1 korriku, si starti i një faze të re politike për Shqipërinë!

Jul 1, 2020 | 21:53
SHPËRNDAJE

ALFRED PEZA

alfred peza

Rrallëherë ndodh që një datë si 1 korriku 2020, të shndërrohet natyrshëm, në një pikë starti për fazën e re të zhvillimeve politike në Shqipëri. Dita e parë e gjashtë mujorit të dytë të këtij viti, shënon fillimin e fazës finale, për integrimet europiane të vendit. Janë disa zhvillime konkrete që kanë përkuar në të njëjtën kohë, si në planin e brendshëm e po ashtu edhe në atë ndërkombëtar, që ta krijojnë këtë ide.

Më 1 korrik, Komisioni Europian i paraqiti Këshillit, draftin e kornizës së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar në të, udhëzimet dhe kriteret për bisedimet e pranimit. Në këtë dokument të rëndësishëm, janë specifikuar tri dimensionet e këtij procesi: Parimet që rregullojnë negociatat e pranimit. Përmbajtja. Dhe procedurat e këtyre negociatave.

Për Shqipërinë ka tashmë udhëzime të qarta e konkrete, të cilat do të na ndihmojnë për të rritur besueshmërinë duke u fokusuar tek reformat themelore. Për Bashkimin Europian, përtej debatit tonë të brendshëm politik, me rëndësi të dorës së parë janë; sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike, administrata publike dhe zhvillimet e qëndrueshme në ekonominë e vendit.

Më 1 korrik, Gjermania mori presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Europian, në një moment sfidash të mëdha, për shkak të krizës së virusit Corona. Një nga sfidat e saj është edhe prespektiva europiane e Shqipërisë dhe e rajonit tonë. Është fat për Shqipërinë që shteti lokomotivë i zhvillimeve europiane, të jetë në krye të punëve në këtë fazë të rëndësishme, nisur edhe nga roli konstruktiv që ka luajtur kancelarja Merkel.

“Kushtet që duhen përmbushur përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit, janë thelbësore për vendin dhe duhet të jenë të zbatueshme në një periudhë të afërt kohore. Gjatë Presidencës së Këshillit, Gjermania do të jetë në krah të Shqipërisë me fjalë dhe vepra. Pres me gëzim 6 muaj intensivë,” tha Ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf, në një video-mesazh të postuar në rrjetet sociale.

Më 1 korrik, u depozitua në Parlamentin e Shqipërisë, Kodi i Ri Elektoral ku adresohen të gjitha pikat e marrëveshjes të arritur në tryezën e Këshillit Politik mes PS, PD dhe LSI me ndërmjetësinë e SHBA dhe BE. Ky draft final ka marë tashmë rrugën për miratimin në Kuvend, duke i dhënë fund një polemike të gjatë mes palëve politike, për garancitë maksimale të një procesi zgjedhor me standarde demokratike.

Ky hap, përveç të tjerash garanton që tani, pjesëmarrjen e opozitës së rrugës në zgjedhjet e reja parlamentare të radhës që do zhvillohen mes 15 prillit e 15 majit 2021. Kjo shënon edhe fundin e bojkotit të sistemit dhe institucioneve politike e demokratike të vendit, të nisur pas djegies së mandateve të deputetëve të PD e LSI në janarin e 2019 dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.

Më 1 korrik, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, i kanë çuar përpara përpjekjet për të realizuar ndryshimet kushtetuese të paralajmëruara për në seancën plenare të 30 korrikut. Bëhet fjalë për kërkesën e opozitës së re parlamentare për një sistem zgjedhor me lista të hapura, daljen e partive politike pa koalicione parazgjedhore në votime dhe për pragun 5% të hyrjes në Parlament.

Këto dhe hapat e reja që janë hedhur orët e fundit në drejtim të përpjekjeve institucionale për ngritjen e funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas rekomandimeve të ekspertëve të Komisionit të Venecias, shënojnë një pikë të rëndësishme kthese në drejtim të avancimit më të shpejtë të vendit, drejt përmbushjes së kalendarit të reformave. Është shumë e rëndësishme që të gjitha këto dhe hapat e tjerë të përcaktuar në udhërrëfyesin e procesit, të përmbushen përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit.

E parë nga prespektiva e zhvillimeve politike që po lemë pas, sidomos ato gjatë 18 muajve të kaluar dhe nga momenti i ri ku ndodhemi sot, duket sikur 1 korriku i përmbush të gjitha “kriteret” për të qenë një pikëtë e rëndësishme për startimin e vrullshëm të një faze të re për zhvillimet politike në funksion të ambicjes së anëtarësimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura