Dy projektet e mbetura pezull të skulptorit Arben Bajo, Gazmend Leka tregon ëndrrën e tij për “Kopshtin e engjëjve”

Aug 10, 2020 | 21:59
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj/ Miq e kolegë e kujtojnë Arben Bajon si njeriun e heshtur, por siç thotë piktori Gazmend Leka, veprat e tij bënin shumë bujë.

117301757_232942877867618_5686933095450263367_n

Leka e pat njohur talentin e artistit që në vitet kur e kishte student në Akademinë e Arteve. “E pashë dhe thashë: Ka për t’u bërë një skulptor shumë i madh”. Më tej, pas kthimit të Bajos nga Greqia, dashuria për artin, për studentët e tyre i bashkoi edhe më shumë në miqësi.

Ndanin bashkë ëndrrat, diskurset për situatën e kulturës dhe artit në vend, shqetësimet, deri edhe ekspozitat, ku Leka ishte gjithmonë i pranishëm me fjalimet e tij, që udhërrëfenin publikun drejt veprave të Bajos. Përtej miqësisë, e konsideron si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të skulpturës në vend, që sipas tij e veçonte ndër të tjera kultura, informacioni dhe përditësimi për zhvillimin global të artit. Me Lekën pat folur edhe për një projekt të tij, ideja për të cilin lind 10 vite më parë. Bëhet fjalë për një ekspozitë që do të titullohej “Kopshti i engjëjve”. “Do t’ua dedikonte fëmijëve të braktisur, atyre që jeta në një formë a tjetrën u ka shkaktuar plagë… Më ka folur gjatë për të, aq sa unë i përgatita një tekst. Kush e di, ndoshta ai tani takon engjëjt e vërtetë”, thotë Leka mes emocioneve.

Profesori dhe filozofi Përparim Kabo veçon veprën fine dhe frymëzuese të Bajos, teksa shpreh ngushëllimet për humbjen e mikut të tij. “Ti ike e nga sot qielli do ketë një dimension më të bukur arti… Pa dyshim që në këto dy dekadat e fundit, ti solle një ndryshim rrënjësor në artin e skulpturës”, shkruan ai.

Artisti Ilirian Shima e veçon Arben Bajon jo vetëm për artin e tij, për betejën për t’i dhuruar kësaj bote diçka nga vetja, por edhe për qytetarinë, kulturën e moralin me të cilën jetoi. “Do ta kujtojmë Benin sa të rrojmë. Atë burrë të pashëm që shihte aq bukur nën vetullën e rënë, që i jepte aq hijeshi. Atë skulptor që e përkthente çdo gjë në formë dhe jetonte me to. Atë mik që nuk kish nevojë të xhelozonte askënd me artin e tij unik. Atë baba dhe bashkëshort të denjë, atë dashnor të jetës e mjeshtër të skulpturës shqiptare, atë maestro që muzave do t’u mungojë”, shkruan ai.

117351736_232757091215347_3676690692717849227_n

Ndërsa kolegu i tij, Ardian Isufi, thekson se Bajo ishte edhe një nga artistët më të preferuar nga koleksionistët. “Pedagog dhe artist: Parajsa qoftë për ty si udhëtim i fundit… sepse për ty, arti në çdo çast e moment ka qenë parajsa jote shpirtërore!”, shkruan ai. Isufi tregon më tej se Bajo kishte planifikuar që në maj të këtij viti të çelte një ekspozitë me nudo dhe figura mitologjike. Projekt, që për shkak të pandemisë ishte shtyrë për në nëntor. Megjithatë, Isufi premton që në bashkëpunim me familjen do bëjnë çmos që ajo ekspozitë t’i vijë publikut sa më shpejt.

Kineastët

“Ikje pa ikje”

Kineastit Muharrem Fejzo, skulptori Arben Bajo i pat dedikuar një bust të gdhendur mjeshtërisht. I lidhte përpos dashurisë për artin, një miqësi disavjeçare. Dhimbja për humbjen e parakohshme të skulptorit është e madhe për regjisorin, i cili, përmes një pikture të detit të trazuar nga koha e vrenjtur, përpiqet të tregojë gjendjen e tij shpirtërore. “Det i vrenjtur, si shpirti im i trishtë për humbjen e mikut Arben Bajo”, shkuan ai. Po aq i tronditur dhe i trishtuar për humbjen e skulptorit është edhe miku i tij, regjisori Mevlan Shanaj. “Humbje e paimagjinueshme! E papranueshme! Një ikje që lëndon një komb. Një ikje që la dhimbje mbytëse. Nuk kemi frymë ta shprehim. Familjarisht të tronditur! Fjalët nuk dalin. Një ikje pa ikje!”, shkruan ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura