8 Dhjetori, rajoni dhe korrupsioni

Dec 8, 2015 | 16:21
SHPËRNDAJE

tritan-shehuTRITAN SHEHU

Pak ditë më parë, një rruge të Shkupit iu vendos emri i simbolit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdarit. Duke marrë pjesë në atë ceremoni shumë mirë të organizuar aty, natyrshëm më erdhën mjaft mendime për ato ditë të stuhishme në Tiranë, për gjendjen në vendin tonë në tërës. Më tej po kujtoja atë që, edhe Rajoni ynë në atë periudhë vazhdonte të përjetonte sistemin komunist. Ngrehina artificiale e Jugosllavisë ishte akoma në “këmbë”, regjimi i saj millosheviçian kontrollonte hapësirën dërmuese të Europës Juglindore, duke mos transmetuar asnjë mesazh ndryshimesh e shprese, përkundrazi!

Dhe pikërisht në atë muaj të ftohtë, të errët për Rajonin tonë, në Tiranë, në Qytetin e Studentëve, shpërtheu atë natë ajo Lëvizje e madhe e Dhjetorit, që për pak ditë do të sillte pluralizmin shqiptar, do të kurorëzohej me lindjen e Partisë Demokratike, si mekanizmin thelbësor të lindur nga ajo lëvizje, që më tej do ta çonte vendin drejt hapjes, demokracisë, ekonomisë së tregut, lirisë në tërësi. Unë jam i bindur se në ato ditë të jashtëzakonshme, asnjë nga ne që u bëmë pjesë e atyre proceseve nuk arriti të perceptojë se në realitet ajo çfarë po ndodhte te ne, u parapriu jo vetëm ndryshimeve të mëdha demokratike shqiptare, por edhe atyre rajonale. Dikush mund të pyesë: Sa dhe si ajo influencoi në ato hapa të mëtejshëm, që pasuan rëniën e komunizmit jugosllav, liritë e atyre popujve nga regjimi millosheviçian, krijimin e një Ballkani Perëndimor të lirë dhe me aspirata të qarta europiane e euroatlantike? Këtë unë sot e kam të vështirë ta përcaktoj. Ndoshta kjo do të ketë nevojë për shumë diskutime, fakte e dokumente të asaj kohe, punë historianësh etj., por një gjë është e qartë, thirrjet “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, të artikuluara qartësisht e më fort se kudo në Rajon ato ditë nga Qyteti i Studentëve, e kanë pasur një efekt të fortë shumë më të gjerë se shqiptar. Ashtu si pa dyshim hapat e mëtejshëm të Shqipërisë demokratike drejt marrëveshjeve me BE-në, shprehja e vullnetit tonë për të qenë pjesë e NATO-s që në ato ditë, hyrja e Shqipërisë më 92-shin në partneritetin për paqe, u paraprinë edhe më tej zhvillimeve të Rajonit drejt Perëndimit. Vendi ynë filloi të luajë një rol parësor për stabilitetin e Europës Juglindore. Dhe kjo është e vërteta, për të cilën ne kemi meritat tonë të mëdha.

Në fakt, këto mendime më erdhën në radhë të parë kur po përpiqesha të kapja fillin e ideve që po seleksionoja për të transmetuar gjatë përshëndetjes sime në atë ceremoni, në lagjen e bukur të Çarshisë në Shkup, lagje në të cilën tashmë shkruhet edhe emri i Azemit. Pra, qartësisht, ai vendim për vendosjen e atij emri nga kolegët tanë të atyshëm, nuk ishte thjesht një falënderim ndaj personalitetit që udhëhoqi në ato ditë studentët e asaj Lëvizjeje të madhe ndryshimesh në Shqipëri, nuk ishte thjesht një vlerësim ndaj një shqiptari të shquar nga një komunitet po shqiptar. Ai vendim ishte një mesazh i qartë falënderimi e mirënjohjeje ndaj Azemit, Lëvizës së Dhjetorit, vlerave të saj jo vetëm për territorin tonë, por dhe të asaj që ajo parapriu për të gjithë Rajonin, edhe për Maqedoninë e Shkupin vetë.

Në fund të fundit, vendet tona në atë periudhë të Pasluftës së Dytë vuajtën në tërësi nga e njëjta “sëmundje”, nga komunizmi, nga diktatura, e cila pavarësisht disa formave të impostimit të saj, pavarësisht kulmeve të saj diku, ishte e tillë në tërësi, e ngjashme për të gjithë ne, kudo në hapësirën e Rajonit. Dhe sinjali i parë i qartë e masiv rajonal për përmbysjen e saj erdhi atëherë nga Tirana. Dhe Tirana vazhdoi të luajë në vite më tej një rol shumë të rëndësishëm progresiv, integrues, vizionesh perëndimore, jo vetëm për popullsinë shqiptare të Rajonit, por dhe shumë më gjerë në efektet e domosdoshme e pozitive. Kjo ishte e nevojshme dhe e suksesshme, edhe sepse shumë nga problemet e vendeve tona jo vetëm kanë qenë, por vazhduan e vazhdojnë të jenë përsëri të ngjashme, po aq të rrezikshme për vendin tonë, sa edhe për fqinjët tanë.

Gjykoj se një analizë e tillë është reale edhe për sot. Për këtë do të dëshiroja të përqendrohesha te një ose dy prej atyre dukurive, që në të gjitha analizat dalin në plan të parë. Në fakt, ashtu siç ka theksuar edhe Sekretari i Shtetit Kerry, janë pikërisht këto që po vënë në rrezik të gjitha zhvillimet tona të filluara prej vitit ‘90. Pa asnjë dyshim, fenomeni me gërryes për shumicën nga demokracitë tona në Rajon është korrupsioni. Një korrupsion kapilar, i përhapur, i gjerë si një kancer me metastazat e tij, që kërkon të gëlltisë gjithçka, të kontrollojë çdo gjë. Dhe mbi atë, në funksion të tij apo si pasojë bashkohet më tej krimi, terrorizmi, pasiguria, varfëria, moszhvillimi, ritmet e ngadalta të integrimit etj. Në Rajonin tonë ekzistojnë sot “pushtete” shumë të fuqishme, që sipas vendeve, duan të mbajnë popujt e tyre larg NATO-s, të frenojnë ecurinë drejt BE-së, të ruajnë një kaos ligjor e institucional etj. Dhe këtë e bëjnë pikërisht se, në këtë mënyrë ndihen jashtë kontrollit, larg influencave e mekanizmave zhvilluese perëndimore, të sigurt se kështu mund të përfitojnë maksimumin në rrugën e tyre të korrupsionit e krimit, më të mbrojtur në veprën e tyre makabre. Kjo ndodh edhe në vendin tonë, edhe në Shkup, edhe në Prishtinë, edhe në Mal të Zi, Bosnjë, Serbi etj. Pra një “sëmundje” tjetër epidemike në Rajon po zhvillohet e rritet, e cila jo rrallë gjen edhe “aleatë” apo përkrahje të jashtme. Për t’u shkatërruar kjo, si dikur komunizmi, kërkon reagime, përgjigje energjike e të menjëhershme.

Unë nuk jam në gjendje të përcaktoj se në çfarë pozicioni ndodhet sot Shqipëria në një klasifikim rajonal ndaj korrupsionit e krimit, dhe as nuk u besoj shumë disa statistikave që publikohen për këtë gjë. Por diçka është e qartë: këto fenomene po na gërryejnë për ditë, po rrezikojnë qartësisht mesazhet e 8 Dhjetorit. Dikush si “mburojë” shtron sot pyetjen: A është ky një fenomen i ri për vendin tonë, a ka ekzistuar edhe disa vite më parë? Së pari do të thosha se përgjigja nuk është thelbësore, thelbësor është fakti i ekzistencës së këtyre fenomeneve në formë galopante. Megjithatë, për të qenë transparent, dua të theksoj se korrupsioni ka ekzistuar shumë shqetësues edhe pak vite më parë te ne, duke dëmtuar rëndë qeverisjen e atëhershme, zhvillimet lineare, imazhin tonë që në ato vite. Por kjo nuk justifikon asgjë sot, aq më shumë kur ky “kancer” i shoqërisë së qytetëruar dhe i vetë demokracisë po merr përmasa gjithmonë dhe më dramatike. Tashmë ne kemi kaluar nga institucione të korruptuara në institucione të korruptuara dhe të kriminalizuara. Dhe këtu bëhet fjalë për ato nga më të rëndësishmet në jetën e vendit. Besoj se më keq sesa kaq nuk mund të ketë.

Nga ana tjetër, ky fenomen, ku më shumë e ku më pak tashmë është jo vetëm shqiptar, por në tërësi rajonal, duke vënë në dyshim çdo gjë që u arrit në këto 25 vite në të gjithë hapësirën tonë. Që prej atij muaji ngjarjesh madhore tashmë ka kaluar shumë kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar, por siç duket një tipar mbetet i njëjtë midis vendeve tona. Ajo që jemi “biologjikisht” të prirur për të vuajtur prej së njëjtës “sëmundje”, si pasojë e të njëjtës “epidemi” qarkulluese.

A do të mundet Shqipëria, Tirana, të jetë përsëri vatra shpërthyese në përballjen masive me këto fatkeqësi të reja, që po përhapen me shpejtësi e frikshme në Rajonin tonë? Mendoj se po! Shqipëria është një vend me një vokacion të thellë, historik e pozicion totalisht perëndimor, sot është një vend i hapur, anëtar i NATO-s, kandidate për në BE, anëtare e shumë forumeve ndërkombëtare, ka në krah miq të mëdhenj si SHBA-të e vendet e Europës Perëndimore, ka shumë më tepër eksperiencë e njerëz të ditur se dje. Unë jam i bindur se jo vetëm ndihma dhe mbështetja e miqve tanë kryesorë është e domosdoshme për ne në këtë betejë të re të madhe, por dhe vullneti i tyre për të na ndihmuar edhe më i gjerë, më konkret, është më i fortë. Por është e domosdoshme që ky vullnet i tyre të shfrytëzohet në maksimum nga ne vetë. A mjaftojnë për këtë vetëm format e asistencës teknike perëndimore, eksperienca e tyre, shkëmbimet e informacioneve, standardet që na kërkohen për t’u plotësuar, shumë të rëndësishme edhe këto? Apo është e domosdoshme të kërkohet më shumë nga ne ndaj partnerëve tanë, për të kaluar në forma më konkrete e vendimmarrëse të prezencës së institucioneve perëndimore në vendin tonë, kjo në funksion të procesit tonë të dekriminalizimit dhe antikorrupsionit? Kjo është çështje që mund të diskutohet hapur midis nesh, edhe me ata si në parim, ashtu dhe për mekanizmat konkretë të implementimit të saj, që mund të shkojnë deri tek institucione hetimi e gjykimi speciale për këtë qëllim në vendin tonë. Një gjë e tillë mund të na bëjë ne përsëri një pikë referimi për zhvillimet e ardhshme e të domosdoshme rajonale. Le të shpresojmë se ne përsëri mund t’u paraprijmë ndryshimeve të nevojshme e përmirësuese, edhe tashti në thellësi të viteve 2000!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura