A duhet shpërndarë ky Parlament?!

Mar 30, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHU

   Disa ditë më parë postova një shënim të tillë në adresën time të “Facebook”-ut. Lexova poshtë tij shumë komente, shumica pohuese. Të them të drejtën, ditët në vazhdim ky mendim veçse më është përforcuar. Ngjarjet e fundit kanë qenë afirmimi më i plotë për këtë pyetje retorike.
Dhe këtu realitetet janë shumë të qarta, të njohura nga opinioni publik shqiptar, nga aleatët e strukturat ndërkombëtare, politika jonë, dhe të afirmuara në vetë rezolutën parlamentare. Parlamenti ynë në një masë të konsiderueshme është i inkriminuar. Tashmë ky është një realitet qartësisht i lexueshëm. Dhe këtu nuk është fjala veçse për individë të korruptuar, ryshfetçinj, mbajtës të diplomave fantazmë, të paditur etj. Këta do të ishin të “mirëpritur” në qoftë se i vendosim përballë atyre se çfarë po flitet e shkruhet nga Tirana, Brukseli, Washingtoni, që nga… Pra, flitet për gjëra shumë të rënda, për kriminalizim, nevojë dekriminalizimi, ashtu siç konfirmohet dhe në atë dokument të miratuar aty nga të gjitha forcat politike, të iniciuar nga PD e të mbështetur nga përfaqësia e PE-së.
Fatkeqësisht, tashmë ky është një fenomen real. Pikërisht ashtu siç deklaronte jo shumë kohë më parë vetë Kerry për rrezikun e sundimit të oligarkisë së krimit e korrupsionit në vendet tona, ashtu si shprehen qartësisht përfaqësuesit e ShBA e të BE për individë të inkriminuar në Kuvendin tonë. Megjithatë, kjo nuk mjafton për ndryshim. Fjalën e fundit, të qartë, të plotë duhet ta themi ne shqiptarët, pikërisht për të shpëtuar veten tonë, të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë nga sundimi i krimit, krim ky i gjerë, shumaspektesh e në rritje. Dikush i lidh këto fenomene me rrugët e “kokainës kolumbiane”. Kjo është e vërtete deri në një nivel dhe për një periudhë kohore, se në realitet kemi të bëjmë me një fenomen shumë më të gjerë e të rrezikshëm. Kemi të bëjmë me një përhapje shumëdimensionale të krimit, në një vend e rajon me stabilitet të brishtë, me disa interferenca destruktive të jashtme, me fenomene terrorizmi, pra të prirë për destabilitet.
   Kemi të bëjmë gjithashtu me një rritje galopante të mosbesimit ndaj institucioneve tona, duke filluar nga Kuvendi, gjë kjo tepër e rrezikshme për stabilitetin afatgjatë dhe të domosdoshëm të vendit.
   Qartësisht, në këto kushte kërkohen ndërhyrje energjike, të përgjegjshme dhe me pasoja pozitive perspektive. Rruga dhe iniciativa e filluar për dekriminalizimin e Kuvendit apo të institucioneve çdo ditë që kalon, bëhet më imperative. Çdo ditë që kalon, çdo fakt që arrin, çdo lajm që hidhet, kërkon që ajo tashmë të jetë shumë më “radikale”, qoftë dhe nga sa u perceptua ditën e votimit të asaj rezolute në Parlament. Fatkeqësisht, dinamizmi i zhvillimeve ka ecur me shpejtësi në sensin përkeqësues.
   Në kushtet që jemi, unë nuk gjykoj se ky Kuvend do të arrijë të vetëpastrohet. Aq më tepër edhe një situatë pa përgjigje të qarta e jo dinamike kjo, do të influenconte direkt si në cilësinë, ashtu dhe komprometimin e zgjedhjeve imanente administrative, në proces e produkt.
  Në gjendjen aktuale ngel veçse një rrugëdalje, angazhimi për shpërndarjen e Kuvendit, përgatitjen e zgjedhjeve të reja politike mbi rregulla të reja loje. Kjo kërkon pa asnjë dyshim në rastin më të mirë një marrëveshje të detajuar në procedura, garanci e vullnete midis PD e PS, përsëri nën një “ombrellë” ndërkombëtare. Në fund të fundit, gjithçka vjen në vijim të rezolutës, duke kërkuar tashmë edhe ndryshime të thella në ligjin aktual elektoral, i cili përfundimisht mund të cilësohet i dështuar.  
  Dhe, siç theksova, koha për këto veprime nuk pret. Kjo edhe për domosdoshmërinë e mesazheve optimiste e të qarta drejt zgjedhjeve lokale. Gjithashtu dua të theksoj se dhe përgatitja e eksperienca nga ato do të jenë të rëndësishme. Në nivel kryetarësh njësish, ato zgjedhje kanë formalisht dy avantazhe. Së pari, votimi është në maxhoritar, pra kërkohet verdikti direkt i popullit. Së dyti, zgjerimi i madh i njësive vendore besoj se do të ulë mundësinë e interferencave kriminale dhe korruptive në atë proces. Pa dyshim këtu kërkohet dhe një vullnet politik i konkretizuar në procedura parandaluese të detyrueshme. Sidoqoftë, një nga “rreziqet”, është edhe ai i lënies së “zonave të lira” partive të vogla “aleate”. Kjo “eksperiencë” edhe në mënyrat si u zbatua është treguar në përgjithësi negative në zgjedhjet e kaluara, qofshin ato politike 2013. Në lidhje me këtë, në parantezë, do të nënvizoja mendimin tim për PD si forca promotore e lëvizjeve progresiste të vendit tonë. Ajo duhet të kandidojë këtë herë me kandidatët e saj në të gjitha njësitë bashkiake për kryetarët e tyre. Aleatëve që do ta mbështesin, mund t’u lihen më tej postë n/kryetarësh apo në nivelet drejtuese të këshillave. Përjashtim këtu bëjnë zonat e minoriteteve.
   Sidoqoftë, siç u shpreha, koha nuk pret deri në mbarimin e procesit lokal. Institucionet qendrore, Kuvendi, duhet ta fillojnë këtë proces menjëherë. Dekriminalizimi i asaj salle tashmë është imperativ. Unë mendoj se edhe ky objektiv mund e duhet të realizohet veçse me pjesëmarrjen mbarëpopullore, pavarësisht vullneteve politike, që shpresoj të jenë pozitive në shumicë. Një institucion si Kuvendi ynë, mbi të cilin bien akuza të tilla, të pranuara edhe nga ai vetë, i përballur çdo ditë me skandale të paimagjinueshme brenda tij, pa asnjë dyshim e ka të vështirë të vetëkorrigjohet. Ai duhet e mund të korrigjohet duke thirrur në skenë “Sovranin”, duke iu dorëzuar atij, kërkuar gjykimin dhe ripërtëritjen tek ai. Dhe kjo mund të ndodhë veçse mbi një rivotim të ri, i bazuar ky jo vetëm mbi procedura të qarta verifikimi individual paraprak brenda e jashtë vendit, por dhe mbi standarde të domosdoshme intelektuale, të aftësive, integritetit moral të tyre. Pa dyshim, në fund gjykimin duhet ta bëjë elektorati i gjerë, duke votuar jo thjesht për partitë si më 2013-n, por edhe preferencialisht për kandidatët. A duhet bërë kjo mbi një sistem maxhoritar, apo mbi një sistem proporcional nacional a rajonal me jo më shumë se tri rajone në nivel vendi, por gjithmonë preferenciale këto, kjo është një çështje për t’u diskutuar. Kur institucionet falimentojnë apo humbin të drejtën morale të përfaqësimit, ashtu siç po ndodh te ne, thirret në skenë direkt elektorati i gjerë. Ky është parimi thelbësor i demokracisë që nga Athina e lashtë.
   Pra, ka ardhur koha ta aplikojmë pa humbur kohë këtë aksiomë të çmuar edhe në vendin tonë. Një gjë është e qartë, që të gjithë do ta ndiejnë veten më mirë, më të çliruar pas një procesi të tillë, forcat politike, institucionet tona, si maxhoranca, ashtu dhe opozita, që do të dalin nga ato zgjedhje, dhe vendi në tërësi. Një proces i tillë veçse do të na lidhte me ngushtë me familjen europiane. Keq do ta ndiejë vetë vetëm krimi, korrupsioni, injoranca e paaftësia, edhe në qoftë se “pastrimi” nuk do të arrijë të jetë 100%.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura