A do t’i hapë rrugë marrëveshja njohjes së ndërsjellë?

Sep 9, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI leonidha-mertiri-150x150

Aktualisht jemi para një realiteti: dy vendet, Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar në Uashington një marrëveshje që përqendrohet në çështje ekonomike, të cilat lidhen me të dyja palët. Sigurisht, kemi të bëjmë me një hap të rëndësishëm, por mbetur vetëm brenda këtij kuadrati. Ajo që bie më tepër në sy pas kësaj është se në deklarata e komente të ndryshme nuk mungojnë superlativat për ta konsideruar marrëveshjen si historike. Edhe pse ajo të krijon përshtypjen se nuk është e atij stadi. Apo, duke e veçuar si parathënie të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Secili vend në mënyrë unilaterale do të bashkëpunojë me tjetrin për realizimin e treguesve që përfshihen në marrëveshje apo me fjalë të tjera, në zotimet që merren në të.

Obligimi i secilës palë, sipas saj, është ndaj SHBA-së, që organizoi takimin e shumëpritur në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, disa herë ka theksuar se marrëveshja është dypalëshe, midis Serbisë dhe SHBA-së. Dhe kjo, për t’u mbushur mendjen në radhë të parë të tijve, serbëve, por edhe aleatëve të tjerë të njohur, se nuk tërhiqet nga ajo që Kosova nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Sipas filozofisë së kësaj marrëveshjeje, realizimi i problemeve që ngërthen ajo do të çojë në zgjidhjen finale, njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës nga Serbia. Pyetja që të lind qysh në fillim është më se normale: A mund të arrihen këta tregues që zënë vend në marrëveshje, në kushtet që ne i njohim, të një ekonomie të dobët në Kosovë? Financime, por si? Kush nuk e do progresin në fushën ekonomike. Shembuj jo të paktë flasin se tregues, si disa prej tyre në marrëveshje, mbeten rrugës së gjatë, duke mos u realizuar. Shtatë vjet më parë u nënshkrua në Bruksel marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Por ajo mbeti thuajse në letër. Të gjithë jemi të dëshiruar për plotësimin e treguesve të marrëveshjes së 4 korrikut. Por sa të realizueshëm janë dhe ç’kohë do të marrë për t’u hapur dyert proceseve të tjera? Mund të thuhet: i duruari, i fituari. Por, tashmë, një durim i zgjatur vështirë të konsiderohet më i tillë. Bisedime që do të vazhdojnë dhe s’dihet kur do të jetë fundi. Kosovës ndërkohë i duhen hapa të mëtejshëm për përballimin e sfidave në rrugëtimin e integrimit të saj në strukturat euroatlantike.

Nga ana tjetër, a është kjo një pedanë për të kaluar në atë të njohjes përfundimtare të njëra-tjetrës? Sepse deri tani nuk kanë munguar nënshkrime të tjera dypalëshe, megjithëse këtë radhë gjithçka bëhet në prezencën e Presidentit Trump, të garancisë amerikane. Një marrëveshje gjithashtu kjo, që duket edhe si përpjekje e stafit të Presidentit me Richard Grenell për të nxituar me të në këto momente të rëndësishme të fushatës për zgjedhje presidenciale, si një arritje tjetër diplomatike. Një marrëveshje si kjo duket se e trimëron më tej Serbinë me krahët e mbrojtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga Rusia dhe Kina. Kështu, vështirë dhe pas kësaj t’i hapet rrugë njohjes së ndërsjellë të dy vendeve.

Këtë të hënë, në selinë e Bashkimit Europian në Bruksel takohen Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të biseduar mbi marrëveshjen për njohje të përbashkët dhe normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Problemi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe ai i të pagjeturve do të jenë në fokus të takimit, së bashku me ato ekonomike. Ky rol i përbashkët i BE-së dhe SHBA-së, këmbëngulës dhe aktiv, i bën edhe marrëveshjet të mos zbehen, sikurse edhe marrëveshja e fundit dhe rrit përgjegjësinë e secilës palë për to. Pranimi në Bashkimin Europian i Serbisë, kushtëzuar me njohjen nga ana e saj të shtetit të pavarur të Kosovës, nuk mund të mbetet në kuadrin e deklaratave të përgjithshme. Ndryshe, edhe rrugët e kompromisit bëhen të vështira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura