“A është qeveria Rama në ditët e fundit të qeverisjes? Koncensioni i rrugës Tiranë-Durrës vetëm kështu mundet të shpjegohet”

Nov 2, 2018 | 14:48
SHPËRNDAJE

BESARD KADIA/ Qeveria Rama është në ditët e fundit. Ndryshe nuk mund të shpjegohet ky nxitim për të kapur për 30 vjet ekonominë e Shqipërisë. Nuk mund të shpjegohet ndryshe ky nxitim për të dhënë me koncension rrugë të rëndësishme ekonomike, për të krijuar Partneritet me kompani private e për të ndërtuar rrugë për të cilat nuk ka një strategji publike kombëtare, nuk ka një studim të kostove dhe përfitimeve financiare dhe nuk ka një llogjikë ekonomike se cila prej tyre ka prioritet me të vërtetë për ekonominë e cila mundet të shtyhet në kohë.

Besard kadia

Këtu ka vetëm një akt e një vizion: “të kapet ekonomia shqiptare për 30 vjet e të mos lejojmë konkurrencë ekonomike në vend.” I tillë është dhe lajmi i bërë me dije dje nga media Top Channel se rruga Tiranë-Durrës e ndërtuar e rindëtuar disa herë me paratë publike në vitet e fundit do t’i jepet me koncension një kompanie private e cila ka bërë një “ofertë të pakërkuar.” Ky është një akt i paprecedentë i kapjes së ekonomisë sonë nga shteti nëpërmjet instrumentave private. E gjithë marrveshja ka kohë që përflitet në publik dhe Ministria e Financave dhe kryemnistria gjithnjë kanë mohuar egzistencën e kësaj strategjie. Kjo rrugë nuk duhet dhënë me koncension për të paktën katër arsye:

Së pari prek qarkullimin e lirë tregtar për më shumë se gjysmën e ekonomisë sonë. Rreth 60% e ekonomisë së Shqipërisë kryhet në aksin Tiranë Durrës dhe rruga që lidh Tiranën me Durrësin është një rrugë e një rëndësie të vecantë ekonomike. Si e tillë kostot e përdorimit të kësaj rruge duhet të jenë minimale për të nxitur shkëmbim tregtar e për të lejuar lëvizje të lirë mes dy qyteteve. Koncensioni për këtë rrugë prek bizneset që importojnë nga port i Durrësit, prek turistët e fundajvës të Tiranës, prek studentët që vijnë përditë nga qyteti i Durrësit, prek shumë biznese e punonjës që janë pozicionuar në këtë aks rrugor për magazinim apo për tregtim. Prek thuajse cdo qelizë të ekonomisë sonë.

Së dyti, është në kundërshtim me vizionin e qeverisë për të shkrirë Tiranën me Durrësin në 15 vitet e ardhëshme. Për një kohë të gjatë Kryeministri Rama është shprehur për shkrirjen e Tiranës me Durrësin në një qytet të përbashkët. Por është e vështirë të shohësh se si një qytet i Dyrrnajës do të jetë në kohezion ekonomik me veten kur për ta përshkruar atë të duhet të paguash një kompani private për mirëmbajtje rruge për 30 vjet.

Së treti, sot kosto e transportit në Shqipëri është ndër më të lartat në Europë. Sot përdoruesit e makinave në vend paguajnë 180 milion euro taksë qarkullimi. Ky koncension vetëm sa do të shtojë koston biznesit vendas. Qytetarët shqiptarë kanë naftën më të shtrenjtë në Europë falë taksave të larta të kësaj qeverie. Ata e paguajnë njëherë taksën e përdorimit apo qarkullimit në rrugë. Sot një tregtar shqitpar paguan një litër naftë sa një tregtar anglez! Si mundet të konkurrohet me këto kosto në një kohë kur krahu i punës është i patrajnuar, kur korrupsioni mbetet i lartë e kur kostot e të bërit biznes janë të larta për shkak të taksave të larta.

Së katërti, Top Channel raporton se kompania që do të marrë me koncension këtë rrugë do të investojë 330 milionë euro, të cilat do i marrë mbrapsht nga tarifa e kalimit. Supozojmë se dhënia me koncension është një hap i duhur. Sërisht kemi kontraditë me parimet minimale të konkurrencës në treg. Nuk ka një konkurs ndërkombëtar të hapur për këtë rrugë, nuk ka një analizë të kosotove dhe përfitimit ekonomik, nuk ka një lidhje logjike me rrugët e tjera që po ndërtohen me PPP. Pra në tërësi praktika e zgjedhur duket se është e paravendosur nga qeveria për fituesin për një qëllim të vetëm: për të patur nën kontroll ekonominë e Shqiëprisë për 30 vitet e ardhëshme. Sot kjo rrugë përshkruhet nga 50.000 automjete në ditë. Edhe në rast se ky numër mbetet i pandryshuar në 30 vjet të ardhurat e firmës në rast se faturon 2 euro për kalim të rrugës do të jenë 1.1 miliardë euro ose më shumë se tre herë nga investimi fillestar. Kjo nuk është ekonomi por sjellje tipike pirateske në kurriz të ekonomisë sonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura