në Shqipëri në 25 vitet e fundit? Këto qenë pyetjet e shtruara.

Titujt e librave, sugjeruar si bazë diskutimi ishin: “Yjet nuk vishen kështu”, Elvira Dones; “Muza e haresë”, Goliarda Sapienza, përktheu Aida Baro; “Mikesha gjeniale”, Elena Ferrante, përktheu Albana Nexhipi; “Vajzat e rritura nuk qajnë”, Fay Weldon, përktheu Ilir Baçi; “Rrëfenja e shërbëtores”, Margaret Atwood, përktheu Ëngjëllushe Shqarri dhe “Gruaja e thyer”, Simone de Beauvoir, përktheu Amantia Kapo. Në bisedë morën pjesë edhe, Eli Krasniqi- Doktorante e Antropologjisë dhe Historisë së Europës Juglindore; themeluese e Institutit për Studimet Sociale dhe Kulturore AlterHabitus; Shqipe Gjocaj- publiciste, aktiviste për të drejtat e grave dhe gazetarët Ben Andoni e Blendi Salaj. Takimi, pati edhe pjesëmarrjen virtuale të shkrimtares Elvira Dones, për çka po ndalemi më poshtë.

HISTORI TRAFIKIMI NGA ELVIRA DONES

Shkrimtarja e njohur shqiptare, përmes një videomesazhi, kujtoi së pari, kohën kur e shkroi librin. “I jam rikthyer përsëri librit dhe procesin me të cilin u shkrua. Ishte një libër që iu desh kohë, ishte një shtatzëni e gjatë në një farë mënyre, sepse jetoja në Zvicër ku punoja për televizionin e Zvicrës italiane. Ishin vitet 1992-1993, vitet kur, siç publiku i di, çështja e trafikimit të gruas shqiptare, dhe gjithë asaj të keqeje që doli nga shoqëria shqiptare, ishte në gazetat e gjithë Evropës, titujt e gazetave ishin të pamëshirshëm. Mjaft gazetarë në Itali, Zvicër, Gjermani, Francë po merreshin me çështjen” tha Dones. Duke pasur dy fëmijë në rritje në atë kohë, ajo tregoi se i mblidhte për ditë të gjitha ato materiale, sepse nuk mund ishte indiferente dhe në të njëjtën kohë kishte një dëshirë të shkruante ndryshe për trafikimin e vajzave shqiptare.

“Më pas ndodhi diçka”, thotë Dones dhe merr frymë thellë, “një hollësi që më bëri ta konsideroja çështjen gati personale. Më mbërriti në adresën time të shtëpisë dhe nuk e di as ku e gjeti adresën, një nënë shqiptare, një grua, e cila më kërkonte ta ndihmoja për të gjetur të bijën, që ia kishin rrëmbyer. Atëherë para fjalëve të asaj nëne, të asaj gruaje unë kisha si nënë e një vajze të vogël e një djali 10-vjeçar, kisha një përgjegjësi”.

Nisi kështu një investigim i gjatë. Duke mbledhur jashtëzakonisht shumë material, ajo do të takonte me dhjetëra vajza, policë që merreshin me këtë çështje, derisa dosja u bë jashtëzakonisht e pasur.

“Ideja për ta shkruar lindi ashtu siç u shkrua, me atë lloj ashpërsie siç vendosa ta shkruaja, u bë i domosdoshëm”.

Dyzimi i saj, ishte mes shkrimit të një libri gazetaresk apo një libri ku e vërteta ndërthuret me fiksinion. Vendosi për të dytën, sepse siç tha më herët, “gazetat ishin të mbushura me shkrime, me fytyra vajzash që mbeteshin anonime, sepse problemi ishte aq i madh sa në një farë mënyre, kur viktima bëhet me një proporcion jashtëzakonisht të madh, i erret profili”.

Në këtë pikë, ajo u dha emra atyre vajzave e grave që kishte takuar nëpër rrugët e Italisë. “Natyrisht, pikë vështrimi im prej gruaje kishte një tjetër ndjesi, sepse në takimet me ato vajza, ne orën 5 të mëngjesit kur mbaronin punën, ishin gjithmonë biseda të fshehura. Kishin frikë nga trafikantët, kishin frikë nga meshkujt që i kontrollonin”. Elvira Dones, kujton se këto vajza e këto gra, kishin maninë e larjes, “laheshin për të hequr çfarëdolloj ndyrësie që kishin pasur, atë erën, atë horrorin, mbas një natë të tërë me 10-12 e nganjëherë 40 klientë”.

Mbase, thotë Dones, një shkrimtare femër kap ndoshta ato lloj hollësish që një shkrimtar mashkull ndoshta do t’i linte jashtë, ato lloj gjërash që janë personale, ato gjëra që janë të një gruaje, që i është dhunuar dinjiteti.

ATJELARTI E ATJEPOSHTI-SHQIPËRIA

Në libër, Shqipëria nuk përmendet me emër. Megjithëkëtë, ajo është kudo. Për Elvira Donesin, Shqipëria është Atjeposhti, ndërsa pjesa tjetër e Europës, është Atjelarti. “Për një përzgjedhje timen shumë të qartë, sepse është një problem që përsëritet, do përsëritet e do përsëritet sa herë që ka varfëri, a një situatë a gjendje të tillë sociale, ekonomike e politike, pra nuk ishte një prerogativë e Shqipërisë, është një gjë që ndodh në të gjithë vendet e varfra, mjaft të shohim Afrikën sot, mjaft të shohim Meksikën, Amerikën latine, do të ishte një bisedë jashtëzakonisht e gjatë. Ndaj vendosa të qëndroj larg dhe ta ndaj kështu; gjithmonë do të jetë një Atjelart, dhe gjithmonë do të jetë një Atjeposhtë që do ofrojë mish për top”.

Gratë e vajzat e reja, që Dones përshkruan në libër, janë të shtresave të ndryshëm shoqërore. “Janë siç thotë Gresa Hasa në pyetjet që më ka nisur, janë nëna e janë viktima, janë edhe supervizore që kontrollojnë gratë e tjera. Kemi të bëjmë me mbijetesën, gruaja ka qenë gjithmonë e detyruar të adoptohet, aty ku ka pasur varfëri, aty ku ka pasur mungesë shprese. Ndaj për mua mbetet një libër i detyrueshëm. Duhet ta shkruaja”.

Dones vëren se shoqëria jonë i ka rolet e përcaktuara, porse nuk është kështu vetëm shoqëria shqiptare. “Unë vetë dhe një pjesë e madhe e moshatareve të mia, jemi rritur me idenë që nënat tona na thoshin: kokën ulur. Kokën ulur, sepse burri me një kovë ujë lahet, ndërsa gruas nuk i mjafton gjithë uji i detit”.

Duke qëndruar me kujtimet që na mbërthejnë, të nënave e gjysheve tona, Dones tha se janë shekuj e shekuj, të dominimit të mashkullit mbi femrën, dhe bëhet më qartë kur kupton që nënat vetë kanë kontrolluar, vajzat, sepse nderi i familjes është te vajzat, ndërsa meshkujt mund të bënin çfarë të donin.

Ky është një problem i prapambetjes kulturore për shkrimtaren. “Është një traditë shekullore që do shumë kohë të thyhet. Më vjen mirë kur shoh në Shqipëria vajza e gra inteligjente në Shqipëri, që kanë vendosur me djersën, punën, inteligjencën e kurajën e tyre, t’i imponohen shekullit të 21-të”. Por, siç Dones tha, ne e dimë që mes gruas së qytetit e gruas së fshatit, mes gruas që vjen nga një familje më e iluminuar, dhe asaj që vjen nga familje tjetër, ka ende një diferencë jashtëzakonisht të madhe.

LEGALIZIMI I PROSTITUCIONIT

“Në qendër të Europës, kemi legalizimin e prostitucionit. Pyetja që më është drejtuar është: a do të ishte e përshtatshme, edhe për shoqërinë shqiptare kjo gjë. Legalizimi çon në një ulje të shfrytëzimit të njeriut mbi njeriun”, tha Elvira Dones. Ajo sqaroi se “rrallë herë, jashtëzakonisht rrallë herë ndodh në Zvicër që të gjendet një vajzë, një punëtore seksi e vrarë”. Në vijim të sqarimit të idesë së saj, shkrimtarja bëri me dije se “kanë kushtet normale, paguajnë taksat e tyre, janë të kontrolluara dhe nuk janë të shikuara nga lart poshtë. Derisa ekziston problemi, gjëja më e mirë është që ky problem të mbahet nën kontroll, sepse kur është ilegal, kur çështja është në atë botë të erret shfrytëzimi ndaj gruas, do të jetë gjithmonë më i madh”.

Kur vjen te çështja, nëse janë pjekur kushtet që kjo gjë të bëhet në Shqipëri, Dones tha: “Është një bisedë ende e hapur, është një bisedë që shoqëria shqiptare duhet ta bëjë dhe duhet ta bëjë jo në valë fushatash zgjedhore, jo për arsye politike, por që të bëjë një bashkëbisedim, në të gjithë territorin për të kuptuar se si duhet përballuar. Pra, po. Unë mbetem me idenë që kontrolli, legalizimi, është rruga më e mirë për të minimizuar shfrytëzimin e njeriut nga njeriu”.

Më tej, duke folur për çështjen nëse në shoqërinë shqiptare, stigmatizohen viktimat, Dones tha absolutisht po. “Edhe në rrjetet sociale shohim që gruas i jepet ajo fjala, e shëmtuar, edhe për gjënë më të vogël, edhe një grua që është në politike, edhe një grua që është në jetën sociale, që ka një pozicion, fjala e parë që i jepet është ajo lloj fjale, e llahtarshme për mendimin tim: që duhet krejtësisht të hiqet nga fjalori ynë”. Ajo tha se kemi shumë plagë, se plagët tona janë të gjithanshme dhe se shoqëria shqiptare është në vështirësi të madhe, me gjithë progresin për shumë gjëra. “Mendoj se duhet të fillojmë të heqim lakrën nga koka, sepse ne kërkojmë të jemi të barabartë të gjithë të tjerët, por ne nuk trajtojmë me barazi, njëri-tjetrin. Kur nuk respekton tjetrin, fqinjën, vajzën, komshien, kushërirën, motrën, gruan tënde, si mund të kërkosh të të respektojnë të tjerët. Ulja e dhunës dhe konsiderimi i gruas si pjesë e barabartë e shoqërisë, është mirë të bëhet.

GSH.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura