2015. Viti i çeljes së negociatave?!!!

Jun 30, 2014 | 12:32
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHU

   Shqipëria tashmë është zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim të plotë në BE. Në të gjitha analizat, pavarësisht vonesave të pajustifikueshme, ky është një sukses vendimtar për ne. Piketat e integrimit për në familjen tonë natyrale tashmë janë të qarta dhe shumë më frymëzuese e mobilizuese se kurrë ndonjë herë tjetër. Kam lexuar shumë komente këto ditë për këtë ngjarje historike. Dikush kërkon ta përkthejë në vlera monetare, dikush në mundësi zgjerimi të parametrave të lëvizjes së lirë, dikush në më shumë siguri, dikush e lidh me pronat e familjes së tij brenda apo jashtë kufijve tanë etj. Unë do të thosha se në interpretim të parë afatgjatë janë të gjitha këto së bashku, në realitet janë shumë më tepër se kaq. Dhe kjo është e vërtetë qoftë dhe vetëm për një fakt, për atë që statusi i kandidatit është një piketë e domosdoshme për t’u kaluar në rrugën tonë të integrimit, është dhe një hap tjetër i madh ky drejt anëtarësimit të plotë në BE. Këto janë rregullat e lojës në këto vitet e fundit. N.q.s do të kishim qenë më të mençur, më largpamës, më vizionarë, do ta kishim kaluar më shpejt dhe më lehtë prej vitesh këtë itinerar të aspiruar. Fatkeqësisht, nuk u treguam aq të aftë sa ta bënim këtë gjë kohë më parë. P.sh., 25 shkurti i 1997-s do të kishte ngelur që atëherë për ne një datë e madhe në këtë rrugëtim europian, n.q.s nuk do të ishte “djegur” nga ngjarjet e atij viti.
Sidoqoftë, ajo që u bë, u bë tashmë, por ama le të shërbejë për të nxjerrë mësime të vyera prej asaj çfarë ka ndodhur. Dhe një nga këto konkluzione është ai ku “shkruhet” se sa më shumë të vonohemi në këtë proces, probabilisht kushtet që duhet të plotësojmë, do të jenë edhe më të komplikuara e më të vështira për t’u realizuar. Prandaj duhet të nxitojmë me të gjitha fuqitë tona, qoftë dhe për të fituar deri në një farë pike kohën e humbur gabimisht në këto vite. Dhe, në këtë drejtim, tashmë duhet të jemi konkretë e transparentë. Përpara nesh kemi që sot etapën e parafundit për të përshkruar, atë të hapjes së negociatave të aderimit më BE. Dhe, për të hapur negociatat, ai Komision na ka vënë disa objektiva, ose më mirë disa standarde për t’u plotësuar apo për të përshpejtuar përmirësimin e tyre. Në tërësi këto nuk janë të reja dhe as të papritura për ne. Janë një përsëritje e atyre kërkesave, për të cilat është folur dhe vite më parë, për të cilat vazhdohet të këmbëngulet me të drejtë përsëri, janë pjesë e pandërprerë e procesit tonë. Në fund të fundit ato janë një domosdoshmëri për vetë zhvillimin tonë normal, për jetën e fëmijëve tanë, për të ardhmen e vendit në tërësi. Më qartë janë pjesë e ecurisë së domosdoshme të një vendi demokratik.
Në lidhje me këto, dikush ka shkruar këto ditë se tashmë, nga sot deri në hapjen e negociatave, do të duhet një kohë jo e shkurtër, një tjetër e quan aventureske vendosjen e limiteve kohore nga ana jonë në këtë drejtim, dikush mendon ndoshta se “punët e mira bëhen ngadalë-ngadalë”! Krejt të gabuara këto. Unë mendoj se ne tashmë jemi në gjendje të vendosim objektiva të qartë dhe në sensin kohor para vetes sonë, pikërisht për plotësimin e parametrave të vendosur për hapjen e negociatave. Dhe kjo sot varet tërësisht nga ne vetë, Europa i dha të qarta sinjalet e saj. Ajo i qëndroi besnike Samitit të Selanikut për Ballkanin Perëndimor, nuk pati asnjë paragjykim fetar, gjeografik etj. Në të vërtetë, ajo i tejkaloi parashikimet. Brukseli firmosi gjithashtu dhe marrëveshje afruese të rëndësishme me Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë. Në krye të Komisionit pothuajse është zgjedhur një europeist i njohur, z.Juncker, i cili aspiron e beson në principet e forcimit të aderimit të brendshëm të BE dhe të zgjerimit drejt rajonit tonë. Aq më shumë ai është dhe një njohës, një mik e një mbështetës yni, gjë që e ka demonstruar dhe në disa nga momentet tona më të vështira. Dhe në parantezë, presidenca e Komisionit ne gjashtëmujorin e dytë të 2015 i takon pikërisht Luksemburgut! Pra, më duhet të përsëris atë që shkrova dy javë më parë në po këtë gazetë, “erërat po fryjnë” të favorshme për ne. Jemi ne ata që duhet të dimë t’i shfrytëzojmë ato me të gjitha mundësitë tona, jemi ne ata që duhet të hapim krejtësisht “velat” tona përballë tyre.
Dhe kjo do të thotë të vendosim objektiva, të qartë edhe kohorë këta, të mobilizohemi më tej totalisht për t’i realizuar ato. Kjo do të thotë të deklarojmë qartësisht para opinionit tonë publik, partnerëve tanë perëndimorë, institucioneve të Brukselit, që ne jemi të vendosur të çelim negociatat brenda vitit të ardhshëm në bazë të një axhende veprimi. Ky do të ishte objektivi ynë i madh, plotësisht i realizueshëm. Ky do ishte suksesi ynë i vërtetë mbas disa dështimesh me statusin e arritjes së tij me shumë vonesë. Të fshihesh nëpër mjegull e paqartësi është shenjë frike, papërgjegjshmërie, pasigurie në veten tënde. Dhe ne nuk duhet të transmetojmë të tilla mesazhe të gabuara drejt Brukselit, ne duhet të transmetojmë atë që është e nevojshme, që është e dobishme dhe e mundshme për t’u realizuar, pra afatin e qartë kohor, atë brenda vitit 2015. Ky do të ishte një sinjal mobilizues, stimulues e i domosdoshëm ndaj vetes sonë, si dhe ndaj Brukselit vetë. Ky do të ishte një sinjal yni i përputhshëm dhe me vetë mentalitetin, psikologjinë e pritshmërinë europiane, jashtë konceptit frenues “javash-javash” të implementuar te ne nga e kaluara jonë larg Europës. Ndërsa skeptikëve në lidhje me këtë strategji, unë dëshiroj t’u kujtoj disa të vërteta konkrete:
1-Mali i Zi i hapi negociatat plot 12 muaj mbas marrjes së statusit. Pra, një gjë e tillë është krejtësisht e mundshme. 2-”Erërat” europiane janë dhe do të bëhen edhe më të forta e më mirë të orientuara shtytëse për varkën tonë. 3-Kushtet që Komisioni ka vendosur para nesh për çeljen e negociatave janë krejtësisht të realizueshme nga ana jonë. Unë do të thosha se ato janë thellësisht “dashamirëse” për ne. Deri në një farë mase janë të krahasueshme me kushtet e 18 muajve më parë për miratimin e atyre tri ligjeve, rast që ne e humbëm nga absurditeti i opozitës së atëhershme. Shumica e tyre lidhen me procese afatgjata zhvillimi. P.sh. reforma në Drejtësi, administratë, lufta me krimin e korrupsionin janë në të vërtetë reformime, që nuk kanë fund. Rëndësi ka që ne tashti të fillojmë apo të vazhdojmë me shpejtësi, determinim, në bashkëpunim të ngushtë midis nesh dhe me strukturat europiane procesin e domosdoshëm dhe shumëplanësh përmirësues e afrues të tyre me realitetin e BE-së. Dhe këtë duhet ta bëjmë duke krijuar ambiente të vërteta bashkëpunimi me opozitën e duke i respektuar pastaj më tej marrëveshjet e arritura. Pa dyshim këto janë në radhë të parë përgjegjësi të qeverisjes. Shpresoj që kështu ajo tashmë nuk do të ripërsërisë gabimet e të kaluarës. 4-Shumë sinjale flasin për një zgjerim të ri të mundshëm të BE në vitet ‘20-‘21. Ne politikisht e gjeografikisht i kemi të gjitha kushtet të jemi ndër ato vende. Kjo aspiratë do të bëhej shumë më konsistente e konkrete, n.q.s do të arrijmë të hapim negociatat vitin që vjen.
Pra, në këto klima të favorshme integruese, por që duhen shfrytëzuar me kujdes, përgjegjësi e mençuri, ekzekutivi ynë duhet të dalë menjëherë me një plan ecurie konkret me etapat përkatëse, me elemente të përcaktuara për t’u realizuar gjatë atyre, por gjithsesi me angazhimin e qartë për të hapur negociatat brenda vitit të ardhshëm. Dhe këtu dua të theksoj që kjo ka rëndësi të shpallet sa më shpejt brenda korrikut, në mënyrë që të arrijmë të shfrytëzojmë në këtë drejtim me eficiencë edhe presidencën italiane që fillon nesër. Të mos harrojmë gjithashtu se më 21 shtator shqiptarët do të përjetojnë një ngjarje historike, vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri. Ajo pa dyshim, ndërmjet shumë mesazheve, do të ndihmojë edhe në përshpejtimin e procesit tonë të integrimit europian. Ne duhet ta shfrytëzojmë me racionalitet këtë mundësi të re dhe tejet të rëndësishme që po na jepet.
Ne tërësi, sa më shpejt të bëhet publik një impenjim i tillë konkret kohor, sa më shpejt t’u bëhet ai i njohur vendeve anëtare dhe Brukselit, sa më shpejt të koordinohen veprimet e ardhshme në këtë drejtim me partnerët tanë më energjikë mbështetës dhe sa më shpejt të fillojë puna implementuese këtu, aq më i qartë do të jetë ky mesazh politik i dërguar drejt Brukselit dhe aq më i mundshëm do të jetë suksesi ynë.
Pra, ka ardhur momenti qe t’u dilet detyrimeve përballë, konkretisht, pa u fshehur mbas turbullimeve e paqartësive të pafundësisë kohore. Ka ardhur momenti për të marrë impenjime e përgjegjësi konkrete e për t’u përgëzuar apo përgjigjur më tej sipas realizimit të tyre. Kjo është politika e emancipuar që tashmë i duhet Shqipërisë, në përmbushje të etapave të fundit të saj për t’u bërë pjesë e plotë e Europës së Bashkuar. Prandaj ne duhet të angazhohemi menjëherë dhe të punojmë së bashku që viti 2015 të jetë viti i çeljes së negociatave të aderimit të Shqipërisë në BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura